Në një reportazh me përfaqësuesit e disa mediave ruse, presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko vlerësoi situatën politike në vend që është tensionuar për shkak të protestave.
Lukashenko tha që protestat në vend pas zgjedhjeve presidenciale po kontrolloheshin nga një aplikacion i mediave sociale, duke shtuar se as Rusia nuk mund t’i bënte dot ballë kësaj metode.
Ai vuri në dukje se e kishte diskutuar çështjen me disa presidentë dhe se ai gjithashtu kishte paralajmëruar Presidentin rus Vladimir Putin se nuk mund të rezistonte përballë kësaj metode.
“Si i kundërshtoni kanalet e Telegram?” A e keni aftësinë për t’i bllokuar këto kanale? “
“Askush nuk mund t’i bllokojë këto kanale, madje as ata që e kanë krijuar këtë rrjet”,- u shpreh Lukashenko.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksander Lukashenko theksoi se disa kanale të aplikacionit «Telegram» luajnë rolin kryesor në organizimin e protestave dhe se kjo metodë është shpikur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe tani,- siç deklaroi ai,- ata (amerikanët) kanë arritur ta zbatojnë me sukses atë në Bjellorusi.
Duke thënë se nuk do të sillte dobi ndërprerja e internetit, pasi këto kanale nuk mund të ndërpriten plotësisht sepse drejtohen nga Polonia, Lukashenko gjithashtu argumentoi se në të ardhmen e afërt Rusia do të përballej papritur me disa ngjarje politike.
A e dini se në çfarë mendimi kemi arritur së bashku me institucionet dhe udhëheqjen ruse? Nëse Bjellorusia bie sot, Rusia do të bjerë pas saj,- paralajmëroi Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko.
Pas zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi, të cilat u zhvilluan më 9 gusht dhe që u fituan nga Presidenti i tanishëm Aleksander Lukashenko, në vend filluan protestat me pretendimin se “zgjedhjet ishin manipuluar” dhe protestat vazhdojnë ende.