Një video ku shfaqet ministrja rilindëse, Milva Ikonomi, duke përuruar hotelin “Privilege” të kryetarit të Bashkisë dhe Koordinatorit të PS-së për qarkun e Shkodrës, Valdrin Pjetri, i cili na doli edhe ai, si shumë të tjerë, i dënuar për trafikim droge në Itali, më ngjalli disa fantazma e makthe të vjetra që s’më ndahen.
Një herë e një kohë, kur, pas rënies së piramidave financiare, pararendësit e rilindësve kishin marrë pushtetin dhe kishin filluar të hidhnin themelet e Shqipërisë kapitaliste që gëzojmë sot, kam përdorur një metaforë ku i kam krahasuar intelektualët si vetja ime, Milva Ikonomi etj., me ata shkencëtarët gjenetistë në filmin “Jurassic Park” të Spilbergut, që patën idenë fatkeqe të ngjizin në epruvetë dinozaurët, duke pandehur se do ta kontrollonin procesin. Mirëpo, dinozaurët u shumuan në mënyrë të paparashikuar, dolën jashtë kontrollit dhe rrezikuan jetën e tërë banorëve të parkut, sepse, për më tepër, shkencëtarët kishin zgjedhur të riprodhonin një nga dinozaurët më të rrezikshëm, tiranozaurin, që është mishngrënës.
Metafora që kam ndërtuar asokohe ishte se ne, të ashtuquajturit intelektualë, na dukej vetja më të rëndësishëm sesa biznesmenët e rinj që kishin dalë në skenë. Sipas nesh, ata nuk mund të ekzistonim pa ne, pasi ne ishim superiorë, ishim ne fytyra, sytë dhe truri i sistemit që po ngrihej kurse ata vetëm muskujt, sepse ishim ne që na njihte populli, që kishim edhe mbështetje ndërkombëtare e që ftoheshim nëpër ambasada, pasi dinim edhe gjuhë të huaja, kurse shumica e tyre nuk dinin as shqipen mirë. P.sh., a mund të hapnin dot ata gazeta e televizione pa mendjen dhe idetë tona të ndritura? Jo që jo.
Me një fjalë, ne ishim si shkencëtarët, kurse ata si dinozaurët e Spilbergut. Mirëpo, nuk kaloi shumë dhe ata u rritën e fuqizuan aq shumë sa filluan, dora-dorës, të na kontrollonin ne, intelektualët shumëgjuhësh: doktorë, profesorë, aktorë, piktorë, shkrimtarë, gazetarë, historianë, gjeografë, matematicienë, fizikanë, pasi kishin një armë shumë të fuqishme që i bënte superiorë ndaj nesh: paranë, me të cilën ne duhet të ushqenim veten dhe familjet. Aq më tepër që ata i rritën shumë shpejt me paranë e tyre standardet e jetës kështu që kacidhet që na jepnin fondacionet e huaja, nuk na mjaftonin më, aq më pak u mjaftonin rrogat modeste shtetërore atyre prej nesh që u bënë kryeministra, ministra apo kryetarë bashkie.
Kështu, tiranozaurët morën pushtetin në parkun tonë dhe filluan të diktojnë përcaktimin e lumenjve që do të pinin dhe të kodrave që do të hanin, të brigjeve të detit ku do të ngrinin vilat e tyre dhe të parqeve, lulishteve, fushave sportive, oborreve të shkollave ku do të fshinin barin dhe gjelbërimin dhe do të ngrinin kullat e tyre prej betoni, duke e transformuar edhe peizazhin natyror dhe urbanistik nga dimensionet humane në dimensione dinozauristike. Këto vendime i përgatisnin në shkresa dhe i firmosnin shkencëtarët e bërë politikanë e i promovonin nëpër media e nëpër ambasada sivëllezërit e tyre të shoqërisë civile. Asokohe kam shkruar edhe një shkrim me titull: “Kukullat në skenë, oligarkët në prapaskenë” ku, kuptohet, kukullat ishin politikanët e dalë nga sëra jonë, si Edi Rama, kurse oligarkët ishin tiranozaurët.
