Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i është kundërpërgjigjur ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila e ka kërcënuar me ngritje të kallëzimit penal në rast se nuk ndalen punimet e rifilluara në pronën e “Hotel Vicianum”.
Tahiri ka shkruar në Facebook se Haxhiu po bën presion publik për të zgjidhur problemet juridike të ministrisë, që i ka krijuar vetë.
Kreu i Vushtrrisë ka shkruar në Facebook se ishte vet ministrja Haxhiu ajo që ka refuzuar t’ia kthej pronën e ish Motel Vicianum, Komunës së Vushtrrisë, njësojë si në mandatin e saj të parë.
“Të gjitha Qeverive dhe të gjithë Kryeministrave e Ministrave të Drejtësisë u kam kërkuar në emër të Komunës së Vushtrrisë, kthimin e pronës së ish Vicianum për interes të qytetarëve të Vushtrrisë. Asnjëri nuk e ka kthyer. As Albulena Haxhiu nuk po ja kthen pronën Komunës së Vushtrrisë. Pa zotësinë e saj po e mbulon me kërcënime boshe”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri instiston se aty do të ndërtohet Stacioni i Autobusëve.
“Nuk frigohem e nuk shantazhohem, e kam një qytet me vete sepse aty duhet të bëhet Stacioni i Autobusve dhe pikë!”, ka shkruar Tahiri.
Ndryshe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kërcënuar me ngritje të kallëzimit penal ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, në rast se nuk ndalen punimet e ri-filluara nga kompania, së cilës i është ndërprerë kontrata, në pronën e “Hotel Vicianum”.
Haxhiu këto deklarime i ka bërë nëpërmjet një postimi në llogarinë ‘Facebook’, teksa ia ka bashkëngjitur një dokument, në të cilin njoftohet për ndërprerje të kontratës për kompaninë në fjalë.
“Kur një kryetar Komune, vendimin për mbrojtjen e pronës publike e quan “problem të krijuar”..çka me thënë tjetër! z. Xhafer Tahiri, zbatojeni vendimin që e keni pranuar nga Ministria e Drejtësisë ose do të detyrohemi të bëjmë kallëzime penale!”, ka shkruar ajo.
Pas deklaratave të Haxhiut ka reaguar me një status tjetër në Facebook kreu i Vushtrrisë, i cili ka shkruar se ministrja e dikasterit të Drejtësisë as në mandatin e parë, e as të dytin nuk ia ka dhënë pronësinë komunës, duke thënë se nuk është në kompetencë e tij.
“Komuna e Vushtrrisë nuk ka kërkesë zyrtare me shkrim nga MD për ndalje të punës tek ish Vicianum. Problemet e Albulena Haxhiut nuk mund ti zgjidh unë. Qasja juaj Ministre është tendencioze e qëllim keqe. Më keni bërë një miss call sot kur nuk e kam pasur telefonin afër dhe pa pritur të bisedojmë keni dal menjëherë në Facebook duke më sulmuar”
“Unë nuk i nënshtrohem presionit tuaj përmes telefonit sepse nuk i takon Komunës të marr anë në një proces gjyqësor mes jush e operatorit privat ekonomik. Ju jeni palë ju zgjidhni problemet tuaja mes jush. Uroj të mos e thirrni në telefon edhe gjyqtarin e të ushtroni ndikim siç keni tentuar të bëni sot me mua. Ju keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë edhe në mandatin e parë tuajin edhe në këtë të dytin, ky është fakt”, ka shkruar Tahiri në reagimin e tij të parë.