Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka bërë thirrje te qytetarët e vendit që të kujdesën për veten e tyre dhe familjet, pasi sipas saj qeveria aktuale nuk ka në interes shëndetin e qytetarëve.
Nagavci ka konsideruar, se situata pandemike në të cilën gjendet aktualisht Kosova, është emergjente dhe shqetësuese.
“Nuk e di se çka është sot më e rëndësishme se sa shëndeti i qytetarëve dhe gjendja me të cilën po ballafaqohemi çdo ditë, duke shkuar për fat të keq drejtë një katastrofe humanitare”, ka theksuar nënkryetarja e Kuvendit, në fjalën e saj.
Nagavci ka përmendur shifrat e rasteve të të prekurve me koronavirus në vend, numrin e të vdekurve dhe të të infektuarve brenda ditës, duke vlerwsuar gjendjen si alarmante.
“Ky është momenti i fundit që të kuptojmë e të deklarohemi që vërtetë duhet të kemi veprime shumë profesioniste dhe njerëzore në raport me shëndetin e qytetarve”, ka shtuar ajo.
Nagavci, në fjalën e saj, vazhdimisht ka kritikuar kryeministrin, Abdullah Hoti, për mosprezencën e tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të thirrur nga vetë Hoti. Në një moment, kur kryeministri kishte ardhur në sallë, ajo nuk e pa dhe vazhdoi kritikat për mos pjesmarrjen e tij në seancë.
Nagavci ka thënë se qeveria është jo kompetente, dhe krerët e saj të pa zot dhe të papërgjegjshëm.
“Andaj të dashur qytetarë një pjesë e deputetëve këtu nuk e kanë në interes të merren me shëndetin tuaj. Vendi ka mbet pa qeveri funksionale. Vendi po shkon në kataststrofë humanitare dhe ekonomike për ditë”, ka thënë Nagavci.
Derisa Nagavci ka mbajt fjalë deputet nga pozita iu kanë rënë tavolinave për të krijuar zhurmë që t’i pamundësohet mbajtja e fjalës Nagavcit.