Marrëveshja e Uashingtonit me Serbinë ka rikthyer mundësinë e shkarkimit të Qeverisë Hoti, për të cilën gjë Lëvizjes Vetëvendosjes i nevojiten edhe 9 nënshkrime për mocionin e mosbesimit.
Kjo parti konsideron se Avdullah Hoti nënshkroi një marrëveshje të dëmshme për Kosovën dhe se ai duhet të shkarkohet.
Deputetja Albulena Haxhiu theksoi se është bërë shkelje kushtetuese me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Serbinë, më saktësisht pikën 7 kur flitet për Ujmanin.
“Në pikën 15 të marrëveshjes theksohet moratoriumin 1-vjeçar. Hoqën dorë nga pavarësia e Kosovës, kështu pezullohet aftësia për të qenë pjesë e familjes së organizatave ndërkombëtare. Kjo do të ketë pasoja të mëdha. Do të ketë pasoja të pariparueshme në raport me aplikim në organizata. Pasqyra e subjektivitetit dhe seriozitetit do të dëmtohet. Jo pa shkak anëtarësimi është përmendur edhe në pikën 9 të pavarësisë së Kosovës. Shkel Kushtetutën dhe deklaratën e pavarësisë”, ka shtuar ajo.
Haxhiu thotë se për procedim të mocionit të mosbesimit nevojiten edhe nëntë nënshkrime, por nuk është e sigurt nëse këtë do ta përkrahë edhe partia tjetër opozitare, PDK.
“Në momentin kur kemi nisur mocionin, po të njëjtën ditë iu kemi dërguar shkresë partive për përkrahjen e këtij mocioni. Ka pasur komunikime ndërmjet shefit të grupit parlamentar të VV-së dhe PDK-së, por ende nuk kanë konfirmuar nëse do ta përkrahin mocionin”, tha Haxhiu në një konferencë për media.