Shkruan: Yusuf Kaplan / YENI SAFAK (titulli: Türkiye’deki vesayet rejiminin kaynağı: Hukuk darbesi)
Përkthimi nga turqishtja: Mustafë Bajrami
I vetmi burim që i mban shoqëritë në këmbë, të gjalla dhe të jetojnë, janë sistemet juridike (sheriat) të tyre. Sistemet juridike (sheriate) mund të jenë me origjinë fetare, laike ose jofetare. Sistemi juridik është mekanizmi funksional i ligjit të shoqërisë, i zhvilluar përmes trajtimit të kujdesshëm dhe i ndërtuar hap pas hapi përmes përvojës historike.
Ligji ekziston dhe fiton kuptim duke marrë në konsideratë frymën e shoqërisë, vlerat e saj dhe vullnetin për të ekzistuar të cilin e ka akumuluar përmes vuajtjeve nga e kaluara në të ardhmen, duke i dhënë formë karakterit dhe fatit të saj. Një sistem ligjor që nuk është në vijë me frymën, vlerat dhe përvojën historike të shoqërisë, asaj shoqërie nuk i sjell asgjë. Edhe më keq; nuk i shërben kurfarë qëllimi tjetër veçse ta minojë atë shoqëri.
Thënë shkurt: Sistemi ligjor i një shoqërie është e drejta ligjore e asaj shoqërie: fryma, tërësia e vlerave dhe e parimeve krijuese të asaj shoqërie.
Sistemi ligjor në Turqi: Oligarki byrokratike tutoriale
Pushteti që ndërtohet mbi bazën e sistemit oligark-byrokratik e mbi të cilin përqendrohet regjimi tutorial në Turqi, është sistemi ligjor laik i importuar nga jashtë. Ai sistem i imponohet shoqërisë sonë nga lart me metoda jakobine. Qëllimi kryesor i sistemit juridik laik të është shpikja e një sistemi shtetëror/politik larg vlerave islame si dhe formësimi i një shoqërie të distancuar nga Islami.
Me fjalë të tjera, sistemi juridik në Turqi nuk merr parasysh frymën, vlerat, vullnetin dhe parimet historike të shoqërisë. Përkundrazi, në kushte normale ai fokusohet të paraqes kinse paaftësinë e Islamit, burimit tonë të vetëm që përbën frymën, vlerat, vullnetin historik dhe parimet e ekzistencës së popullit tonë, ndërsa në kushte jonormale tenton shkatërrimin e shoqërisë, si në rastin me grushtet e shtetit.
Keni kujdes! Republika e Turqisë deri në vitin 1928 u përpoq të vendosë legjitimitetin e saj mbi një sistem juridik islam. Por nga viti 1928 ajo ka ecur në drejtim të kundërt, ku fati i shtetit dhe shoqërisë turke është përcaktuar nga sistemi juridik laik perëndimor i importuar në orbitën e të cilit Islami mbetet tërësisht i përjashtuar.
Burimi i shtetit laik dhe i përpjekjes për të ndërtuar një shoqëri laike është pikërisht regjimi tutorial i vendit. Është ky sistem laik i importuar të cilin unë e quaj sistem juridik i udhëhequr nga oligarkia byrokratike.
Ajo që themelon shtetin nuk është sistemi politik, por sistemi juridik laik që vendos edhe për sistemin politik të shtetit.
Një shoqëri që humb sistemin ligjor të saj, humbet edhe shpirtin, vlerat dhe vullnetin për të ekzistuar; Domethënë, e humb edhe shtetin i cili u zhvillua në frymën, vlerat dhe vullnetitn e shoqërisë duke mbajtur gjallë frymën, vlerat dhe vullnetin e vet për të ekzistuar.
A jemi ballë për ballë grusht shtetit ligjor?
Gjykata Kushtetuese vendosi që Presidenti të mos ketë kompetenca të shkarkojë Guvernatorin e Bankës Qendrore dhe të emërojë rektorët e universiteteve!
