“Islamofobia në Evropë ka arritur një nivel të krahasueshëm vetëm me trajtimin e hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore,” ka thënë Presidenti turk Recep Tayip Erdogan.
Erdogan tha se Evropa ishte mësuar me “dëbimet, inkuizicionet, gjenocidet” dhe se muslimanët në të gjithë kontinentin Evropian ishin duke u sulmuar.
“Islamofobia në rritje në Perëndim është kthyer në një sulm të gjerë ndaj Librit tonë, Profetit tonë dhe gjithçkaje që ne e konsiderojmë të shenjtë,” tha Erdogan në një fjalim televiziv.
“Dëbimet, inkuizicionet dhe gjenocidet kundër anëtarëve të feve të ndryshme është një praktikë që nuk është e huaj për Evropën. Krimet kundër njerëzimit të kryera kundër hebrenjve 80 vjet më parë, veprimet kundër vëllezërve tanë boshnjakë në Srebrenica vetëm 25 vjet më pare, janë diçka që ne ende e kujtojmë,” tha ai.
Komentet e presidentit turk vijnë në kontekstin e reagimit të tij ndaj pikëpamjeve të fundit të Presidentit francez Emmanuel Macron mbi Islamin dhe muslimanët.
Gjithashtu sot, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paraqitur kallëzim penal kundër politikanit holandez të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, për shkak të postimeve fyese në median sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kallëzimi penal është ngritur në Prokurorinë Publike të Ankarasë nga avokati i presidentit të Turqisë, Hüseyin Aydın, me akuzën “fyerje ndaj presidentit”, ndërsa në të theksohet se Wilders ka kryer veprën penale “fyerje” me postimet që në shënjestër kishin liderin turk Erdoğan.
Në kallëzimin e paraqitur po ashtu thuhet se në këtë rast vlejnë ligjet e Turqisë, pasi, sipas ligjit relevant, vepra penale është kryer ndaj presidentit të këtij vendi.
Po ashtu theksohet se vepra penale “fyerje ndaj presidentit”, sipas ligjeve, mund të cilësohet në kuadër të veprave penale kundër shtetit.
Ndryshe, të dielën, Erdoğan e quajti “fashist” udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Wilders, i njohur për qëndrimin e tij antiislam dhe të djathtë ekstrem, pasi publikoi një karikaturë fyese të presidentit turk që u dënua nga zyrtarët turq, përfshirë ministrin e Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
“Fashizmi nuk është në librin tonë, është në librin tënd. Drejtësia shoqërore është në librin tonë”, ka thënë Erdoğan.