Në këto rrethana, me nismën e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (KMKK), në tokat e pushtuara shqiptare u arrit besëlidhja shqiptare për një kryengritje të përgjithshme në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav, që ndryshe njihet si “Lëvizja Kaçake”. Burimet policore e ushtarake jugosllave vinin në dukje se në krye të kësaj lëvizjeje qëndronin atdhetarët dhe ushtarakët e mirënjohur shqiptarë.
Nga prag të mbarimit të Luftës së Parë Botërore tokat shqiptare u pushtuan nga trupat ushtarake të fuqive fitimtare. Shqipëria e Mesme dhe një pjesë e madhe të veriut u pushtua nga trupat italiane, zona e Korçës mbahej nën pushtimin e trupave franceze, ndërsa trupat serbe, krahas Kosovës dhe krahinave lindore shqiptare, e pushtuan edhe Dibrën, Lumën dhe Hasin. Ripushtimi i këtyre tokave nga ushtria serbo-malazeze, përkatësisht ajo e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (MSKS-së), ishte rrjedhojë e Traktatit të Fshehtë të nënshkruar më 25 prill 1915 në Londër midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane. Sipas pikës 5 të Traktatit, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri e deri në derdhjen e Drinit në jug, përfshirë Shëngjinin, do t’i kalonte Serbisë dhe Malit të Zi.
Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK) nga Shkodra njoftonte pa ndërprerë për krimet dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze në Kosovë, Maqedoni e në krahinat tjera shqiptare. Për rrjedhojë, me dhjetëra mijëra banorë shqiptarë qenë detyruar t’i lëshonin vatrat e tyre për t’u strehuar në vende më të sigurta. Vetëm nga krahinat e Rugovës, Plavës e Gucisë, rreth 15.000 shqiptarë (shumica pleq, gra e fëmijë), për shkak mizorive të sipërpërmendura, ishin detyruar t’i lëshonin vatrat e tyre për t’u vendosur në Shkodër e në Malësi të Gjakovës.
Krimet, masakrat dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze, asaj kohe, u shtrinë edhe në viset e tjera të pushtuara shqiptare, si në Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Sanxhak etj. Korrespodenti i luftës i një gazete daneze, i cili nga Shkupi i telegrafonte një korrespodentit tjetër me emrin “Zigt Frederiko Man Bones”, persekutimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në krahinat e Shkupit, Kumanovës e të Prishtinës i përshkruante si më poshtë: “Taktika luftarake e Serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakrimi të përgjithshëm shum të tmerrshëm. Ushtrija po plotëson nji luftë shkatrimtare shum barbare. Simbas kallzimevet të ushtarëve e të oficerëve ndërmjet Kumanovës e Shkupit kanë vra 3000 shqiptarë e në rrethet e Prishtinës 5000 shqiptarë. Katundet shqiptare aneve e rrethit janë djegë krejt. Populli po gjurmohet ndër shtëpit e veta edhe po i vrasin si mijt… Dje tridhjet e gjashtë shqiptarë pa i gjykue u dënuen me vdekje edhe me nji herë u pushkatuen. Nuk ka ditë qi mos të bahen krime shum mizore kundër shqiptarëvet. Dje më thirri nji oficer Serb qi të merrsha pjesë në masakrimin e nji njeriut të tillë; e në këtë kohë më tha si për lëvdatë se ka vra me dorë të vet nandë shqiptarë”.
