Ajo është marrëveshja e fundit e rëndësishme e çarmatimit mes SHBA dhe Rusisë, dhe ndodhet para dështimit. Të hënën Moska dhe Uashingtoni negociojnë në Vjenë për të ardhmen e saj.
Obama dhe Medvedev nënshkruan në Pragë marrëveshjen “New Start” në Prill 2010
Në Vjenë takohen të hënën (22.06) përfaqësues të mbrojtjes të qeverisë amerikane dhe asaj ruse për të diskutuar mbi vazhdimin e marrëveshjes “New Start” SHBA-Rusi, që skadon në shkurt të vitit të ardhshëm. Po me aq këmbëngulje dhe pa sukses, SHBA kërkon pjesëmarrjen e Kinës në këto bisedime. Ekspertët shohin aty një strategji për të bërë që bisedimet të dështojnë, shkruan agjencia e lajmeve, dpa.
Marrëveshja “New Start” i vë përpara detyrimit si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Rusinë të kufizojnë arsenalin strategjik atomik. I dërguari i SHBA-së, Marshall Billingslea rriti së fundmi presionin ndaj Pekinit që t’i bashkangjitet negociatave për një marrëveshje pasuese. Ky është një faktor vendimtar për suksesin e bisedimeve, tha Billingslea. Kina e përjashton pjesëmarrjen në negociata, megjithëse arsenali atomik i së cilës rritet në mënyrë të shpejtë, por si fuqi atomike qëndron shumë pas SHBA dhe Rusisë.
Ekspertët pesimistë për suksesin e negociatave
Eksperti, Daryll Kimball nga Instituti Amerikan i “Arms Control Association” e lidh këmbënguljen e Uashingtonit me një strategji të qeverisë së Donald Trumpit. Ajo nuk ka vullnet për të zgjatur këtë marrëveshje dhe do që „mosinteresimin e Kinës për bisedimet trilaterale ta përdorë si arsye cinike”, për t’i dhënë fund marrëveshjes, citon dpa, ekspertin amerikan.
Rusia prezantoi vitin e kaluar raketat e tipit SSC-8/9M729
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkov, që drejton delegacionin për bisedimet në Vjenë ka propozuar që të zgjatet kjo marrëveshje, me qëllim që të fitohet kohë për negociata me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të re. Teksti i marrëveshjes aktuale të „New Start” u negociua nga paraardhësi i Trumpit, Barack Obama. Ai parashikon që SHBA dhe Rusia të zotërojnë maksimalisht 1550 koka atomike dhe të përgjysmojnë sistemet mbajtëse atomike.
Përfaqësuesi amerikan, Billingslea akuzoi Rusinë në maj se po modernizon mijëra armë atomike të tipit „jo-strategjik”, kontrolli i të cilave nuk është rregulluar me marrëveshjen aktuale. Sipas tij, Moska ka përqafuar një „doktrinë shumë provokuese atomare”. Kurse eksperti Shannon Kile nga Instituti për Studimet e Paqes, SIPRI e shikon qorrsokakun ku janë futur negociatat si mundësi „për fundin e marrëveshjeve atomare bilaterale mes Rusisë dhe SHBA-së”. Nëse kjo marrëveshje dështon, do të ishte marrëveshja e tretë e rëndësishme e çarmatimit me Rusinë, nga e cila SHBA do të hiqnin dorë./DW/