Shqipëria e mban një rekord në Evropë: ka përqindjen më të lartë të nënave që kujdesen më shumë për fëmijët e tyre.
Ndonëse është përgjegjësi e të dy prindërve, në anketën e Cilësisë së Jetës nga Komisioni Europian, 84% e grave të pyetura janë përgjigjur se kujdesen më shumë dhe vetëm 15% janë përgjigjur se kujdesen po aq sa bashkëshorti. Kjo është përqindja më e lartë e regjistruar në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe kandidatët për t’u anëtarësuar.
Burrat e pyetur nuk e kanë pranuar këtë realitet plotësisht, se në Shqipëri gratë kujdesen më shumë ata për fëmijët. Rreth 60% e burrave të pyetur në Shqipëri janë përgjigjur se kujdesen më pak se bashkëshortet, 18% janë shprehur se kujdesen më shumë se gratë e tyre dhe 22% kanë thënë se kujdesen po aq sa bashkëshortet. Gratë në të gjithë Europën deklarojnë se kujdesen më shumë për fëmijët se partnerët e tyre. Rreth 70% e grave të pyetura në vendet anëtare të BE-së kanë thënë se kujdesen më shumë, 25% po aq sa partneri dhe 5% më pak se partneri.
Përqindjen më të lartë të burrave që kanë pohuar se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Çekia, me 91% të përgjigjeve. Edhe burrat në Hungari mendojnë se kujdesen më pak se gratë e tyre për sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve, me 81% të përgjigjeve që kanë pohuar se kujdesen më pak. Në rajon, përqindjen më të lartë të burrave që janë përgjigjur se kujdesen më pak se gratë e tyre për fëmijët e ka Maqedonia dhe Serbia me 71 dhe 66 për qind të të pyeturve. Suedia është vendi me përqindjen më të lartë të të përgjigjeve që kujdesen po aq sa partneri i tyre për fëmijët me 47%.
Discussion about this post