Në krahinat e pushtuara, krahas administratës së dhunshme civile, u themelua edhe një këshill me emrin “Këshilli i shqiptarëve të organizuar”, në krye të të cilit qëndronin disa mercenarë (esadistë), si Imer Efendia, Halit Lleshi, Taf Kaziu, Alush aga i Lumës etj. Në kuadër të këtij këshilli u formuan njësi të xhandarmërisë mercenare shqiptare, që ndryshe njiheshin si “batalionet e shqiptarëve të organizuara”, të cilat qenë nën patronazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të MSKS-së, përkatësisht të konsullit të saj në Dibër, Nikolla Jovanoviq. Të tilla batalione u formuan dy në Dibër nën komandën e Halit Lleshit dhe të Tafë Kaziut, si dhe një në Lumë, i cili drejtohej nga Alush Aga i Bicajve. Ndër këta batalione besueshmëri më të madhe tek autoritetet politike e ushtarake serbe pati batalioni që udhëhiqej nga Halit Lleshi. Përkundër disa informatave që arrinin në Beograd, se gjoja mirëmbajta e mëtutjeshme e batalionit “përbën rrezik potencial për rendin dhe sigurinë në front”, përkatësisht se udhëheqësi i tij, Halit Lleshi, “kryen eksploatimin e pasinqertë” dhe se “pasurohet në llogari” të shtetit të SKS-së, tërë këtë e hodhi poshtë komandanti i Armatës III, i cili përmes një letre kërkonte nga Ministria për Punë të Jashtme që batalioni i Halit Lleshit jo vetëm se nuk duhej të çarmatosej, porse i njëjti duhet të shpërblehej: “…Te batalioni i Halit Lleshit nuk mbisundon çrregullimi dhe jodisiplina, sikurse pohojnë raportet. Batalioni i Halitit jo vetëm se nuk duhet çarmatosur e të konsiderohet si i rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në front, por se duhet shpërblyer dhe të pranohet haptazi besueshmëria, lojaliteti dhe gatishmëria që me urdhrin tonë të futet menjëherë në aksion dhe të njëjtin ta kryej me dëshirën më të madhe. Në këtë pikëpamje batalioni i Halitit është më i mirë dhe më i sigurt se të tjerët, sepse nuk ka tradhtuar, siç është rasti me batalionin e krahut të djathtë. Me qëndrimin dhe punën e tij Halit Lleshi i ka demantuar të gjitha akuzat e rrejshme e të paarsyeshme…”.
Ndërkohë, trupat ushtarake të MKSS-së, në verë të vitit 1919, i pushtuan edhe krahinat Gash, Krasniqe, Nikaj, Mertur, Kelmend dhe Theth, me çka thuajse një e katërta e Shqipërisë londineze ra nën pushtimin e tyre.
Në këto rrethana, me nismën e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (KMKK-ë) në tokat e pushtuara shqiptare, u arrit besëlidhja shqiptare për një kryengritje të përgjithshme në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën pushtimin jugosllav, që ndryshe njihet si “Lëvizja Kaçake”. Burimet policore e ushtarake jugosllave vinin në dukje se në krye të kësaj lëvizjeje qëndronin atdhetarët dhe ushtarakët e mirënjohur shqiptarë, si: Bajram Curri, Hysni Curri, Azem Bejta, Sadik Rama, Beqir e Musli Smajli, Adem Bulku, Elez Isufi, Dan Cami, Miftar Kaloshi, Osman e Zenel Lita, Islam Spahia, Arif e Ibish Metaj, Kalosh Dani, Jetish Budakova, Adem Reçaku, Ukë Sokoli, Selman Oruçi, Kol Delia, Idriz Seferi e shumë të tjerë.
Po këto burime, gjatë muajve tetor-dhjetor 1919, njoftonin pandërprerë për kryengritje të shumta të shqiptarëve në krahinat e pushtuara shqiptare. Më 6 nëntor 1919 Komiteti i MKK-së e njoftonte prefektin e Shkodrës, Ali bej Kosturin, se forcat shqiptare kanë arritur t’i çlirojnë krahinat Nikaj, Mertur e Krasniqe dhe se luftime të ashpra po zhvillohen kah Qafa e Morinës. “…Në kioftë se serbët bajën inad për mos me i lëshue kufiët e Londonit lufta mundet m’u zgjatë e m’u përhapë me të shpejtë kah rrafshi i Pejës, Gjakovës e Prizrenit…”.
Për rrjedhojë, më 23 dhjetor kryengritja u përhap edhe në krahinat e Hotit e të Grudës, ku forcat shqiptare, pas një sulmi të shpejtë e të befasishëm, arritën t’i çlirojnë dy krahinat shqiptare. Kjo kryengritje, siç thuhej në informatën e 30 dhjetorit të Komandës së Armatës II të MSKS-së, ishte përgatitur dhe ndihmuar nga trupat italiane.
“Më datë 23 dhjetor rreth orës 14,00 një numër më i madh i shqiptarëve dhe të kaçakëve nga Kastrati kanë kryer sulm në frontin Hani i Hotit – fshati Brixhë, ndërsa në sektorin e njëjtë, sulm pas shpine kanë kryer shqiptarët e Hotit e të Grudës. Numrin më të madh të ushtarëve e kanë eliminuar, vrarë dhe i kanë zënë rob. Majorin Radiq i cili ka qenë në fshatin Brixhë e kanë dërguar në Kastrat. Kryengritja e Hotit dhe Grudës ka qenë e përgjithshme, ndërsa e kanë ndihmuar edhe italianët”.
