Në shtëpinë e Vasil Zgurit, në Voskopojë, hijet e së shkuarës kanë mbërthyer çdo skaj. Prej dekadash, ai dhe zonja e tij me 6 fëmijët dhe familjet e tyre, e kanë shenjuar jetën e tyre me një ditë fatkeqe, kur në arat e kooperativës, e morën Vasilin dhe e arrestuan.
Prej asaj dite, çdo gjë do të ndryshonte rrënjësisht në jetët e tyre. Ishte viti 1966. Kanë kaluar më shumë se 50 vjet prej atëhere, por familja ka shumëçka që e lidh me atë ditë dhe zinxhirin e vuajtjeve e kujtimeve të hidhura, që i përndoqi më tej, për gjithë jetën.
Vasili sot është 96 vjeç. Jeton në Voskopoje dhe gëzon me familjen e tij të madhe me nipa e stërnipa… Duket sikur Zoti i ka dhënë shansin të rikuperojë gjithë vitet e humbura në burgjet komuniste. Vasili rrjedh nga një familje me origjinë vllehe. Të parët e tij kishin pozita të rëndësishme në Greqi, dhe këto lidhje, do të bëheshin shkak në vitet e regjimit kur do t’i kurdisnin historinë e spiunazhit në zyrat e Sigurimti të Shtetit…
Vasili tregon se familja e tyre asokohe quhej “familje e pasur”. “Kishim rreth 2.000 kokë dele këtu në fshat. Edhe ato i mori shteti. Dhe ne kemi ndihmuar luftën, pa llogaritur. Edhe pas çlirimit. Nëna ime ka ardhur nuse nga Greqia. Babai u martua në kohën e Turqisë. Jetoi 37 vite babai dhe vdiq. Më la mua që isha më i madhi, 13 vjeç. Na rriti xhaxhai. Ai e martoi motrën me një nga të ardhurit nga Greqia, në kohën e krizës së bukës. Ne nuk e menduam këtë se ç’do të vinte më pas. Këta e morën motrën time dhe ikën në Greqi. Edhe ne u ndamë nga motra për 50 e ca vite, deri në vitin 1991”, tregon Vasili.
Ai i di mirë shkaqet e lojës që i kurdisën. Këto ditë, ka marrë dosjen e tij nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Aty dëshmohet me detaje gjithë strumbullari i ngjarjeve të errëta që përjetoi…
“Historia ishte luftë klase, tregon Vasili. – “Shënjestrën e kishin te një xhaxha i imi. Ai vdiq edhe mbeta unë, në vendin e tij. Unë kam qenë ushtar në Elbasan, 3 vite, 1947-1949. Atje, kam gjetur një nga Zagoria, që kishte të atin në Amerikë. Duhej të ruheshim nga këto, mirëpo ne kemi qenë të mbyllur. Unë dilja të dielave dhe ai më jepte ëmbëlsira. I thashë që kisha një motër në Greqi, por që nuk ia dija adresën. Më premtoi që do ta gjente ai adresën e motrës. Ai i dërgoi letër të atit dhe i ati bëri përpjekjet e tij dhe erdhi adresa. Me atë adresë, unë fola në telefon. Dhe kështu u lidha me motrën. Merrja letra nga motra, dërgoja letra te motra, por letrat kontrolloheshin”
Dita e Arrestimit
Dita e arrestimit të Vasil Zgurit është si e fotografuar nga gjithë familja. Të gjithë ata kanë një kujtim individual mbi atë ngjarje. Vangjelia, bashkëshortja e Vasilit, kujton se atë ditë në arën e kooperativës, erdhën dhe e morën Vasilin krejt papritur.
“Unë thosha se po të vonohej shumë, ç’do të bëja pastaj. Fëmijët ishin të vegjël. Djali i madh, Dhimo, ka vuajtur shumë sa ç’të të them. Me 6 fëmijë, burri në burg, pa gjë, pa hiç”, kujton Vangjelia.
Ndërsa vetë Dhimo Zguri, djali i Vangjelit, më i madhi ndër fëmijët, atëherë ishte vetëm 14 vjeç. Ai duhej të përballonte gjithë peshën e familjes. Shtatë gojë prisnin bukë prej duarve të tij.
Ditën e arrestimit të të atit, Dhimo, e ka në kujtesë, si të kishte ndodhur dje.
