Pse duhet ta votojmë Alban Hysenin!
Zgjedhjet e 14 nëntorit, përtej të qenurit zgjedhje lokale, janë manifestim i përpjekjeve të forcave të reja progresive për t’i ofruar vendit më shumë e më ndryshe që nga paslufta. Prandaj, dita e diele është dita kur do të ballafaqohen e reja me të vjetruarën, ndryshimi me status quo-n dhe e kaluara me të ardhmen.
Siç ndodh gjithmonë kur ndryshimet sociale dhe politike bëhen nevojë kohe, e vjetruara bënë çmos që t’i stopojë proceset integruese. Dmth, kur e kaluara e ndryshkur ballafaqohet me të ardhmen e ndritshme, e vjetruara bënë çmos që të mbetet në pushtet dhe tenton t’i përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për ta ndalë të rejën. Kështu ndodhi edhe para zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, kështu po ndodh edhe tani kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë para ndryshimit të shumëpritur.
Gjilanasit tanimë janë para një momenti shumë të rëndësishëm: Pas dy ditësh ata duhet të vendosin se kush do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme: Lutfi Haziri i LDK-së që përfaqëson të vjetrën dhe i cili për 30 vite u mundua të jepte aq sa diti e aq sa mundi, dhe Alban Hyseni i cili përfaqëson frymën e re dhe është besatuar se do t’i prijë proceseve dhe do ta bëjë ndryshimin.
Kush është pra Alban Hyseni, ky politikan i lindur për të udhëhequr dhe i gatshëm ta merr mbi supe përgjegjësinë e udhëheqjes së Gjilanit tonë?
Unë këtu do të them atë që e dinë dhe e thonë vetë qytetarët e Gjilanit: Është njeri me integritet. I arsimuar mirë. I kulturuar. Njeri me diapazon të gjerë dhe me vizion të qartë për të ardhmen. Është njeriu që i ka ngjallë shpresat e qytetarëve të Gjilanit për ditë më të mira. Siç e njohin të gjithë, Alban Hyseni është njeri me taban dhe punëtor i zellshëm. Apo, siç thotë Kryeministri Kurti, “Biografia e angazhimeve të tij profesionale dhe politike është e pasur pavarësisht moshës së tij të re. Kjo ia shton Albanit potencialin si kryetar intelektual me energji e mendësi të re. Mbi të gjitha, ai është një i ri që nuk kujdeset veç për të rinjtë por për secilën moshë, gjini e kategori. Sa shumë nevojë ka Gjilani mu për këtë”.
Qytetarë e qytetare të Gjilanit!
Është e drejtë e juaja ta votoni cilindo kandidat për të cilin besoni se është më i dobishmi për qytetin tonë. Por unë ndjejë obligim moral të ju drejtohem me këtë mesazh të shkurtër e të qartë:
Votojeni Alban Hysenin!
Gjilani do të fitojë më shumë nën udhëheqjen e tij…!