Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka folur për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe arsyet që kanë çuar deri në mocionin e mosbesimit.
E pyetur se cila mendoni se është arsyeja kryesore që u rrëzua qeveria Kurti dhe a kishte skenar të përgatitur, Haxhiu tregon mendimin e saj lidhur me këtë, ku gjithashtu thotë se populli vendosi jo vetëm të fitojë opozita, por asaj t’i prijë Lëvizja Vetëvendosje.
“ Fillimisht dua të theksoj një pikëprerje që ka ndodhur me gjithë mendësinë qeverisëse të pasluftës në Kosovë. Kjo është data 6 tetor e vitit të kaluar kur qytetarët vendosën që jo vetëm të fitojë opozita por edhe asaj t’i printe Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe kur e lexon këtë mesazh nga sot është një lexim i qartë nga qytetarët dhe fascinues mund të them, pra qytetarët e deshën ndryshimin, ata e votuan opozitën por ata e dalluan se kush përbën dallimin përbrenda vet opozitës së asokohshme” tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu thotë se veprimet e mira të qeverisë Kurti, ishin shqetësim për “Klubin e Politikanëve të Stërvjetëruar”, të cilëve sipas saj iu shkund strofulla nga e cila kanë përfituar në mënyrë direkt e indirekte dhe në këtë mënyrë regjimi i vjetër u trazua.
“Zotimet e fushatës ne i përkthyem në program të harmonizuar e këtë të fundit e përkthyem në program qeverisës të votuar nga partnerët e koalicionit. Kishim shumë objektiva por në terma më makro ishim të fokusuar nga ndalja e gjakderdhjes financiare te çkapja e shtetit, nga lufta ndaj korrupsionit te rimëkëmbja ekomomike e sovraniteti i vendit edhe sjellja si shtet në arenën ndërkombëtare. Duket që veprimet tona si qeveri ishin shqetësim për Klubin e Politikanëve të Stërvjetëruar të cilëve ju shkund strofulla nga e cila kanë përfituar në mënyrë direkt e indirekte, regjimi i vjetër u trazua. Kësisoj në fillim u përballëm me sabotim, deri në paralajmërimet e para për dalje nga koalicionin kinse për çështje të taksës/reciprocitetit ani pse ato ishin zotime të përbashkëta zgjedhore, por edhe ishin të theksuara decidivisht në programin qeverisës të votuar më unanimitet”, është shprehur Haxhiu për “Bota sot”.