Ushtria e MSKS-së, e pajisur me armatim të rëndë, më 24 dhjetor, pas një beteje të përgjakshme dhe të pabarabartë, arriti sërish ta pushtojë Hotin dhe Grudën, i cili ripushtim u përcoll me vrasje masive të popullsisë shqiptare. Të indinjuar nga kjo sjellje barbare, një numër i madh i popullsisë së këtyre dy krahinave, të cilët kishin arritur të shpëtonin nga krimi dhe gjenocidi serb-madh, më 25 dhjetor, të ndihmuar edhe nga banorët e Kastratit, në fshatin Brixhë i sulmuan trupat jugosllave, të cilat me humbje të mëdha në njerëz u detyruan të tërhiqen kah Tuzi, duke lënë në duart e kryengritësve shqiptarë tre topa kodrinorë, katër mitraloza dhe një numër të konsiderueshëm të armatimit të lehtë e të municionit.
Udhëheqja e MSKS-së shpresonte Konferenca e Paqes në Paris do të vendoste pro marrëveshjes së fshehtë të Londrës, me çka – siç u tha më lart – thuajse e tërë Shqipëria Veriore i jepej Serbisë. Mirëpo, kjo shpresë u shua kur delegacioni i SHBA-ve në Konferencën e Paqes, i udhëhequr nga vet presidenti Wilson, në mënyrë të qartë e të prerë e kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë. Ministri i Jashtëm i MSKS-së, Trumbiq, më 21 shtator të vitit 1919 u deklaroi anëtarëve të qeverisë së tij se SHBA-të e kundërshtojnë copëtimin e Shqipërisë dhe kërkojnë që për një kohë të caktuar një mandat ndërkombëtar për udhëheqjen e saj: “…Nevojitet një maturi ndaj çështjes së Shqipërisë. Lidhur me Shqipërinë vet amerikanët e kanë parë se është e paaftë të jetojë dhe të udhëheq me vetveten. Meqenëse ata e kundërshtojnë ndarjen e saj, atëherë vetvetiu shtrohet pyetja rreth mandatit për udhëheqjen me Shqipërinë. Për këtë nuk është e interesuar Anglia, e as Franca, ndërsa këtë e dëshiron Italia, prandaj tash për tash mundësitë janë shumë të mira për Italinë, megjithëse ne këtë e kundërshtojmë dhe bëjmë gjithçka për ta penguar…”
Dy ditë më pas, Trumbiqi theksoi se delegacioni i qeverisë së SKS-së në Paris, në bisedimet e zhvilluara me përfaqësuesin e delegacionit të SHBA-ve, Xhonson, është dakorduar që “Shqipëria të mos preket territorialisht”, me përjashtim –siç shprehet ai – “të disa përmirësimeve kah ne”. E në rast se “i jepet mandati ndonjë shteti, atëherë neve (jugosllavëve – Q.L.) duhet të na jepet Shqipëria Veriore”.
Ndërkohë, me insistim të Fuqive të Mëdha, në radhë të parë të Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve, delegacionit jugosllav në Paris iu kërkua ta nënshkruajë sa më parë Konventën për Minoritetet. Lidhur me këtë, ministri Trumbiq, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur më 18 tetor 1919, bëri të ditur se përfaqësuesit e Francës, Anglisë dhe Amerikës para do dite “kanë kryer demarsh që marrëveshja të nënshkruhet sa më parë” dhe se është informuar se “një Fuqi tjetër e Madhe” vepron që Konferenca e Paqes të kryejë edhe një demarsh tjetër të ashpër ndaj delegacionit jugosllav, që sa më parë ta nënshkruajë Konventën. Në mbledhje u kërkua që në Konventë “të mos përfshihen Maqedonia dhe Kosova”, sepse – sipas ministrit Drashkoviq – “me këtë do të ruhet paqja në Ballkan, sepse atje vlon agjitimi i komitëve bullgarë dhe i kaçakëve shqiptarë…”. Në fund u soll konkluzioni me të cilin u kërkua që në kuadër të marrëveshjes së minoriteteve “të mos përfshihet territori i ish Mbretërisë së Serbisë…”, që nënkuptonte se shqiptarët dhe bullgaro-maqedonasit të përjashtoheshin nga të drejtat që ua mundësonte Konventa e minoriteteve.