Ky është një vendim shumë i rrezikshëm!
Është një vendim jashtëzakonisht shqetësues që do të përfolet gjatë pasi tregon se si vullneti i popullit është hipotekuar nga një mentalitet i importuar nga jashtë!
Çfarë është kjo?
Grusht shtet ligjor?
Nëse nuk është grusht shtet ligjor, çfarë është tjetër?
Burimi i tij duhet të hetohet në detajet më të vogla dhe në përpikëri.
Gjykata Kushtetuese ekziston për të mbrojtur të drejtën e popullit.
Jo për të mbrojtur dhe marrë nën përkujdesje sistemin burokratik oligark, rrënjët dhe degët e të cilit janë regjimi tutorial i importuar. Jo për të mbrojtur dhe ruajtur të ashtuquajturit turq të bardhë turqizmi dhe myslimanizmi i të cilëve janë legjenda urbane. Të cilët u bënë satelitë të sistemit global. Të cilët shkatërruan fëmijët e dashur të këtij kombi një nga një. Të cilët i prenë duart (Sulltan) Abduzazizit. Të cilët e rrëzuan (Sulltan) Abdulhamidin. Të cilët e vranë Muhsin Yazıcıoğlun mu para syve tanë. Të cilët kryen atentat mbi Ozallin dhe të cilët bënë tentativën e pabesë të grushtit të shtetit të 15 korrikut kundër Erdoganit. Natyrisht, duke i përdorur rrjetet e tyre brenda vendit. Me pak fjalë, Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për t’i siguruar interesat e një grushti minoritar me brirë të cilët ua dorëzojnë burimet dhe pasuritë e vendit zotërve të sistemit global.
Të gjitha grushtet e shtetit në këtë vend filluan fillimisht si puçe të ligjshme dhe të gjitha grushtet ushtarake u përpoqën të legjitimoheshin duke thënë “ne po e ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese me autoritetin që na jep ligji”.
Të gjitha grushtet e shtetit në këtë vend u bënë kundër kombit. U bënë për të mbajtur kombin të lidhur (duarsh) dhe për të ndalur ecjen përpara të kombit, pikërisht atëherë kur e panë se kombi ynë kishte krijuar identitetin e vet dhe ndjeshmërinë islame.
Edhe më qartë, të gjitha grushtet e shtetit në këtë vend u bënë për të penguar orientimin islam në kohën kur Turqia si shoqëri filloi të shfaqte shenjat e zhvendosjes drejt orbitës islame. Për shkak se kishte frikë se orientimi i shoqërisë sonë në drejtimin e orbitës islame mund të çonte në edhe shtetin në drejtim të asaj orbite. Në këtë kohë, shoqëria jonë u godit nga karkalecat në zinxhir të cilët rrënjët e tyre i kanë jashtë ndërsa kokat brenda. Të cilët janë të dashuruar në xhelatët e tyre.
Heqja e kompetencave të Presidentit të zgjedhur me vullnetin e kombit, nëse nuk është një grusht shteti ligjor, atëherë çfarë është ai?
Së dyti, le të themi se akti që po bëni është i ligjshëm. Pse pikërisht tani ju erdhi në mendje? Si u bë që dje të ishte e ligjshme, e sot e kundërta? A nuk ka një absurditet këtu?
Së treti, universitetet dhe Banka Qendrore janë institucionet bazë që drejtojnë pavarësinë dhe të ardhmen e vendit. Marrja e këtyre kompetencave nga Presidenti i zgjedhur me vullnetin e popullit a nuk po kuptohet si një grusht shteti me ndërhyrje ligjore në pavarësinë dhe të ardhmen e vendit?
Nëse Gjykata Kushtetuese nuk mbron të drejtën ligjore të këtij kombi, atëherë të kujt apo çfarë ligji do të mbrojë ajo?
