Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza kërkoi që të vendoset fotografia e presidentit Thaçi në ambientet e zyrës saj në mënyrë që ata si partia më e madhe opozitare të mos jenë jashtë përfaqësimit institucional.
Partia Demokratike e Kosovës ka bojkotuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, si reagim siç thanë ata të veprimeve të kryeparlamentares Vjosa Osmani me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe thirrjes së kryesisë në mënyrë të paligjshme.
Hamza në një konferencë për media në Kuvend tha po ashtu se partitë në pushtet po bashkëpunojnë me Listën Serbe.
Shefi i deputetëve të PDK-së po pretendon se mbledhja e sotme e kryesisë është thirrur në mënyrë të paligjshme.
Hamza adresoi akuza edhe për bashkëpunimin e partive në pushtet me Listën Serbe.
“Ka qenë e ditur dhe ua kemi thënë në seancë të Kuvendit se ka marrëveshje mes partnerëve të koalicionit VV-LDK dhe Listës Serbe, por ata gjatë ditës e kishin mohuar. Por, natën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit u konfirmua ajo që ne e thamë ditën dhe zonja Osmani u zgjedh kryetare e Kuvendit me pazare të qarta me Listën Serbe sepse ndryshe nuk do të mund të votohej atë natë”, tha Hamza.