Në mbledhjen e njëjtë, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, u vendos që organet policore e të xhandarmërisë, për një kohë të caktuar, t’i ndërpresin të gjitha masat represive në ato krahina ku vepronin anëtarët e Lëvizjes Kaçake. Në vend të kësaj u vendos që në ato krahina “të shkohet drejt paqësimit” me kaçakët dhe, me propozim të autoriteteve policore, atyre “t’u premtohet” se nuk “do të implementohet dënimi me vdekje e as që do të dërgohen para gjyqit” të gjithë ata të cilët dorëzohen brenda një kohe të caktuar.
Mbajtja e Kongresit të Lushnjës (21-31 janar 1920), ku siç dihet rol të rëndësishëm si në organizimin e tij, ashtu edhe vendimet e dala nga ai kuvend kombëtar pati Komiteti i MKK-së, i tronditi thellë qarqet e atëhershme politike, ushtarake e diplomatike të Beogradit. Konsulli serb në Dibër, Nikolla Jovanoviq, e nxiti të ashtuquajturin “Këshillin e Shqiptarëve të Organizuar” për mbajtjen e një kongresi të ngjashëm si ai i Lushnjës. Ky farë kongresi do të mbahej jashtë kufijve të shtetit shqiptar, përkatësisht në Dibër të Madhe ose në ndonjë krahinë tjetër shqiptare nën pushtimin jugosllav. Në kuadër të kësaj fushate, çuditërisht asaj kohe, u përfshi edhe Halim bej Deralla, i cili atëherë e mbante postin e kryetarit të rrethit të Gjakovës. Ngjashëm si “Këshilli i Shqiptarëve të Organizuar”, edhe Deralla u angazhua për thirrjen e një kongresi “mbarëshqiptar”, në të cilin do të merreshin “vendime për të ardhmen e Shqipërisë”. Këtë ide ai e shpalosi në letrën dërguar parisë shqiptare të Shkodrës e të Durrësit, ku si vend më “të sigurt” e propozonte Malësinë e Gjakovës, që asaj kohe gjendej e pushtuar nga ushtria serbo-malezeze. Letra që titullohej “Kryesisë së shenjtë të Kuvendit Kombëtar – Durrës” e kishte këtë përmbajtje:
“Bashkatdhetarë!
Duke u mbështetur në besimin e plotë të atyre deklaratave dhe premtimeve për një drejtësi të plotë të Amerikës dhe Evropës, zemrat tona ishin të mbushura me plot shpresë dhe besim se më në fund edhe kombi ynë i mjerë shqiptar do ta fitoj lirinë dhe pavarësinë e vet, kështu që, askush nga ne as që ka mund të paramendoj ndryshe.
Mirëpo, lajmi për ndarjen e atdheut tonë të mjerë, shpërtheu si vetëtima nga qielli i kthjellët, saqë edhe ne u gjendëm të stresuar, nga frika dhe droja tepër e madhe për atdheun tonë.
A ka mundësi të mos jesh i dëshpëruar – kur e sheh qartë sikur dita, se ato egërsira të kulturuara, të cilët tërë botës u kanë premtuar paqe dhe qetësi të kryejnë asi krimi dhe egërsie, duke kërkuar shpërbërjen e kombit shqiptar njërit ndër kombet më të vjetra dhe më fisnore të banuar në Gadishullin Ballkanik të pambrojtur.
Përndryshe, rrethanat janë të njohura, që dëshmohen edhe kësaj radhe, që kombet duhet të mbështeten në të drejtat dhe forcat e veta, pasi askush nuk vjen në ndihmë nga mëshira. Nëse zgjidhja ngelet te fuqitë e mëdha të cilat nga kombet e vogla dëshirojnë të krijojnë lojëra të fëlliqura për vetveten, kjo çështje për ne ka mbaruar dhe ne jemi zhdukur, saqë më asnjëherë nuk do të mund të vetëdijesohemi, bashkohemi dhe ta sigurojmë pavarësinë tonë, sepse neve na copëtojnë në favor të fqinjëve tanë grabitqar.
Çfarë qëndrimi duhet të marrim ne ndaj një fatkeqësie të këtillë? A do të futemi në zgjedhën barbare të armiqve tanë apo me çmimin e derdhjes së gjakut do të ecim në rrugën e paraardhësve tanë, me qëllim të çlirimit të vendit tonë, i cili na ka ngelur si amanet, në mënyrë burrërore, duke ua bërë me dije të gjithëve, dhe duke ndërmarr masa sa më të logjikshme e sa më politike.
Nëse nuk mashtrohemi, nata e errët dhe e kobshme është e pashmangshme, dhe nëse nuk ndërmarrim masa urgjente, atëherë agimi i pashmangshëm do të na sjell palakmi, hidhërime dhe dëshpërime të shumta. Prandaj nevojitet, të mendojmë për mjetet, të cilat duhet t’i ndërmarrim që të mund ta pengojmë tradhtinë e madhe e cila po na vjen furishëm dhe së shpejti do ta kemi në prag.
