SHBA njoftoi sot se do të tërheqë mbrapa aeroplanmbajtësin USS Nimitz nga Lindja e Mesme pas një stacionimi gati dhjetëmujor mes tensioneve me Iranin.
Nimitz do të kthehet në portin e tij në Norfolk, Virginia, sipas Pentagonit.
“Ekipi i Nimitz siguroi mbulim të vazhdueshëm ajror gjatë tërheqjeve të trupave në Afganistan dhe zhvilloi operacione dhe stërvitje që forcuan partneritetet dhe aleancat e qëndrueshme në Komandën Qendrore të SHBA-së dhe fushat e përgjegjësisë të Komandës Indo-Paqësore të SHBA-së”, tha zëdhënësi Jonathan Rath Hoffman në një deklaratë.
“Ata e zhvilluan veten në mënyrë të admirueshme gjatë gjithë qëndrimit, pavarësisht nga shumë sfida të paraqitura nga pandemia e koronavirusit”, shtoi ai.
Masa vjen një ditë pasi SHBA fluturoi me dy bombardues B-52 mbi Lindjen e Mesme, siç thuhet, në një shenjë paralajmëruese ndaj Iranit.
Në njoftimin e “mesazhit të qartë parandalues”, Komanda Qendrore e SHBA-së nuk specifikoi se kujt i dedikohej shfaqja e forcës, duke thënë vetëm se ajo vlen “për këdo që synon t’u bëjë dëm amerikanëve ose interesave amerikane”.
Dërgimi i bombarduesve nga SHBA-ja është veprimi i tretë i tillë në 45 ditët e fundit, sipas Pentagonit. Kjo vjen mes tensioneve të rritura midis SHBA-së dhe Iranit që u ngritën që kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi të tërheqë në mënyrë të njëanshme Washingtonin nga marrëveshja bërthamore me Teheranin në vitin 2018.
Vendet ishin në prag të një konflikti në fillim të këtij viti kur Trump zgjodhi të vrasë një gjeneral të lartë iranian në Irak në janar.