Më shumë se 8 milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të përdorimit të duhanit. Ndërkohë 7 milionë prej këtyre vdekjeve shkaktohen nga përdorimi i drejtpërdrejtë i duhanit, ndërsa 1.2 milionë janë persona që nuk e përdorin duhanin, por për shkak se janë përdorues pasiv të tij.
Pirja e duhanit, e cila ndikon negativisht në jetën njerëzore në shumë mënyra, qëndron e vetme si një nga shkaqet më të rëndësishme të vdekjes në botë.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pothuajse gjysma e duhanpirësve vdesin nga arsye që kanë burim këto zakone.
Pirja e duhanit, e cila përbën një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik, u merr jetën çdo vit 8 milionë njerëzve. Theksohet se 1.2 milionë e atyre që humbin jetën për shkak të duhanit janë ata që nuk e pinë duhanin, por që janë të ekspozuar ndaj pirjes pasive të tij.
OBSH tërheq vëmendjen se çdo vit rreth 65.000 fëmijë në mbarë botën humbin jetën nga shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes si pasojë e pirjes së duhanit në familje dhe të cilët përballen me pirjen pasive.
Përmban 7 mijë kimikate të ndryshme
Duhani është përgjegjës për dy të tretat e vdekjeve nga kanceri në mushkëri në të gjithë botën. Ai përbën shkakun kryesor të kësaj sëmundjeje. Edhe ekspozimi i njerëzve jo-duhanpirës në tymin e duhanit në shtëpi ose në punë, rrit ndjeshëm shanset që këto persona të preken me kancerin e mushkërive.
Sipas OBSH-së, tek njerëzit që kanë kaluar 10 vjet nga lënia e duhanit përgjysmohet mundësia që ata të preken nga kanceri i mushkërive, në krahasim me duhanpirësit.
Efekti më i zakonshëm negativ i pirjes së duhanit tek shëndeti janë çrregullimet e frymëmarrjes kronike. Pirja e duhanit tregohet përgjegjësi kryesore për sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (COPD).
Sëmundja e COPD, e cila vërehet kryesisht tek personat që kanë filluar pirjen e duhanit në moshë të re, e dëmton rëndë zhvillimin e shëndetshëm të mushkërive. Tymi i duhanit, përmban 7 mijë kimikate të ndryshme, 69 prej të cilave shkaktojnë kancer.
Përdorimi i duhanit sipas rajoneve
Raporti i OBSH-së i titulluar “Trendet për përhapjen e duhanpirjes në vitet 2000-2025” tregon se përdorimi i duhanit është zvogëluar në mbarë botën, përveç Afrikës dhe Mesdheut Lindor. Në Afrikë dhe Mesdheun Lindor, përdorimi i duhanit ka qenë i njëjtë gjatë viteve të fundit.
Sipas OBSH-së, 19,9 për qind e popullsisë së botës janë përdorues të duhanit, prej të cilëve 33,7 për qind janë meshkuj dhe 6,2 për qind femra.
Rajoni me përqindjen më të lartë të përdorimit të duhanit nga personat me moshë më të madhe se 15 vjeç konsiderohet të jetë Evropa me 29,4 për qind. Në Evropë, 38,1 për qind e meshkujve dhe 20,7 për qind e femrave pinë duhan.
Evropën e ndjek Paqësori Perëndimor me 24,5 për qind. Në këtë rajon janë meshkujt kryesisht duhanpirës, ku 46 për qind e meshkujve dhe 3 për qind e grave kanë zakonin e pirjes së duhanit.
Një nga rajonet ku pirja e duhanit është intensive është edhe rajoni i Mesdheut Lindor me 18,1 për qind. Në Mesdheun Lindor, 34 për qind e meshkujve dhe 2,2 për qind e femrave përdorin duhan.
Norma e pirjes së duhanit në Amerikën Veriore dhe Jugore është 16,9 për qind. Në kontinentet e Amerikës, pinë duhan 21,4 për qind e meshkujve dhe 12,4 për qind e femrave.
Gjithashtu edhe 16,9 për qind e njerëzve në Azinë Juglindore pinë duhan. Në Azinë Juglindore, pinë duhan 31,6 për qind e meshkujve dhe 2,2 për qind e femrave.
Ndërkohë në Afrikë norma e pirjes së duhanit është 9,8 për qind, ku përdorues të duhanit janë 17,5 për qind e meshkujve afrikanë dhe 2,2 për qind e grave.
Vdekjet nga pirja e duhanit
Sipas OBSH-së, rreth 12 për qind e vdekjeve në botë tek personat mbi 30 vjeç janë shkaktuar nga pirja e duhanit. Rajonet ku vdekjet e lidhura me pirjen e duhanit janë të larta janë ato amerikane dhe evropiane në të cilat industria e duhanit dominon intensivisht në jetën njerëzore që prej një kohe të gjatë.
Po ashtu të dhënat nga OBSH, tregojnë se duhani shkakton 16 për qind të vdekjeve në Evropë dhe Amerikë. Gjithashtu 13 për qind e vdekjeve në Paqësorin Perëndimor dhe 10 për qind në Azinë Juglindore.
Ndërsa në Mesdheun Lindor, përdorimi i duhanit shkakton 7 për qind të vdekjeve dhe në Afrikë, ku normat e pirjes së duhanit janë më të ulëta, 3 për qind të vdekjeve.
Dita Botërore pa Duhan
Me qëllim për ndërgjegjësimin e efekteve të dëmshme nga përdorimi i duhanit dhe pirja pasive, si dhe për të nxitur individët në lënien e duhanit, OBSH më 31 maj të çdo viti kryen aktivitete të ndryshme në kuadrin e Ditës Botërore pa Duhan.
Tema e këtij viti për Ditën Botërore pa Duhan është “duhani dhe shëndeti i mushkërive”. Në këtë kontekst, si pasojë e pirjes së duhanit krahas ndërgjegjësimit për sëmundjet e shkaktuara në mushkëri nga sëmundjet e frymëmarrjes deri tek kanceri, synohen edhe kryerje e studimeve informuese rreth rëndësisë së mushkërive për jetën e njeriut. Përveç kësaj, vlerësohen gjithashtu edhe politikat efektive që synojnë reduktimin e konsumit të duhanit në botë.
Discussion about this post