Sipas proverbit popullor ‘i mituri të kapet për gjarpri”, mjeti ynë i vetëm i shpëtimit, në të cilën mund të mbështetemi, me siguri se është parimi ‘Ballkani i ballkanasve’, prandaj neve na ngel vetëm kjo pikë parimore, që në marrëveshje me Jugosllavinë ta zgjedhim rrugën, mënyrën dhe interesin e përbashkët.
Në pamundësi të luftojmë kundër të gjithë armiqve të cilët neve na kanë rrethuar nga të katër anët. Për këtë nuk kemi fuqi. Evropës nuk arritëm t’i dëshmojmë edhe pse ia paraqitëm dhimbjet tona, pas të gjitha ato masa të ndërmarra, dëshmive dhe ankesave të parashtruara për ndihmë, ajo, jashtë nderit të saj, edhe më shumë e shihte të arsyeshme të mos i merr parasysh kërkesat e kombit tonë me rastin e zgjidhjes së fatit të tij. U shua çdo shpresë e shpëtimit, që është pritur nga ne. Shqipëria po copëtohet. Në atë mënyrë ndërpritet çdo shpresë për një të ardhme më të mirë të kombit tonë, i cili edhe ashtu është në nivelin e ulët shkencor në shekullin i tij të sotshëm kulturor. Në mënyrë të veçantë, Kosova shqiptare myslimane është shlyer nga harta botërore. Që kësaj t’i gjendet ilaçi, duhet ta shfrytëzojmë situatën politike të Jugosllavisë, e cila nuk është aq e favorshme për të. Besojmë, se nëse sot nuk mund të bëhet e pavarur, ka mundësi që i tërë Arnautllëku, i bashkuar përmes privilegjit të përfituar, në të ardhmen do të mund ta ruaj gjuhën, kombësinë dhe shkollat e veta. Është e pakontestueshme se është më mirë të arrish marrëveshje me një shtet dhe të jetosh si komb në paqë dhe besim, se sa të shpërbëhesh në tërësi.
Bashkatdhetarë!
Nëse ju keni njohuri për ndonjë model më të mirë se ky, për ne do të jetë aq më mirë. E nëse është pushtuar e tërë Kosova, ne megjithatë duke iu lutur Zotit për Atdheun tonë do ta vlerësojmë përpjekjen tuaj, e nëse vjen deri te ne, nuk do ta kursejmë mundin. Mirëpo, ju lutemi, ora është dymbëdhjetë. Duke e mashtruar vetveten të mos thellohemi në idealizëm. Të mendojmë për të mirën e kombit dhe nëse ne nuk bëjmë përpjekje, për vendosjen e gurthemelit për gjeneratën tonë të ardhshme dhe për të mirën e kombit, prandaj, nëse ju nuk dispononi me ndonjë mjet, për çka ne pësojmë, e madje sipas informatave tona të marra, jeni të pafuqishëm të organizoni ndonjë tubim mbarëkombëtar, përkatësisht, nëse për këtë qëllim te Ju nuk ka mundësi, ja po ua ofrojmë Malësinë e Gjakovës për mbajtjen e një kongresi të përgjithshëm dhe aty të vendosim për mjetet e ekzistencës sonë.
U bindi Juve, se nga ana e shtetit (jugosllav), se askujt nga ju nuk do i dhemb koka, madje cilido që të vij në këtë tubim. Në këtë mënyrë ekziston mundësia për dhënien e një grushti kundër paramendimeve tradhtare të Evropës, e cila shkel mbi gjakun e pafajshëm. Edhe ne një herë, ta luajmë rolin tonë politik, qoftë kjo edhe me një shtet të vogël.
Ja vëllezër mjeti i fundit dhe për mendimin tonë i përshtatshëm. Ka shumë të vërteta që nga kjo anë të ndihmohemi në mënyrë shumë të sinqertë dhe ju për këtë të mendoni dhe nëse vendosni që të vini këtu, menjëherë, mos humbni kohë, ejani në tubim në Malësi. Të shpejtojmë për të sjell vendim dhe do ta shohim se çfarë ndikimi do të ketë Marrëveshja e fshehtë e Londrës e vitit 1915 për një komb i cili ka vendos të vdes.