“Në atë moment, ishim edhe ne në këmbë, kur e arrestuan. Në datën 12 gusht, se në 11 gusht e arrestuan atë, unë do të shkoja për t’u regjistruar në gjimnaz, në vitin e 3-të. Kur na ka marrë ky për të korrur në një arë aty, për të marrë ditë pune më shumë, për t’u ushqyer, edhe erdhi një “Gaz” aty afër rrugës, e mbajtën dhe i thanë që të shkonte me ta. Ne, me gjithë mamanë, u trembëm. Ishin edhe dy motrat dhe i shkuam nga pas. Morëm edhe mamanë dhe erdhëm në shtëpi. Këtë e kishin marrë dhe e çuan atje te kampi, atje e mbajtën. Afër tij, ishte një operativ, një Çerçiz Çale që unë e njihja. Në këtë kohë, e morën këtë dhe e çuan atje. Kur erdhëm këtu, ne gjetëm dy oficerë operativë që rrinin në këmbë. Na thanë të hapnim derën se do të shkonin lart. Hipën lart, panë në çati, kërkonin. Na morën një valixhe që e kishim me dokumentet e shtëpisë… Morën aty, gjetën ca gjëra, morën ato dokumentet dhe ikën. Në këtë kohë, mësova që erdhi “Gazi” i Degës që kishte brenda babanë. Nuk e kishin lidhur deri atëherë. Babai më tha që do shkonte dhe do të vinte. Dhe iku…”
Në hetuesi…
Në hetuesi, mes torturave psikologjike e fizike, Vasili do të kuptonte pak nga pak, shkakun e vërtetë të arrestimit. Nga hetuesia, Vasili tregon disa pasazhe të rënda.
“Shkaku ishte motra ime në Greqi, se me atë shkëmbenim letra. Njëri nga hetuesit, me mbiemrin Bregu, më qëlloi aq fort me grusht, sa m’i theu dhëmbët dhe plasi gjaku. Erdhi, mori cepin e xhaketës sime dhe m’i fshiu. Dilo Bregu quhej. 2 metra i gjatë ishte dhe më tha: “M’u thaftë dora, po të rashë më”. Se përse më goditi, ndoshta edhe faji im qe. Bënë kontroll në shtëpi, letra nuk gjetën, zarfe kanë gjetur. Zarfet i kemi mbajtur për adresat, letrave s’ua kemi vënë veshin. Ata kërkonin letrat. Më pyesnin: Ku i ke çuar letrat? I nervozuar, i thashë që me letrat e Sofisë, më falni për shprehjen, “Kemi fshirë b……”. Kur i thashë kështu, ai më qëlloi. Kurse hetuesin, e kisha nga Gjirokastra, nga Lunxhi i Gjirokastrës. Ai më shtrëngonte duart. Kurse shefi i operativëve ishte nga Berati. Bëra 4 muaj e gjysmë hetuesi dhe pastaj, më nxorën në gjyq. Më nxorën 7 dëshmitarë.”
Familja ndërkohë, nuk kishte asnjë lajm. Askënd nuk lejonin të kohej me të burgosurin. Dhimo tregon se kishin pritur të takoheshin me të atin më shumë se 3 muaj, derisa ai doli në gjyq.
“Nuk dinim gjë se si ishte. Një herë në dy javë, apo çdo javë, i çonim ushqime.
I linim atje dhe iknim. I mbaroi 3 muaj e gjysmë hetuesi dhe u caktua data e gjyqit, në 3 dhjetor 1966”, rrëfen Dhimo Zguri.
Në gjyq…
Gjyqi që iu bë Vasil Zgurit, ishte i hapur. Gjithçka ishte kopsitur me dëshmitarë e dëshmi të rreme. Ishte menduar si një leksion për të terrorizuar gjithë Korçën. Por askush nuk e kishte parashikuar karakterin shpërthyes të Vasilit.
Dhimo tregon se familja ishte nisur nga Voskopoja që pa gdhirë, për të qenë të pranishëm në atë gjyq.
“U nisëm që në orën 4 të natës, dy xhaxhallarët e mi, vëllezërit e tij, mamaja dhe unë, dhe në këmbë kemi shkuar në Korçë. Pritëm aty, se nga ora 7:30-8:00 fillonte gjyqi. Erdhën dhe e zbritën këtë, ky ishte i enjtur. Sollën dhe ca dëshmitarë që kishin dhe u futën brenda. Zumë vend edhe ne, aty afër. Pashë aty që babai ishte shumë i ashpër me gjyqin. U grind me atë prokuroren. Të tëra ato që kanë dosjet, aq sa dimë ne, ekzistonin, që ia thanë. Ky nuk pranoi asgjë. Tha që nuk ishte bërë gjë, që ishte i pafajshëm. Polici që ishte aty e goditi dhe e uli sepse ky i tha prokurores: “Dëgjo, unë jam i pafajshëm, por mos më merr në qafë, se do të vish ti në vendin tim këtu”. Atëherë, ne na nxorrën jashtë dhe morën vendimin. Prokurori e dha vendimin për 23 vite, kurse gjykatësi Mihallaq Pendavinji e uli një vit”, rrëfen Dhimo.
