Drejtuesit e Federatës moldave konfirmojnë se ndeshja e e shtatorit e Ligës së Kombeve me “Dardanët” do të luhet në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë
Federata e Futbollit të Moldavisë ka njoftuar se ndeshja në mes të Moldavisë dhe Kosovës, e vlefshme për Ligën e Kombeve, do të luhet në Itali.
Në fakt, Moldavia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe rrjedhimisht as pasaportat, prandaj shtetasit kosovarë nuk mund të futen në këtë shtet.
Kjo ka bërë që Federata moldave të detyrohet që ta zhvendosë lojën e 3 shtatorit në terren neutral, përkatësisht në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendës-presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë, Dragos Hancu.
“Për momentin e kemi situatën në të cilën Republika e Moldavisë nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Kjo nënkupton se shtetasit e Kosovës nuk mund të futen në vendin tonë me pasaportat e lëshuara nga autoritetet kosovare. As shtetasit moldavë nuk mund të futen në Kosovë. Ne jemi duke i respektuar vendimet që i merr shteti në raport me një shtet tjetër në aspektin e të drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Hancu për mediumin “Sputnik”.
Vlen të theksohet se stadiumi i Parmës ka kapacitet prej 20 mijë ulësesh, por nuk është vendosur ende nëse kjo ndeshje do të luhet me apo pa shikues.
Kjo do të jetë ndeshja e parë e edicionit të ri të Ligës së Kombeve për Kosovën.
“Dardanët” do të luajnë në Ligën C dhe do të jenë pjesë e Grupit C, së bashku me Greqinë, Slloveninë e Moldavinë.