Me padurimin më të madh e presim përgjigjen”
Duhet të vëmë në dukje faktin se kjo letër e Halim bej Derallës erdhi si rrjedhojë e një marrëveshjeje të arritur paraprakisht midis Partisë Radikale Serbe dhe deputetëve të Xhemijetit lidhur me hapjen e të ashtuquajturave “shkolla fillore myslimane” në Kosovë, Maqedoni e Sanxhak, si dhe një “Shkollë Normale Myslimane” në Shkup. Është më se e qartë se një marrëveshje e tillë përbënte një mbulesë për Nikolla Pashiqin dhe klikën e tij serbomadhe, që para Fuqive të Mëdha ta proklamojnë, gjoja, “plotësimin e të drejtës së shkollimit në gjuhën amtare” të shqiptarëve, të paraparë me Konventën për minoritetet, edhe pse sipas formulimit të saj, shqiptarëve nuk u garantohej shkollimi në gjuhën amtare. Përkundrazi, në pikën 2, paragrafi 2 të marrëveshjes thuhej: “Si në shkollat e para, ashtu edhe në të dytat, gjuha serbo-kroate do të jetë lëndë e obliguar”. Nuk është e qartë as formulimi i pikës së fundit të marrëveshjes ku thuhet: “Në Shkup të hapet një Shkollë Normale Myslimane me shpenzime shtetërore”. Në fakt, Qeveria e Mbretërisë së SKS-së në vitin 1925 e hapi një shkollë të mesme në Shkup, por ajo nuk ishte shkollë normale, siç parashihej në marrëveshjen paraprake, por shkollë fetare, përkatësisht “Medresenë e Madhe”, e cila financohej nga buxheti shtetëror, në të cilin numri i nxënësve të regjistruar e të diplomuar shqiptarë përgjatë tërë kohës sa ka funksionuar (1925-1941), ka qenë tepër simbolik.
Në përmbyllje të këtij punimi e pashë të arsyeshme që ta shpalosë fjalimin e Nikolla Pashiqit (pjesën kushtuar Shqipërisë), të mbajtur në seancën XX të rregullt të Kuvendit Kombëtar, e cila u mbajt më 22 janar të vitit 1922, ku ai në mënyrë të qartë e pa hezitime i shpalos synimet dhe tendencat e tij e të qeverisë së tij për copëtimin e Shqipërisë, përkatësisht pushtimin e pjesës së saj veriore, duke filluar nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913 në Londër e deri te pranimi përfundimtar i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në vitin 1921:
“…Zotërinj, sa i përket kufirit tonë me Shqipërinë është e domosdoshme që paraprakisht të bëj një përshkrim të shkurtër historik të marrëdhënieve tona me Shqipërinë, që të mund të shihet se nuk kemi as çfarë faji nga politika që e kemi udhëhequr në lidhje me shqiptarët. Gjatë kohës së negociatave rreth Shqipërisë, kjo ka qenë në vitin 1913, ne e kemi shtruar edhe pikëpamjen tonë, e cila ishte shumë e rëndësishme, mirëpo që ta kuptoni më mirë se si rrodhën çështjet, më lejoni ta shihni se si rrodhi çështja shqiptare. Gjatë kohës së luftës ballkanike, ju e dini se ekzistonte marrëveshja midis neve dhe Bullgarisë në atë, se nëse ajo luftë shkon në favorin tonë, që ne përmes Shkodrës të dalim në detin Adriatik. Kjo ka qenë marrëveshja jonë me Bullgarinë dhe, për fat të keq, ajo marrëveshje nuk u realizua për shkak se për atë çështje Bullgaria refuzoi të na ndihmonte neve. Mirëpo, më vonë u pa se përse nuk ndodhi ajo. Asaj iu kundërvu Austria e, përveç saj, edhe Italia. Këto fuqi, gjatë kohës së Konferencës së Londrës, arritën që me forcë ta krijojnë Shqipërinë dhe atëherë Shqipëria u krijua siç kanë insistuar Austria dhe Italia. Në këtë mënyrë na u pengua dalja në det. Ajo që u pengua aty, u mendua se është një pengesë e jonë momentale, mirëpo më vonë u pa, posa fuqitë e mëdha e zgjodhën princ Vidin për princ të Shqipërisë, se tendenca ka qenë që Serbisë mos t’i lejohet dalja në det.
