Adresimi i krimeve të luftës dhe konfiskimi i pasurive të pajustifikueshme kanë përplasur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-ministrin e këtij dikasteri, Abelard Tahiri.
Haxhiu në fjalimin e saj në Kuvend, akuzoi Tahirin se nuk kanë bërë asgjë për të adresuar këto krime të luftës.
“A më ke dëgju paraprakisht se çfarë kam folur? Është një çështje që du me adresu sërish, është thënë që gabimi është bërë para dy vitesh e po doni me rregullu, të paktën ne duam të bëjmë diçka për më i gjyku kriminelët e luftës. Ju që sa keni qenë në pushtet nuk keni bërë asgjë. Për ato që i keni shkaktu për 20 vjet po kërkoni ta rregullojmë për dy muaj. Do të lejohet gjykimi në mungesë për dy muaj, dhe kjo është në përputhje me rekomandimet e komisionit të Venecias”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Tahiri në reagimin e tij e akuzoi Haxhiun për mungesë të njohurive rreth procedurave dhe hetimeve që duhet bërë në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe gjykimin e të pandehurve për krime lufte.
“Afati për hetime të tilla është dhjetë vjet, me arrit me qenë efikas dhe me konfisku një pasuri të pajustifikueshme. Ti as nuk je tu lexu, e as nuk je tu pa. Por, dëgjoj njerëzit që i ki në Ministri të Drejtësisë, e ndoshta i mbanë në mend. Hetimet të tilla për dy vjet janë të pamjaftueshme”, tha ai.
Tahiri madje tha se nuk ka as koordinim mes kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Abulena Haxhiu për këto tema.