Dënimet për krime të luftës dhe gjenocid, kanë hyrë në sisteme juridike jo vetëm për të dënuar kriminelët, por edhe për t’i parandaluar këto krime të rënda. Sa i përket rastit të ish-Jugosllavisë, dënimet e këtyre krimeve janë duke ndodhur në një masë, por parandalimi aspak. Madje, ka shënuar efekt të kundërt.
Shkruan: Daut Dauti
Serbia nuk e ka ndryshuar politikën e cila i ka krijuar krimet kundër njerëzimit, të luftës dhe gjenocidit. Në Beograd kjo politikë është në pushtet dhe po promovohet nga mediat. Madje, kjo politikë gjenocidale e ka krijuar Republikën Serbe e cila sot ekzekuton politikë edhe më agresive se në kohën kur Mlladiqi, Karaxhiqi dhe tjerët vepronin pa u penguar nga askush.
Lufta që krijoi gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë, vazhdonte pa e penguar bashkësia ndërkombëtare. Duke mos e penguar, Serbia inkurajohej të vazhdonte krimin. Në Britani të Madhe politika e atëhershme konservatore ishte tejet indiferente me atë që ndodhte në ish-Jugosllavi. Madje, dërgonte emisarë, siç ishte Lord Carrington, i cili haptas e mbante anën e Serbisë. Në këtë kohë, personalitete të njohura britanike shërbenin si këshilltarë të Beogradit dhe të udhëheqësve që po e krijonin Republikën Serbe në Bosnjë.
Bota, sidomos Britania, imponuan embargo të armëve ndaj palëve në konflikt. Kjo ishte sa për t’i dënuar ata që luftonin kundër Serbisë, për shkak se Serbinë nuk e godiste aspak embargoja. Serbia e kishte tërë armatimin e Jugosllavisë. Personalitetet si Reginald Hibbert dhe Noel Malcolm, që e kritikonin këtë qasje të gabuar, theksonin se pasi nuk po intervenohet për ndaljen e gjakderdhjes, le t’i armatosim ata që nuk kanë armë në mënyrë që Serbia të hasë në kundërshtarë të barabartë. Por, as kjo ndodhte. Kjo politikë në Evropë dhe në botë ndryshoi vetëm kur në pushtet erdhën laburistët në krye me Tony Blairin.
Krimet në Bosnjë dhe në Kroaci kanë ndodhur para syve të ndërkombëtarëve dhe në një masë të madhe për shkak se ata nuk intervenonin. Pasi që bota nuk intervenonte, Mlladiqi dhe Karaxhiqi nuk shihnin ndonjë problem në punët e tyre vrastare. Qëndrimi i kësaj bashkësie edhe sot është pothuaj i njëjtë. Ata e dinë që politika gjenocidale e Millosheviqit është ende në pushtet. Pra, e dinë që Serbia nuk ka ndryshuar, por nuk ndalen së investuari në këtë vend duke e lavdëruar politikën e sotme se kinse solli ndryshime. Ndryshime të politikës serbe ndaj fqinjëve nuk ka aspak. Ky vend ende vazhdon t’i kërcënojë fqinjët me luftë dhe me destabilizim të Ballkanit.
Prandaj, meqë politika fashiste në Beograd nuk ka ndryshuar, Mlladiqi që u dënua dje në Serbi është hero dhe këtë e vërteton edhe qëndrimi zyrtar i Beogradit. Mos të flasim për Republikën Serbe të cilën e ka krijuar ky kriminel ku ai është më shumë se hero.
Gjykata në Hagë është duke kryer vetëm punën e saj juridike. Kjo punë i dënon kriminelët e luftës dhe ata që kanë kryer gjenocid, por nuk e ndryshon gjendjen në Serbi ku ideologjia fashiste është e paprekur. Prandaj, kjo gjykatë krijon heronj në këtë vend fashist. Puna për denacifikimin e Serbisë nuk ka ndodhur.