Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Kryeministri Kurti është pritur nga personalitete të larta të Republikës së Turqisë. Në ndërkohë, mbrmë është ftuar për një darkë miqësore edhe nga nobelisti turk Orhan Pamuk, shkruan Gazeta Mejdani.
Këtë e lajmëron vetë Kryeministri i Kosovës në një shkrim në rrjetin social Facebook.
Shkrimi i plotë i Kryeministrit si më poshtë:
Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj.