Kongresi Manastirit nuk është i rëndësishëm vetëm për alfabetin dhe gjuhën. Kongresi është momenti kur kombi shqiptar po bashkohej dhe po e merrte formën përfundimtare. Rëndësia politike është më e madhe se ajo gjuhësore apo kulturore. Procesi politk i rilindasve, përmes gjuhës, po e krijonte kombin.
Shkruan: Daut Dauti
Në shënim të këtij përvjetori duhet t’i kujtojmë disa momente apo detaje të rëndësishme të Kongresit kur të gjithë intelektualët shqiptarë, sikur edhe populli, e kishin gjithnjë e më të qartë se Perandoria Otomane do të përfundonte dhe se tokat shqiptare po rrezikoheshin nga fqinjtë. Më poshtë e keni një përkthim të shkurtër që e spjegon situatën në sallë gjatë dhe pas përfundimit të fjalimit të Gjergj Fishtës:
‘Fjalët e At Gjergj Fishtës patën ndikim të fuqishëm dhe lanë përshtypje të thellë në shumë njerëz. Pasi që ai përmendi shkurtimisht një punë të madhe që kishte bërë klubi ‘Bashkimi’ i Shkodrës, të cilin ai e përfaqësonte, fjalimin e përfundoi me këto fjalë:
‘Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’. Ai gjithashtu tha:’ Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’
Duke iu referuar këtyre fjalëve, Gjergj Qiriazi, njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit, shkroi:’ Nuk mund t’i përshkruaj lehtë këshillat e vlefshme që na i dha Fishta. Ishin aq të rëndësishme sa që të krishterët dhe myslimanët nuk mundën t’i ndalnin lotët. Kur At Gjergj Fishta e përfundoi fjalimin dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë që ndodhi në prezencë të diku rreth 300 deri në 400 njerëz, nga të cilët dy të tretat ishin myslimanë, la përshtypje jashtzakonisht të thellë te të gjithë ne.’
Marrë nga libri: ‘National Education During Albanian Reneaissance’, faqe 231-2, të autorit Hysni Myzyri.