Mirëpo, me kohën kam arritur në mendimin se metafora ime e asaj kohe ka pasur një kufizim të rëndësishëm. Ka qenë gabim themelor të mendoje se tiranozaurët u krijuan nga shkencëtarët (d.m.th., medemek, nga ne intelektualët). Nëse do të pranojmë se me rënien e komunizmit e filluam të gjithë nga zero, atëherë duhet të pranojmë se lindja e tiranozaurëve dhe vendosja e sundimit të tyre erdhi kryesisht si meritë e vetë atyre. Nëse do të pranojmë shpjegimin që i jep Hegeli ndarjes së shoqërive në padronë dhe shërbëtorë, sipas të cilit padronë bëhen ata që nuk kanë frikë nga vdekja, kurse shërbëtorë ata që kanë frikë nga vdekja, mund të them se ata që metaforikisht i quajta tiranozaurë, patën meritën se në atë kohë nuk patën frikë të venë kokën në rrezik duke u marrë me lloj-lloj krimesh për të bërë para, që nga grabitjet e pronave, deri trafiqet njerëzore të prostitutave e ato të drogës, kurse pjesa tjetër, që kishte frikë për t’u marr me këto gjëra, u bënë shërbëtorë të tyre.
Ndërsa, nëse do t’i referohesha Hobsbaumit, meritën e tyre do ta shpjegoja me faktin se, me rënien e murit të Berlinit, mbaroi gara maratonë e nisur 200 vjet më parë midis frymës së revolucionit industrial dhe atij francez me fitoren e të parit, që do të thotë, me fitoren e primatit të ekonomisë mbi politikën, që nxori edhe në vendet ish-komuniste, ku sundonte politika mbi ekonominë, njerëz të rinj me talente të larta ekonomike që u mbështetën nga sivëllezërit e tyre perëndimorë.
Gjithsesi, pavarësisht nga këto shpjegime të paplota historikoekonomiko-psikologjiko-filozofike, duke vazhduar me gjuhën e metaforës them se, ndryshe nga parku i Spilbergut, ku dykëmbëshit humanë, në sajë të superioritetit të intelektit fitojnë mbi dykëmbëshit tiranozaurë (për ata që nuk e dinë edhe dinozaurët janë dykëmbësha) në parkun tonë tiranozaurët – me subspecien e tyre të veçantë drogozaurët – e morën pushtetin dhe i kthyen “shkencëtarët” në “qen roje” të tyre. Duke parë Milva Ikonomin që i bënte reklamë hotelit të drogozaurit, Valdrin Pjetri, nuk mund të mos kujtoja Metën që inauguronte hotelin e Balilit në Sarandë, Gjiknurin tek inaugurimi i Gulf-it, Berishën te CNN-i i Ulajt, pale pastaj Edi Ramën që s’lë inaugurime të tilla pa marrë pjesë, që madje ka shpikur edhe kategorinë e tiranozaurëve gjeninj duke u venë emra tiranozarësh edhe rrugëve. Apo, se harrova, edhe krejt Parlamentin, që para disa vjetësh u ngrit i gjithi në këmbë e mbajti një minutë zi kur një drogozaur i njohur mbeti i vrarë në luftën midis llojit.
Metafora, siç e kam artikuluar, ka prapë disa kufizime të rëndësishme. Ajo e ka vështirë t’i japë përgjigje atyre që mund të më thonë: ku duhet t’i fusim Sali Berishën, Fatos Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën te shkencëtarët apo te dinozaurët, te shërbëtorët apo padronët? Po intelektualët shqiptarë, a nuk janë po ata “qen roje” të pushtetit që shërbenin kështu edhe në kohën e primatit të politikës mbi ekonominë? “Gjej më mirë një metaforë tjetër zoti autor ose korrigjoje!”, më thotë zëri i këtyre kritikëve.
Duke u përpjekur ta korrigjoj e ta zhvilloj, në fillim mendova se ndoshta duhet të fus në metaforë edhe elementin seksual ku çiftëzimi i dinozaurëve me humanë prodhon metisë apo edhe humanë me kokë dinozauri apo dinozaurët dhe kokë humani si puna e minotaurëve apo centaurëve. Pastaj mendova se ndoshta do të isha më afër të vërtetës nëse do të përdorja metaforën e dramës “Rinoçeronti” të Ioneskos ku asistojmë në procesin e kthimit të humanëve në rinoçerontë, me skena ku humaneve fillojnë t’u dalin brirët në ballë. Sipas këtij versioni, pas marrjes së pushtetit nga dinozaurët, në parkun tonë fillon kthimi i humanëve në dinozaurë duke arritur deri në erën rilindëse të dominimit të drogozaurëve mbi tiranozaurët.