Që të pamundësohet në të ardhmen dalja e Serbisë në det përmes Shkodrës, është arritur një marrëveshje e fshehtë midis Austro-Hungarisë dhe Italisë, me të cilën i kanë ndarë fushat e interesit dhe është paraparë se nëse nuk do ta arrijnë këtë ose në rast rreziku, që të mund ta ndajnë midis veti atë territor, në atë mënyrë që veriu t’i takojë Austro-Hungarisë, ndërsa jugu Italisë. Zotërinj të nderuar, kjo është dëshmia se çështja e Shqipërisë u bë një çështje evropiane. Për këtë arsye, kur shpërtheu lufta, kjo Luftë e Madhe (Lufta e Parë Botërore- Q.L.), ne jemi kujdesur se si të sillemi dhe si të sigurohemi nga ajo anë, sepse Austro-Hungaria, e cila e filloi luftën kundër nesh, asaj kohe bënte përpjekje që ta nxiste Shqipërinë kundër nesh, mirëpo për këtë çështje u përplasën edhe interesat e Italisë. Kur Vidi arriti, thuajse pa asnjë përpjekje më të madhe për ta sulmuar Serbinë, erdhi edhe Esat Pasha, i cili ishte ministër i parë i princ Vidit, i cili ishte i matur e të cilin e përshëndeti e tërë Shqipëria si bashkëvendasin e tyre dhe u tubuan rreth tij. Ai e ndërmori politikën e cila për mendimin tim ishte e dobishme edhe për Shqipërinë edhe për ne, përkatësisht politikë e cila mbështetej në parimin ‘Ballkani i ballkanasve’. Ai kërkoi që Shqipëria të jetë e pavarur dhe nëse ne dëshirojmë, mund të futemi në një union real, përkatësisht që shteti ynë të futet në një union real – të kemi një doganë të vetme, një ushtri të vetme e të tjerat t’i lihet secilit shtet të veprojë lirshëm ashtu siç dëshiron. Sa u përket kufijve, kjo iu la vet populli të deklarohet se a do të na bashkëngjitet neve apo atyre, përkatësisht për ato fise të vogla të cilat shtrihen nëpër male. Në këtë mënyrë u arrit marrëveshja dhe mbi atë marrëveshje ne kemi qëndruar gjatë tërë kohës së negociatave në Paris, por edhe më pas i kemi ngelur besnikë asaj marrëveshjeje. Sa i përket marrëveshjes, e cila nuk është zbatuar dhe realizuar, ndërsa këtë mund t’ia përshkruajmë edhe Marrëveshjes së dytë të Londrës të vitit 1915, e cila asaj kohe e mbronte parimin e ndarjes së Shqipërisë, e në lidhje me këtë ekzistonte një përplasje, për shkak se në atë kohë, gjatë tërë kohës së negociatave për paqe, Esat Pasha herë është konsideruar si aleat e herë si jo aleat. Tërë kjo lidhej me vendimin e çështjes shqiptare dhe me vendimin e çështjes së Adriatikut. Ne, gjatë kohës së negociatave, qëndronim në pikëpamjen që ne ta ndihmojmë pavarësinë e Shqipërisë, por pa kurrfarë koncesionesh të tjera për shtetet e huaja, të cilat do të mund të merrnin pozita të tilla në Shqipëri, që nga atje do të mund ta orientonin politikën ashtu siç e orientonte Austria ndaj shteteve ballkanike. Ne kemi qenë për Shqipëri të pavarur, por të ngelet në tërësi brenda në kufijtë e vet. Ne për këtë e kemi ndihmuar sinqerisht me atë që asaj kohe kemi punuar dhe kemi ngelë konsekuent edhe në pikëpamjen që kemi mbetur edhe tani që Shqipërinë mund ta pranojmë si shtetin tonë fqinj e mike nëse ajo bëhet e tillë për vetveten.
Ne qëndronim në atë pikëpamje që qëndrojmë edhe tani, që Shqipëria duhet të bëhet e pavarur. Por çfarë ndodhi më pas? Zotërinj, ndodhën ngjarje të cilat nuk janë të qarta e të cilat mund të komentohen kështu ose ashtu. Në Shqipëri u krijuan disa qeveri, për të cilat nuk dihet sesi u krijuan dhe si ranë dhe më pas ndodhi që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve, përkundër faktit se nuk e kishte pranuar asnjë shtet. Pra, ndodhën disa gjëra, të cilat nuk ishin të qarta e të cilat do të sqarohen më vonë, por të cilat sot mund të komentohen në një mënyrë ose në mënyrë tjetër. Ndodhën ngjarje, të cilat qeverinë shqiptare e drejtuan kundër nesh!
