Burimet e Gazetës Sinjali brenda Agjencisë kundër Korrupsionit (AKK), kanë bërë të ditur se më datë 15 shtator 2020, kjo agjenci ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Departamentin për Krime të Rënda, kallëzimin penal, me numër të rastit 02-02/1869/2020, kundër ish-ministres së Ministrisë së Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, raporton Gazeta Sinjali.
Ish-ministrja Hoxha dyshohet se përderisa ishte në cilësinë e ministres së Ministrisë së Integrimit Evropian, ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka shpërfillur procedurat ligjore për financimin e organizatave jo-qeveritare (OJQ), duke u mundësuar kështu përfitim pasuror të kundërligjshme dy organizatave jo-qeveritare, përkatësisht “Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave” dhe “Down Syndrome Kosova”.
Dëmi që pretendohet se është shkaktuar me vendimet e ish-ministres Hoxha kap vlerën 20 mijë euro dhe sipas arsyetimit të kallëzimit penal, përgjegjëse për këtë dëm ndaj buxhetit të Kosovës është vetë ish-ministrja, e cila kishte ndarë fonde për organizata jo-qeveritare, veprimtaria e të cilave nuk përkon me ministrinë që udhëhiqte ajo dhe buxhetin e kësaj ministrie.
AKK i ka rekomanduar Prokurorit të shtetit që ndaj ish-ministres Hoxha të iniciohet procedurë penale, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ajo ka konsumuar veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e sanksionuar me nenin 422 të KPRK-së.
E kontaktuar përmes telefonit nga Gazeta Sinjali për ta pyetur nëse është intervistuar nga Agjencia kundër Korrupsionit për këto vendime, si dhe a është në dijeni që AKK ka ushtruar kallëzim penal ndaj saj, Hoxha është përgjigjur se: “Nuk kam dëshirë të prononcohem.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet e pafajshme derisa fajësia e saj të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.