Në një shkrim me titull: Martin Camaj përherë me ne”, të shkruar më 2010, Ardian Klosi do ta cilësonte Profesorin me origjinë nga Dukagjini, si të “Përzemërt, me një mirësi të kultivuar, kur bashkohej malësori bujar me europianin erudit”. Ismail Kadare e ka quajtur Martin Camajn, “Shkrimtari i Lartësive”, ndërsa ka shkruar se “Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë”. Ismail Kadare shkruan edhe për “vetminë e shkrimtarit”, duke nënvizuar se “Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën”.
Në këtë frymë të katrahurave shqiptare, Ernest Koliqi shkruante se Martin Camaj ishte “Pjestar i një djelmënije të vrugosun në shpirt nga nji stuhi ngjarjesh tepër shqetsuese, të nji djelmënije që u randue me vuajtje të pameritueshme ç’se filloi me marrë mend” dhe si i tillë, “Njofti mërgimin, burgimet, fushat përqendruese, punën e përdhunëshme…” Ernest Koliqi, bashkpuntor i ngusht dhe mentor i Camajt, ka shkruar se Martin Camaj, “Trimnisht ka përdorur penën si të parët e tij taganin dhe pushkën”, duke thënë se, “Fisnikija e lashtë e malësorve, kalorsija e natyrshme që u pajisë shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, e i cili e di harresën në të cilën bota e huej dhe vendase i la malet tona.” Si pinjoll i atyre maleve, shkruan Koliqi në parathënjen e veprës së Camajt, “Djella”, Martin Camaj e kishte gjithmonë, “Parasyshë mospërfilljen e paevarëshme që shumica e qytetarëve ka dëftue për këta fatosa të lindun, e të cilët si kala e gjallë mbrojtën kombin nga sulmet e sllavëve”. Megjithkëtë, Koliqi shkruan se në veprat e tij, Camaj “Lëshon nji kushtrim jo ma luftarak, por paqsuer, plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, duke cituar poetin:
“Avitu, njeri!
Nga palci i urrjejtjes dëshiroj me dalë
Si bima prej fare në pranverë”.
Profesor Martin Camaj
Edhe Ismail Kadare ka shkruar duke aluduar për këtë mospërfillje të shumicës së qytetarëve ndaj shkrimtarit dhe poetit Camaj, për të cilën ka shkruar Ernest Koliqi, duke theksuar se,”Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan. Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej.”
Megjithse gjatë regjimit komunist, “porta ishte e mbyllur” për shkrimtarë e poetë si Martin Camaj, Kadare shkruan se Camaj “Nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t’u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme”, ka thënë Ismail Kadare duke përfunduar se, “Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha”, ka vlerësuar Ismail Kadare veprën dhe personin e Martin Camajt.
Në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka dekoruar shkrimtarin dhe albanologun Martin Camaj me urdhërin “Nderi i Kombit” duke u shprehur se,”Kur kam firmosur Urdhërin “Nderi i Kombit” për Martin Camajn, kam patur parasysh përkushtimin e tij sipëror ndaj gjuhës sonë, artin e madh, dashurinë e vuajtur e poetike ndaj Shqipërisë së tij”, ka theksuar Presidenti Topi gjatë ceremonisë së organizuar me atë rast. Gjatë fjalës së tij Presidenti Topi u shpreh gjithashtu se në jetën e Camajt, pamundësia e kthimit është tragjike, por fatlume për letrat shqipe. “Në asnjë vepër tjetër të letërsisë shqipe, nuk gjejmë kaq shumë atdhe, kaq shumë fëmijëri, kaq shumë vendlindje”, ka thënë ish-presidenti Topi.
Ardian Klosi, i cili ka shkruar se kishte njohur Martin Camajn për dy vjet pas shembjes së komunizmit, ka thënë se Martin Camaj kishte luajtur një rol të jashtzakonshëm në jetën e tij dhe se ai kishte qenë gjithashtu edhe njëri ndër kontribuesit kryesor në Lidhjen e Shkrimtarëve e Intelektualëve të pavarur, themeluar në qershor të vitit 1991. Ardian Klosi ka shënuar se, “Pak ditë para se të vdiste i dërgoi me telefon lidhjes sonë këtë mesazh që u bë më pas i famshëm për fjalinë e tij të fundit: “Të dashun miq e vllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë popull shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosë të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bâtë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt. Martin Camaj.”
Megjith “mospërfilljet ndaj tij dhe me gjithë portën e mbyllur për të, në këtë 25-vjetor të vdekjes, Martin Camaj gjithnjë bën thirrje:
“Avitu njeri! Afrohuni shqiptarë!
Discussion about this post