Një juri e Nju Jorkut dënoi të enjten ish-presidentin amerikan Donald Trump për të gjitha 34 akuzat kundër tij në rastin e pagimit të parave në mënyrë të paligjshme për të blerë heshtjen e një aktoreje filmash pornografike, në një zhvillim sizmik që vjen vetëm 5 muaj para zgjedhjeve presidenciale në të cilat ai kërkon të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Pas diskutimeve për dy ditë, një juri prej 12 anëtarësh njoftoi se kishte arritur në përfundimin se Trump ishte fajtor për të gjitha akuzat me të cilat përballet dhe kërkohej unanimiteti për çdo vendim fajësie.
Kështu, miliarderi republikan bëhet ish-presidenti i parë amerikan që dënohet penalisht, megjithëse ky vendim nuk e pengon atë të vazhdojë fushatën e tij elektorale.
Gjykatësi caktoi datën 11 korrik si datë për shqiptimin e dënimit kundër Trump.
Duke komentuar dënimin, Trump tha se ky vendim kundër tij ishte një “turp”, duke shtuar se “vendimi i vërtetë” do të jepej nga votuesit më 5 nëntor, datën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Trump shtoi se vendimi kundër tij ishte “i korruptuar, i lëshuar nga një gjykatës i diskutueshëm dhe kjo betejë nuk ka përfunduar ende”.
Trump (77 vjeç) mohon çdo keqbërje dhe pritet të apelojë vendimin.
Ky vendim i shtyn Shtetet e Bashkuara në një situatë të paprecedentë përpara zgjedhjeve presidenciale të planifikuara për 5 nëntor, kur Trump do të mundohet ta mund presidentin demokrat Joe Biden në mënyrë që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
Dënimi maksimal që mund të përballet Trump është 4 vjet burg, por ata që dënohen për një krim të tillë zakonisht u jepen dënime më të shkurtra ose përballen me gjoba ose vendosen në provë.
Vlen të përmendet se 25% e republikanëve treguan se me shumë gjasa do të votonin për Trump nëse juria e dënonte atë, ndërsa 27% e demokratëve reduktuan mundësinë e votimit në favor të tij, gjë që pasqyron thellësinë e ndarjes në baza partiake, dhe konfirmon pikëpamjet ekstreme partiake në lidhje me politizimin e gjyqit.
Një sondazh i opinionit – i kryer nga Radioja Kombëtare dhe Korporata e Transmetimeve Publike – raportoi se gjyqi dhe rezultatet e tij nuk do të ndryshonin pozicionin e 67% të votuesve dhe se vendimi i fajësisë, nëse ndodh, nuk do të ketë asnjë ndikim tek ata që plani për të votuar për Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.