Kur u vendos që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve, atëherë qeveria shqiptare mendoi se ajo është e thirrur t’i mbrojë kufijtë, të cilët qenë përcaktuar në Marrëveshjen e Londrës së vitit 1913 dhe ajo filloi këtë ta zbatojë. Mirëpo, zotërinj të nderuar, qeveria shqiptare menjëherë hasi në një rezistencë në Mirditë, me çka i dështuan planet. Ajo, gjithashtu, veproi me çetat e veta edhe ndaj kufitarëve tanë, të cilët i mbronin pozitat të cilat i patëm marrë që nga koha e luftës e të cilat nga ana e aleatëve tanë janë pranuar si kufij të përkohshëm, përderisa nuk përcaktohen kufijtë e përhershëm. Nisur nga kjo, ne nuk patëm mundësi të duronim që rojet tona kufitare të dëboheshin nga pozitat tona, prandaj urdhëruam përforcimin e kufitarëve tanë dhe shqiptarët t’i dëbonim nga pozitat tona. Ashtu edhe u veprua. Por, zotërinj, politika e cila vepronte fshehtas, menjëherë e njoftoi Lidhjen e Kombeve sikur ne jemi nisur me një ushtri aq të fuqishme, saqë do ta pushtonim tërë Shqipërinë, se ushtria jonë e ka pushtuar Oroshin dhe se është nisur për Tiranë. Kjo i dha shkas (një votë: Aleatëve tanë!) qeverisë angleze, e cila e mbronte qëndrimin se Shqipëria duhet mbrojtur nga ndarja, që ta ftojë shtetin tonë para Lidhjes së Kombeve dhe ne të mbronim një farë politike agresive, e cila shkonte në atë që të pushtohet Shqipëria. Kur delegatët tanë shkuan atje, u konstatua se ajo nuk është e vërtetë dhe se duhet ta ruanim status quo-në; se duhet të ngelim me një disponim miqësor njëri ndaj tjetrit dhe se do të përcaktohet komisioni i cili do t’i definojë kufijtë midis neve dhe atyre, ndërsa parimisht të pranohen ata kufij të cilët i ka definuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me atë që të tërhiqen të dy ushtritë në linjën e demarkacionit të përcaktuar si zonë neutrale. Ashtu edhe u veprua! Ndërkaq tash sërish kemi një shpifje, se gjoja ne kemi mobilizuar 80.000 ushtarë dhe sërish dëshirojmë ta pushtojmë Shqipërinë. Këto, zotërinj të nderuar, janë shpifje, të cilat mund ta mashtrojnë opinionin publik, të cilat më pas bien vetvetiu (Zëra: shpifjet e kujt janë ato? Etbin Kristan: Ne mund të themi se janë italiane).
Pra, tash çështja qëndron kësisoj. Ushtria jonë është tërhequr nga linja e përkohshme e demarkacionit e gjithashtu edhe ushtria shqiptare, nëse ajo mund të quhet ushtri. Tash pritet të del një komision ndërkombëtar, i cili do ta shqyrtojë kufirin dhe do të bëj përmirësime në të. Ato përmirësime vetëm se janë paralajmëruar. Ne mund të kënaqemi me atë kufi i cili është definuar me Marrëveshjen e Londrës të vitit 1913. Mirëpo, nëse Komisioni dëshiron të bëjë aso përmirësime të cilat janë të nevojshme për shkak të asaj popullsie e cila ka paralajmëruar pakënaqësi për shkak të tërheqjes së kufirit në mënyrë mizore, pra nëse dëshiron ta kryejë këtë që është edhe në interesin e vet, ne mund ta pranojmë. Atë përkufizim tash do ta kryejë ai komision ndërkombëtar, i cili është caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve që ta kryejë në vendngjarje.
Zotërinj të nderuar, më falni që pak më gjatë e elaborova çështjen që ndoshta nuk ka qenë e nevojshme që tash të shtrohet, por dëshiroj të theksoj se ne ngelemi në ato pikëpamje të njëjta për të cilat qëndronim kur udhëheqës ishte edhe Esat Pasha dhe pajtohemi që Shqipëria të jetë shtet i pavarur. Ne dëshirojmë edhe tash, nëse Shqipëria dëshiron të jetojë në paqe dhe në harmoni me fqinjët, të formojmë një doganë të përbashkët, nëse nuk dëshiron le të ngelet edhe pa të. Pra, këtu as ne e as politika jonë nuk ka përjetuar kurrfarë disfate, porse disfatë ka përjetuar ajo shpifje, e cila shkonte përmes rrugës së shëmtuar dhe e cila dëshironte të mashtrojë…”.
Discussion about this post