Ndërsa vetë Vasili kujton mbi këtë gjyq të montuar: “Unë nuk pranova asgjë, nga ato që thanë dëshmitarët që i kishin mësuar këta. Më së fundi, më tha ajo prokurorja: “Këta i njeh ti?”. “I njoh”. “Po si flasin keq për ty?”. Unë i thashë: “Këta s’mund të flasin keq për mua, por këta janë mësuar nga ju”. Këtu e ashpërsova. Njerëzit po dëgjonin të gjithë se çfarë thuhej. 18 vite më kishin lidhur me agjenturë. Gënjeshtra. Takim me diversantë këtu, takim atje, jo këtë, jo atë. Të tëra këto u hodhën poshtë. Si përfundim, prokurorja më dha 23 vite. Edhe hetuesit vetë, 4 vite m’i dhanë për agjitacion e propagandë. Më dolën edhe dy dëshmitarë këtu nga fshati”
Jeta e burgut…
Pas këtij dënimi, Vasili me 6 fëmijë të vegjël e gruan e shkatërruar nga kjo fatkeqësi, do të niste rrugëtimin e vështirë të burgjeve të komunizmit. Ai nga një qeli në tjetrën, nga një minierë në tjetrën, e ata me trasta krahëve, me qindra kilometra, për t’i çuar në burg ushqime e veshmbathje.
“Më morën siç merret ndonjë thes me kashtë, dhe më hodhën në makinë. U ngrita dhe pashë një herë andej e këndej. Më çuan në Degën e Korçës. 3 policë e 2 oficerë, 5 më shoqëronin, dmth që të më shihnin njerëzit, se ky është armik dhe ky ther njerëzit. Unë, një njeri i zakonshëm… Unë jam arrestuar 42 vjeç. 14 muaj bëra në Elbasan, në fabrikën e çimentos. Ne e bëmë të burgosurit, ishim 3.000 veta atje që e bëmë fabrikën e çimentos. Na ndanë pastaj… Një grup e çuan në Vlorë, një grup në Spaç, një grup në Burrel. Mua më zuri në Spaç. Sa kemi hyrë në Spaç, ata që kishin pak hatër, i linin edhe jashtë. Kishte edhe me hatër. Mua më zuri garameti në galeri. Galeria ishte me 3 kate. Punova rreth 4 vite në galeri. Galeria ishte e vështirë sepse vriteshin njerëzit. Kishim ca furnela për materialin. Njëri që e kishte tjetrin inat, e merrte dhe e hidhte mbi furnelë. Ndodhte edhe kjo, gjetkë, jo te ne. Rrethimi ishte me 6 tela rreth e përqark. Shkonte ndonjëri që i shkrepej te teli, dhe ushtari me automatik e qëllonte.
Kishim atje një koçimare, i thoshin, kishë. Atje varroseshin njerëzit. Ishte një copë lëndinë përtej kampit. I çonin ordinerët, se të burgosurit nuk dilnin nga burgu. Kishim ordinerë, rreth 15 veta, që i merrnin të vdekurit, se vdisnin njerëzit, vriteshin në minierë. Kishim 3 miniera bakri dhe piriti”.
Vasili është dëshmitar i asaj që ndodhi në Spaç, gjatë dhe pas revoltës. Ai nuk ishte në listën e ngushtë të atyre që u ridënuan për revoltën, por terrorin pas asaj ngjarje, e përjetoi edhe ai.
“Ishim 800 veta. Disa e bënë, jo të gjithë, por na futën të gjithëve. 3 ditë e 3 netë, na lanë pa ngrënë, na hoqën edhe ujin e banjove. Ishin 50 banjo që dilnin njerëzit, që vinte ajo gjëja e keqe në hundë. Erdhi Feçor Shehu atje dhe fliste që andej larg, nuk afrohej, se kishte frikë. Atje erdhi gjeneral, polici erdhi, ushtari erdhi. Nuk e di se sa ushtarë, se thoshin mos bënim ndonjë revoltë e iknim. Të gjithëve na lidhën, na ulën përdhe. Doli një listë me 130 veta që u arrestuan. I futën në makinë dhe i çuan në qytet, në Rrëshen. Këta i dënuan për së dyti. Kishin ca vite burg, u dhanë edhe një burg tjetër. U kthyen këta. T’i shikoje, teneqe. U kishin thënë që “Na keni turpëruar përpara botës”. U bë gjë e madhe. Pastaj i dënuan ata. Për ne, u ngrit një regjim shumë i fortë që hynte polici atje ku haje bukë, luga të dëgjohej jo fjala. Kemi vuajtur shumë…”.
Jetë e vështirë në familje…
Ndërkohë, në familjen e Vasil Zgurit në Voskopojë, nuk shkelte më pothuajse askush. Ata ishin familje e armikut të popullit. Askush nuk u fliste, askush nuk lidhte miqësi me ta. Të rrisje një tufë fëmijë, pa të atin, ishte një sfidë e vërtetë për nënë Vangjelinë…
Discussion about this post