Menaxheri i përgjithshëm i Portit të Bejrutit, Hassan Koraytem, menaxheri i përgjithshëm i doganave libaneze, Bedri Zahir dhe ish-drejtori i përgjithshëm i doganave, Shefik Mari, janë në mesin e të ndaluarve
Autoritetet në Liban kanë ndaluar 19 të dyshuar pas shpërthimit masiv në fillim të kësaj jave në Portin e Bejrutit, ku humbën jetën të paktën 154 persona dhe rreth 6 mijë të tjerë u plagosën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat lokale raportuan se menaxheri i përgjithshëm i Portit të Bejrutit, Hassan Koraytem, menaxheri i përgjithshëm i doganave libaneze, Bedri Zahir dhe ish-drejtori i përgjithshëm i doganave, Shefik Mari, janë në mesin e të ndaluarve në kuadër të hetimit për shpërthimin në Bejrut.
Më herët nga autoritetet u raportua se u ndaluan 16 punonjës.
Në fillim të kësaj jave, një zjarr në një depo në Portin e Bejrutit çoi në një shpërthim masiv që shkaktoi dëme të mëdha të pronave në disa lagje të kryeqytetit. Të paktën 154 persona humbën jetën dhe rreth 6 mijë të tjerë u plagosën.
Qeveria libaneze njoftoi formimin e një komiteti për të hetuar shpërthimin brenda një periudhe prej pesë ditëve.
Shpërthimi tronditi Libanin përderisa po përjeton krizën e saj më të keqe ekonomike, duke përfshirë rënien dramatike të vlerës së paundit libanez ndaj dollarit.