Por, prapë, në këtë pikë më del një vështirësi.
Po u kthyen të gjithë në dinozaurë, atëherë ku do t’i gjejnë këta humanët e thjeshtë që t’i përdorin si skllevër, por edhe humanët shumëgjuhësh me tituj profesorë e doktorë që t’i përdorin si shërbëtorë nëpër ministrira e punë administrative të rëndomta, por edhe shkrimtarët e gazetarët e artistë e këngëtarët, që t’i përdorin për propagandë; po diplomatët nga do t’i nxjerrin pastaj? Ku ta fusim Milva Ikonomin që inauguron “Privilegjin” e drogozaurit me emrin e valëve të lumit tonë më të madh, Drinit?
Hm, nuk është e lehtë. Por, ndoshta e gjeta.
Metafora i afrohet më shumë së vërtetës, nëse pranojmë me hidhërim se në parkun tonë janë kthyer të gjithë në dinozaurë, por se nuk janë të gjithë njëlloj. Ka një hierarki si në trup si në fuqi që i bën disa padronë e të tjerë shërbëtorë, por, sipas pasurisë dhe pushtetit, këta mund të jenë padronë të atyre më poshtë dhe shërbëtorë të atyre më lart. Ja, ky do të ishte një variant më i mirë – thashë ne vete – përndryshe do më duhet t’i kthehem asaj metaforës së librit “Planeti i majmunëve”.
Poshtëshënim: mbrëmë pasi kisha arritur në këtë pikë të shkrimit, s’po më punonte më imagjinata dhe rashë të fle. Në gjumë mu bë vetja sikur isha duke vazhduar shkrimin, por ndërkaq po shndërrohesha në një tiranozaur. Dhe shenja e parë që vura re ishte se më kishin dalë luspa në trup dhe ndjeva një shndërrim të gishtave të duarve me të cilët po shkruaja në tastierën e kompjuterit. Në fillim ato filluan të më mpihen, pastaj m’u zhduk gishti i vogël, pastaj ai i unazës dhe më në fund ai i mesit. Nga me pesë gishta duart m’u bënë vetëm me dy gishta, i madhi dhe treguesi, që filluan të rriten e të bëhen siç i kanë duart tiranozaurët: me dy gishta që i përdorin në formë dare për të mbërthyer, e shkulur, e mbytur pretë e tyre.
Dhe teksa ato bëheshin gjithnjë e më të mëdhenj m’u shpif Edi Rama nga prapa shpine shumë herë më i madh e më i fuqishëm se unë, që kishte varur kokën e tij me gojë të madhe pa veshë dhe gjithë luspa dhe po lexonte me sytë që lëshonin xixa çfarë po shkruaja. Në një moment tha: “Në kazan, në kazan!” dhe menjëherë u shfaq ministri i Brendshëm Lleshi që i tha: “Si urdhëron shef!” dhe më kapi me darën gjigante të të dy gishtave të tij gjithë luspa dhe, teksa unë përpëlitesha i pafuqishëm duke i folur se po shkelnin të drejtat e njeriut, më rrasi në kazanin e plehrave të padiferencura të lagjes duke i thënë shefit të tij që po gajasej: “Edhe ky e paska marrë vesh që koha e humanëve ka mbaruar, por s’po e lemë të shndërrohet”.
Në momentin që po më mbyllte kapakun, më zuri syri Milva Ikonomin që nën qepallat e mbuluara me luspa më hodhi një shikim gati human, sikur t’i kishte mbetur diçka nga koha kur punonim së bashku për të drejtat e njeriut. U zgjova i tmerruar dhe akoma nuk jam i sigurt nëse jam një njeri që pa ëndërr sikur po kthehej në dinozaur, apo jam një dinozaur që po sheh ëndërr sikur është njeri. /Panorama/
Discussion about this post