Nesër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të mbërrijë në Beograd, pikërisht në ditën kur formohet Qeveria serbe. Kur u pyet nëse ka ndonjë simbolikë, ambasadori serb në Federatën Ruse, Miroslav Lazanski aludoi se kjo është rastësi, trasnmeton Gazeta Express.
“Unë nuk do të kërkoja një arsye të veçantë, sepse ajo vizitë u dakordua në dhjetë ditët e fundit. Udhëtimi origjinal i ministrit Lavrov ishte Athinë-Zagreb-Sarajevë”, tha Lazanski si mysafir në programin e mëngjesit të RTS.
Lazanski ka komentuar marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës, duke thënë se për to ka pasur komente me qëllime të këqija. Ai ka vlerësuar se Serbia dhe Rusia kanë partneritet dhe miqësi strategjike.
Lavrov do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin tha se do të diskutohet bashkëpunimi më thellë Serbi-Rusi.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo do të thotë që Beogradi dhe Moska i kaluan të gjitha mosmarrëveshjet, Lazanski tregoi se kishte keqkuptime të ndryshme ditore, veçanërisht në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit, dhe kishte gjithashtu komente të ndryshme, siç thotë ai, me qëllim të keq.
Ai theksoi se nuk ka zhurmë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë.
“Marrëdhëniet midis Moskës dhe Beogradit janë të qëndrueshme, ne kemi një partneritet strategjik, miqësi strategjike. Rusia mbështet Serbinë në të gjitha pozicionet e saj në të gjitha forumet ndërkombëtare. Serbia është i vetmi vend së bashku me Bjellorusinë dhe Maqedoninë Veriore që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe ne kurrë nuk kemi mbështetur ndonjë rezolutë nga BE-ja kundër Rusisë dhe Moskës”, u shpreh Lazanski.
Siç është planifikuar, situata aktuale dhe zgjidhja e problemit me Kosovën do të diskutohet në takimin e nesërm të Vuçiqit me Lavrovin. Lazanski thotë se Rusia është e qartë në pozicionin e saj se dëshiron që marrëveshja të përfshijë rezolutën 1244 dhe se do të mbështesin gjithçka për të cilën Beogradi dhe Prishtina bien dakord.
“Unë nuk shoh hapësirë për asnjë lloj spekulimi këtu, nëse pajtohemi me Prishtinën se zgjidhja për Kosovën do të jetë në një mënyrë apo në një tjetër”, përfundoi Lazanski.