Kuvendi komunal i Prishtinës ka miratuar sot buxhetin e komunës mbi 91 milionë euro për vitin 2020 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore për periudhën 2020-2022 .
Këtë vit, kjo komunë do të ketë buxhetin më të madh për rreth 11 milionë euro, mjete këto të cilat i ka përfituar nga Ligji për Prishtinën.
Pas kundërshtimeve të shumta, kryesisht nga partitë e opozitës, propozimvendimi për buxhetin pësoi disa ndryshime në marrëveshje me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ndonëse seanca u shfrytëzua edhe për fushatë zgjedhore.
Këshilltari i Vetëvendosje, Eman Rrahmani, pati një përplasje verbale me kryetarin Ahmeti, ku që të dytë shfrytëzuan foltoret e tyre për fushatë zgjedhore, edhe pse ndërhyri kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta.
“Unë i kisha propozuar kryetarit dhe besoj që veç e ka lexuar projektin dhe planin e qeverisjes të VV-së, i cili është prezantuar, ku i ofron grantin e katërt që do të ndahen 600 milionë euro për komunat, ku komuna do të mund t’i shfrytëzoj ato pa e pyetur fare Qeverinë, kështu që të ftoj ta votosh numrin 126, numrin 1 Albin Kurtin. (Ndërhyrja e kryesuesit-Agim Kuleta). Eman, në momentin kur thirresh në ligje, nuk është mirë tash me keqpërdorë këto dhe me bërë thirrje për fushatë, sepse je kandidat edhe vet”, ka thënë ai.
Kryetari Shpend Ahmeti që gjendet në listën zgjedhore, iu përgjigj asamblistit Rrahmani, duke i thënë se e ka parë programin e Albin Kurtit për qeverisje të vendit, por shtoi se Kosova nuk është Gjermani.
Ahmeti tha se duhet me i pas 200 milionë euro për t’i realizuar të gjitha kërkesat e asamblistëve dhe qytetarëve të Prishtinës, edhe pse janë të qëndrueshme.
“I kam pa, se masi foli, kam qejf me i analizua këto programe zgjedhore, se i kam parë 400 milionë euro për ushtri, 200 milionë për këtë, por një herë është mirë ju me kaluar përmes një procesi buxhetor, veç me parë çka do me thënë kur fol pa kurrfarë përgjegjësie dhe pa kurrfarë matematike. S’e di unë qysh, 400 milionë për këtë, 200 milionë për atë, thua t’i se ne jemi Gjermani me buxhet, 10 miliardë euro. Shumë mirë nëse mundeni me bërë, edhe sot këto kërkesa që po i dëgjojmë krejt janë valide, por buxheti duhet me kanë 200 milionë euro për me i përmbushur krejt kërkesat”, theksoi Ahmeti.
Ndërsa, asamblisti Agim Gashi në emër të LDK, pati vërejtje për shpërndarjen e buxhetit të vitit 2020, i cili kërkoi të bëhet rishikimi shpërndarjes, sepse sipas tij, shpërndarja është bërë pa koordinimin ose bashkëpunimin e opozitës në këtë asamble.
Gashi ka kërkuar të futen në buxhet projektet për ujë të pijes dhe ujëra të zeza për fshatrat e Gollakut, për çka është pranuar kërkesa e tij me ndryshimet buxhetore.
Sipas tij, nga të hyrat vetanake nuk ka ndonjë lëvizje dhe nuk janë në përputhje me kornizën afatmesme.
“Në çdo tretën ditë njësia e zjarrfikësve dërgon ujë në Mramor, në Busi, në Grashticë dhe në ato hapësira ku ka fermerë, ndërsa thatësia ka qenë ekstreme dhe ata njerëz nuk kanë ujë të pijes. Pse nuk marrim guximin dhe të planifikojmë shtrirjen e Ujësjellësit? Unë shpresoj që edhe kompania “Ujësjellësi” ka me participua, por ne duhet ta iniciojmë atë problem. Ne duhet ta shuajmë etjen në ato pjesë dhe kudo qoftë tjetër. Ka edhe shumë projekte të tjera, kanalizimi në Llukar, me filluar me kolektorët në Prishtinë, sepse krejt ajo pjesë e qytetit është me ujëra të zeza”, tha Gashi.
Asamblisti Egzon Azemi nga VV, tha se nuk janë marrë parasysh kërkesat e qytetarëve dhe nuk janë organizuar debate publike për buxhetin 2020, ndërsa shtoi se kryetari Shpend Ahmeti është marrë vetëm me fushatë dhe me gënjeshtra.
“Nuk mundemi ne këtu tash me të dhënë ty (kryetar) ide se çka me përfshirë e çka mos me përfshirë. Në momentin kur është dashur me organizuar tubime publike me qytetarë, sa pjesëmarrës qytetarë kanë qenë në debatet publike rreth buxhetit. Pse s’mundemi me bërë një grup që i fton gjithë qytetarët, ku janë edhe partitë politike dhe me ditë se çka kanë nevojë qytetarët dhe ku duhet me i investuar këto të holla, por nuk po ju intereson, ju intereson vetëm fushata, projektet dhe reklama, me i përdorë të gjitha mundësitë e komunës për fushatë, me i rrejt njerëzit edhe një herë, me ia marrë votat edhe një herë. Kaq ju intereson”, tha ai.
Leutrim Retkoceri nga PDK duke theksuar se nuk e përkrah buxhetin e propozuar, tha se buxheti 2020 mbetet tradicional, por fatkeqësisht nuk është buxhet me prioritetet për qytetarët, ngase sikurse sivjet që nuk është ndërtuar asnjë shkollë, as në vitin 2020 as dy shkolla nuk do të ndërtohen.
“Nuk ka përfillur tri instrumentet më të rëndësishme planifikuese në këtë buxhet, ku qarkorja e Ministrisë së Financave do të duhej të aprovohej në kuvendin komunal dhe së bashku me të jo më larg se 30 qershori, pasi që përmes kësaj do të duhej të parashikoheshin kufijtë buxhetor në tri vitet e ardhshme. Ndërsa, nga Korniza Afatmesme për vitin 2020-2022, ka dallime. Mungesa e takimeve adekuate me qytetarë për të diskutuar prioritetet po prodhon një propozim buxhet që në sektorin e arsimit nuk ka as dy shkolla që do të nisin së ndërtuari në vitin 2020,”, deklaroi Retkoceri.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka arsyetuar se planifikimi i të hyrave komunale është përcaktuar nga Qeveria qendrore, sipas të cilit, janë kufijtë përcaktues nga Ministria e Financave, ndërsa për mallra dhe shërbime sipas Ahmetit ka ngritje të shpenzimeve mbi 1 milion euro.
Sipas tij, 2. 5 milionë euro janë paraparë me këtë buxhet për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, ndërsa pas kërkesës së asamblistëve të LDK-së për ujësjellësin, 500 mijë euro nga ky projekt do të barten për ujësjellësin e fshatrave të Gollakut.
Kryetari pranoi se 19 fshatra të Komunës së Prishtinës, nuk kanë furnizim me ujë të pijshë dhe shprehu gatishmërinë që me bartje të mjeteve të bëhet zgjidhje për të edhe në Gollak dhe pjesë të tjera.
Ndërsa, ndër pikat e rendit të ditës është shqyrtuar edhe propozimvendimi për caktimin e lokacionit për ngritijen e bustit të senatorit amerikan, Robert Doll.
Discussion about this post