Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur marrëveshje mirëkuptimi për pagesën e shpronësimit të ndërtesës “Shtëpia e re e Mallrave”, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” dhe për një pjesë të tokës së ndërmarrjes shoqërore “Slloga (KHT Kosova).
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar sot në selinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit nga drejtori menaxhues i AKP-së, Valon Tolaj dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Në llogarinë e tij në Facebook, Selim Pacolli ka shkruar: “Me Agjencinë Kosovare të Privatizimit sot nënshkruam marrëveshje mirëkuptimi për pagesën e shpronësimit të ndërtesës “Shtëpia e re e Mallrave”, pronë e ndërmarrjes shoqërore “Gërmia” dhe për një pjesë të tokës së ndërmarrjes shoqërore “Slloga (KHT Kosova)”.
Ndërtesa “Shtëpia e Re e Mallrave” është shpronësuar në muajin gusht të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës për interes publik. Ministria e Financave e ka bërë vlerësimin e pronës së ndërtesës, drunjve pyjor dhe drunjve frutor në shumën prej 5,873,155 euro për ndërtesën dhe shpronësimin në shumën prej 152,490 euro e një pjesë të tokës (170m2) për Ndërmarrjen Shoqërore “Slloga” (KHT Kosova).
Sipas Vendimit të Qeverisë, Komuna e Prishtinës obligohet të jetë pjesë e pagesave gjatë procedurës së bartjes së pronës në Komunë. Komuna është përcaktuar si organ përgjegjës për zbatimin e kompensimit për punëtorët e NSH-ve sipas legjislacionit në fuqi, pra të kryejnë këtë obligim për punëtorët duke transferuar mjetet monetare në llogarinë e AKP-së si dhe pagesat eventuale për kreditorët e NSh-ve përkatëse. Obligimet për nivelin e pagesës për shpronësimet e pronave shoqërore përcaktohen në nenin 6A të ligjit të AKP-së.
Për ndërtesën “Shtëpia e re e Mallrave” 20% e shumës për pagesë për punëtorët e NSh-ve është 1,174,631 euro, ndërsa për tokën e N.Sh Slloga ndërlidhur me objektin e Gërmisë në Prishtinë 20% e shumës për pagesë për punëtorët e NSh-ve është 30,498 euro.
Me marrëveshjen e nënshkruar, komuna e Prishtinës ka marrë obligim që pagesa e mjeteve për 20 % për punëtorët e NSh “Gërmia” të bëhet brenda viteve 2019, 2020 dhe vitit 2021, dhe atë kësti i parë në muajin tetor 2019, kësti i dytë në muajin shkurt 2020 dhe kësti i tretë në muajin shkurt 2021. Ndërkaq, për punëtorët e NSh Slloga (KHT Kosova) pagesa e 20 % nga komuna do të bëhet në llogari të AKP-së deri në muajin tetor të këtij viti 2019.
Discussion about this post