Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas futjes së disa pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës. Ai ka thënë se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin.
Hoti ka njoftuar se shpejt do jetë i gatshëm raporti i detajizuar për atë atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, derisa ka thënë se veprimet do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin.
“Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend”, ka shkruar Hoti.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se me të marrë këtë informatë ka dërguar njësitet policore në këtë vend për të patrulluar, por se nuk kanë gjetur ndonjë ushtar serb.
Policia ka thënë se në zonën e Karaçevës mandatin e sigurisë e ka KFOR-i.
“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”.