Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, në konferencën e fundvitit, ka renditur sukseset dhe sfidat e tjera që e kanë përcjellë komunën që ai drejton gjatë këtij viti që po lëmë pas.
Ai tha se suksesi më i madh gjatë vitit 2019 për Komunën e Gjilanit është përfitimi i grantit rreth 26 milionë euro për realizimin e impiantit për ujëra të zeza nga BEZH-ja.
“Suksesi më i madh këtë vit që po e lëmë pas përveç sfidës që e përmenda është realizimi i programit të komunës së Gjilanit për impiantin dhe kolektorin për ujërat e zeza në një vlerë prej 26 milionë euro, si përfitues i grantit nga Banka Evropiane për Zhvillim. Mjete që janë ndarë dhe ka garantuar Ministra për Financa se komuna e Gjilanit është përfituese dhe ky grant për ne nënkupton zgjidhjen e problemit kryesor që ka Gjilani me 47 vendbanime të zonës urbane të komunës së Gjilanit”, tha ai.
Sukses tjetër për Hazirin janë asfaltimi dhe rregullimi i disa prej rrugëve te qytetit, ashtu dhe atyre rajonale.
“Prioritete të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, Gjilani është njoftuar zyrtarisht për vazhdimin e punimeve Livoç i Ulët-Kllokot si ndërtimi i rrugës rajonale. Gjilan-Prishtinë ndërtimi i rrugës së re. Rruga e Kumanovës është investim i komunës dhe Ministrisë se Infrastrukturës”, tha ai.
Haziri duke folur për sfidat që e përcollën gjatë vitit 2019 Gjilanin, tha se më e vështira ishte ajo e thatësisë.
“Në veçanti liqeni akumulues Përlepnica në Gjilan, i cili është njëri ndër më të mëdhenjtë dhe të vetmit në regjionin e Anamoravës, i cili furnizon me ujë. Në masën më të madhe të saj këtë vit është goditur nga një thatësi, e cila është menaxhuar nga ana e komunës”, tha Haziri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit midis tjerash njoftoi se gjatë vitit 2020 do të tentojë të zgjerojë koalicionin qeverisës.
Discussion about this post