Në mendjen time po qarkullojnë pyetje të çmendura që njeriut ia humbasin edhe gjumin…
……………………………
*Yusuf Kaplan (1964) – doktor nga Universiteti i Londrës – është profesor universitar, akademik, shkrimtar dhe përkthyes i shumë veprave të mëdha. Këshilldhënës dhe personalitet i vlerësuar lart nga presidenti Erdogan. Profesor në Universitetin Bilgi dhe së fundmi në Universitetin Sabahattin Zaim të Stambollit. Përkthyes në turqisht i Michel Foucault, Baudrillard, Milan Kundera, Umberto Eco dhe John Berger. Kryeredaktor i gazetës Yeni Şafak. Autor i qindra artikujve, intervistave dhe përkthimeve të botuara në revistat dhe perdiodikët më të njohur shkencor në Turqi dhe botë.
Është specialist e mediave dhe ideatori i teorisë ‘Televizioni, mjet i fuqishëm për ta ndryshuar botën dhe prodhues i miteve’. Autori i veprave ‘Epistemologjia dhe Ontologjia e Medias’, ‘Modernizimi Turk: Retorika kundrejt praktikës’, Modernizimi Turk, Media dhe Kultura Popullore’, ‘Moderniteti dhe Identiteti Turk’ dhe i dhjetëra veprave e qindra shkrimeve e studimeve që i ka shkruar në turqisht dhe anglisht.
Koncepti i tij bazë është: Të trajtosh qytetërimin dhe mentalitetin perëndimor që dominon botën e sotme, parasëgjithash duhet njohur thellë qytetërimin të cilit i takon. Në mënyrë që qytetërimi islam të transformohet nga niveli i pretendimeve në aktualitet, kërkon njohjen e duhur të kujtesës së kaluar kulturore që i ka rrënjët kuptimin e vërtetë të Islamit. Domethënë, duhet kuptuar statusi i Islamit, informacioni në detaje që ofron ai dhe mënyra e çasjes së tij ndaj dinamikave të kohës. Kjo nevojitet për tu transferuar ai nga e kaluara në të tashmen. Sipas tij, ata që thonë se e pranojnë Islamin si botëkuptim dhe burimin e hartave kuptimore, nuk duhet të dëmtojnë kurrë natyrën unifikuese dhe integruese të Islamit, natyrisht duke ia përmendur lexuesit përkatësinë e tij personizuese të veten. Sepse kështu bëhet gabimi i pafalshëm teksa ti prioritizon dhe ndanë veten nga tërësia isamike, e cila do të duhej të ishte bazë e qëndrimeve të tua akademike. Nëse vepron ndryshe, kjo quhet thjesht “prerja e degës ku je ulur”. Kombinimi i krijuar nga Yusuf Kaplan dhe qëndrimi integrues me qendër qytetërimin, tek ai manifestohet përmes shpirtit dhe thellësisë së përsiatjes së tij për të bashkuar në një linjë Fatih Sulltan Mehmetin dhe Necip Fazilin.
Jusuf Kaplan shtron para lexuesve të tij një kornizë dhe horizont shumë të gjerë me mendimtarë vendas dhe të huaj, emrat e të cilëve i përmend dhe i citon në shkrimet e tij, si: Sezai Karakoç, Nurettin Topçu, Necip Fazıl, Cemil Meriç, Erol Güngör, Said Nursi, Turgut Cansever, İsmet Özel, Şerif Mardin, Ahmet Davudoğlu, İsmail Kara, Lacan, Weber, J Grey, A. Toynbee, Baudrillard, Millbank, Dawson, Foucault, L. Mumford, W. Mc Neill, P. Virilio. Këta emra ai i ka studiuar dhe më pastaj i prezanton në diskutime me lexuesit e tij.
Yusuf Kaplan konsiderohet interpretatori më i fuqishëm në botë e veprës ‘Fundi i Historisë’ dhe kritiku më i ashpër i saj.
**Autori i kësaj biografie të shkurtër që sapo e lexuat është (jam) lexues i rregullt dhe i pasionuar i veprave, studimeve dhe shkrimeve të Yusuf Kaplan.