Fotoja që shihet lart, është përdorur për vite të tëra për të denigruar figurën e Xhafer Devës, si bashkëpunëtor të nazifashistëve, e madje edhe të çetnikëve. Por, e vërteta e fotos është krejt ndryshe.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas pushtimit të Mbretërisë së Jugosllavisë më 1941, pjesa më e madhe e trojeve shqiptare që ranë nën juridiksionin italian, bëhen Shqipëri. Megjithatë, disa pjesë të zonës kufitare në veri të Kosovës, përfshirë Sanxhakun, si dhe disa pjesë kufitare me Malin e Zi, bien nën juridiksionin gjerman.
Në Serbi vepronin forcat çetnike të Drazha Mihaloviqit, që zyrtarisht nuk e pranonte pushtimin gjerman, ama që ashiqare bashkëpunonte me ta. Këto forca vazhdimisht sulmonin vendbanimet shqiptare.
Një nga krerët çetnikë ishte Kosta Peçanci, emër i urryer për krimet që kishte kryer më parë në Kosovë. Ai ishte vojvoda që gjatë Luftës së Parë Botërore kishte marrëveshje me Azem Bejtën që ta luftojnë së bashku Austro-Hungarinë, gjoja se do të gjendet pastaj një zgjidhje për tokat e pushtuara shqiptare. Por, Bejta tradhtohet. Në një atentat Peçanci humb njërin sy nga plumbi i shokëve të Bejtës.
Luftimet kundër forcave çetnike në Shalë e në Bajgorë, ishin udhëhequr nga Ahmet Selaci e Mehmet Gradica. Luftimet e tilla të shumtën e herëve nuk i shqetësonin forcat gjermane, pos kur prekeshin interesat e tyre. Ndaj, më 20 tetor organizohet një takim mes sipërmarrësit, patriotit dhe intelektualit të shkolluar në Vjenë, Xhafer Deva, e çetnikut Kosta Peçanci. Ky i fundit, bazuar në përvojat e para të tij me shqiptarë e duke mos e njohur Devën, mendon se me lojë fjalësh e trillime për Bejtën dhe babanë e tij, mund ta bindte t’i nënshtrohet kërkesave të tij. Por, reagimi i Devës e tmerroi.
Shain Mehmeti, i cili po punon në një libër për Devën, rikthen në kujtesë, në gjuhën serbe, fjalët e Peçancit për atë takim (marrë nga një letër dërguar çetnikëve):
“Bijah u štab u Kuršumliji sa mojim četnicima, kad me pozvaše u Niš da prigovaram sa arnautima o granici! Otiđoh i tamo ga sretoh! Rekoh mu na arnautskome koga dobro znadoh, i nadah se da sa velikim pohvalama koje mogosmo sve arnautske vođe prisvojiti, i njega da pridobijemo: ‘Viđoh i sretoh sa Azemom (Bejta) u Mitrovici tvoga mudroga oca, koji verni arnaut bijaše i našu vojsku i srpsku vlast poštovaše, zato kumim te bogom, ako se i malo na njega ličiš, manite se Borčana i Bajgore koja je vekovima naša. Sa osmehom ispod njegovih đuzluka kojeg viđoh, sasvim mirno odgovoraše: ‘Slušah od moga oca puno o vama junačkoga! Ne brini se, sutra ću vam poslati na Borčane, moja dva mirna i razumna čoveka skojima, da se razgovara može, sa Ahmetom (Selaci) i Mehmetom (Gradića)”. Posle nekoliko dana svatih da će nam ovaj mali arnautin u buduće jebat sve srpsko sve do Niša, tamo gde njegovi preci već počivaju!”
Përkthimi dhe përshtatja e fjalëve në shqip, është kështu: “Me çetnikët e mi isha në shtab, në Kurshumli, kur më thirrën nga Nishi që me arnautët të flas për kufirin. Shkuam dhe aty e takuam. I fola arnautqe, gjuhën që e njihja mirë, me shpresën se me shumë lëvdata edhe atë do ta përvetësojmë, siç kemi mundur t’i përfitojmë të gjithë udhëheqësit arnautë. ‘Me Azem (Bejtën) e kam parë dhe takuar në Mitrovicë babanë tënd urtak, i cili si arnaut besnik që ishte e respektonte ushtrinë tonë, por edhe pushtetin serb. Ndaj, të lus si Zotin (përdor fjalën ‘Kumim te Bogom’, sepse kumbara te serbët cilësohet si diçka e shenjt, ndërmjetës mes familjes dhe të parëve; është shprehje që përdoret kur kërkon nga dikush të bëhet mik e mbrojtës, i nderuar gati sa Perëndia për kërkuesin, gjë që nuk do të duhej të refuzohej, sidomos nga shqiptarët e besës – v.j.), se nëse veç pak i ngjan atij, shmangu nga Borçani dhe Bajgora që me shekuj janë tonat’. Me një buzëqeshje poshtë syzeve të tij, të cilën unë e vëreja, qetë m’u përgjigj: ‘Për trimërinë tuaj kam dëgjuar shumë nga babai im. Mos u shqetësoni, se nesër ua dërgoj në Borqan dy njerëz të mi të qetë e të kuptueshëm, me të cilët mund të flasësh – Ahmetin (Selacin) dhe Mehmetin (Gradicën)’. Pas disa ditësh e kuptova se ky arnaut i vogël në të ardhmen ka me q… gjithçka serbe deri në Nish – nga ku vijnë të parët e tij”, ka thënë Peçanci.
Deva ishte muhaxher nga Nishi, një intelektual i rrallë. Mënyra e tij e qetë e komunikimit, me kulturë dhe diplomaci, dhe përgjigja që jep për njerëzit me të cilët “lehtë merret vesh” – gjë të cilën e kërkonte Peçanci, por që në fakt ishin emrat e trimave që bënin me dije për luftën pa asnjë kompromis të shqiptarëve për tokat e tyre – paraqiste momentin më zhgënjyes të njeriut që më parë mund bënte çka të donte me shqiptarët. Sepse, kohët po ndryshonin, jo më veç në të mirë të Serbisë.
Marrë nga Telegrafi
Discussion about this post