I nderuari ish-Kryeministri i Kosovës, kryetar Ramush Haradinaj!
Ekselenca juaj, Ambasador i Turqisë në Kosovë, Z. Sabri Tunç Angili!
I nderuari miku im i dashur, Z. Abdullah Klinaku!
Të nderuar deputetë, kryetarë, panelistë, të pranishëm, zonja dhe zotërinj!
———————————–
Pas Luftës së Dytë Botërore Prota Milan Smiljaniç kishte vizituar fshatrat e thella serbe të Bihaçit që është në cepin më të largët në Bosnjes në kufi me Kroacinë. Atje ku përtej më nuk ka fshatra serbe. Fshatarët e gëzuar për vizitën e Prota Smiljaniç, atë e falënderojnë përzemërsisht. Ndërsa ai ua kishte kthyer me këto fjalë: Falënderimet ju takojnë juve. Juve që keni qëndruar stoikisht këtu në tokat tuaja duke ruajtur traditën tonë të përbashkët. Dhe, na keni bërë të mundshme që ne të vijmë e të ju vizitojmë. Përndryshe, po të mos ishit ju këtu, unë nuk do të kisha pse të vija në këto cepa ku ruhet tradita jonë dhe ku flitet me fjalë madhështore për emrin Serbi.
****
E nisa me këto fjalë për t’i thënë ekselencës së tij, ambasadorit të Turqisë këtu në Prishtinë Z. Sabri Tunç Angili, e nëpërmes tij përfaqësuesve më të lartë të Turqisë se ne shqiptarët me gjithë turqit kemi qenë, jemi sot e do të jemi përgjithmonë dembabadem në këto toka. Që edhe ju kur të vini, të shihni se si e ruajmë traditën tonë të përbashkët dhe të shihni si përmendët emri Turqi me fjalët më madhështore. Pra, përveç tjerash, që të ndjeheni krenarë me këto vende, ndaj të cilave keni borxh dhe nderë t’i mbështetni e ndihmoni.
****
Aktiviteti i sotshëm përurues i Fondacionit “Alsar” dhe i Institutit “Yunus Emre” konsiston dhe përqendrohet në një rezultat serioz të një angazhimi autentik të Z. Abdullah Klinaku në botën shkencore. Ky studim, për sa e kam lexuar, tejkalon përmasat e një libri statistikor të ndodhive politike e historike, duke u ngritur në përmasat e një libri që na ka vënë përballë një modeli studimor, nga i cili rezulton filozofia e një procesi historik të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve Turqi-Kosovë.
Libri “Kontributi i Turqisë për Kosovën – Pikëpamje nga Prishtina” i mikut tim të çmueshëm Abdullah Klinaku, besohet të jetë studimi më shterues i këtij lloji deri tani, ndoshta edhe i pari, rreth rolit dhe kontributit të Turqisë për Kosovën. Tema të cilën e trajton ky libër, tek ne është përfolur gjatë e larmishëm përgjatë shume dekadave, e cila temë, mbase në mënyrë të pazakonshme, u trajtua në përmasat e një dihotomie shumë herë kundërthënëse, kontrare e kontraditkore ndër studiuesë, historianë, politikanë dhe media në Kosovë. Tema e shtruar në këtë libër me një delikatesë të veçantë, tejkalon e mbase nuk përfillë nivelin teknik të një trajtese politike apo ideologjike.
Kontributi i Turqisë për Kosovën për dekada të tëra është trajtuar, përdorur, keqpërdorur e shfrytëzuar njëanshmërisht apo dyanshmërisht në dimensionin ideologjik të rastit. Ndaj, duke ditur rëndësinë historike të kësaj teme, pse jo edhe kureshtjen e ngatërruar të njerëzve e qarqeve të interesuara nga dhe për motive të ndryshme, z. Abdullah Klinaku nëpërmes këtij studimi disa vjeçar hulumtimesh, na e sjell historinë më të kompletuar deri tani rreth raporteve Kosovë-Turqi, mbase edhe më gjerë, që janë të një rëndësie të madhe për Kosovën e pse jo edhe për Turqinë.
Nga libri i Abdullah Klinakut, falë sinqeritetit të tij shkencor dhe falë trajtimit kaq gjithëpërfshirës, mësojmë edhe atë, se megjithatë, nuk është thënë e tëra rreth temës, sigurisht për shkak edhe të pamundësisë për shumë arsye të shfrytëzimit të mjaftueshëm të dosjeve, materialeve dhe arkivave, në veçanti të Turqisë. Një fakt i tillë na josh të gjithëve të besojmë më shumë, se qeveritë e Kosovës do të duhej të kishin dëgjuar zërin tonë (tim) për themelimin dhe mbështetjen e një instituti shkencor kërkimor strategjik, i cili institut do t’i ndihmonte edhe politikës shtetërore të Kosovës, e s’do mend studiuesve që do të merreshin me këto tema. Shpresoj se një ditë qeveria e Kosovës do ta kuptoj rëndësinë e atij instituti për të cilin insistoj me vite.
Libri që tani e keni para duarve, nuk është vetëm një shkëndijë e vetmuar e këtij lloji rreth marrëdhënieve midis dy shteteve, por është parasëgjithash një përpjekje nismëtare që do të hedhë dritë mbi errësirat ideologjike ku flitet me gjuhë joreale për kontributin e shtetit të Turqisë në shtet-ndërtimin e Kosovës, e fillimisht në çlirimin dhe pavarësimin e saj. Natyrisht, Turqia së bashku me vendet tjera demokratike që morën vendimin për ta shpëtuar popullin tonë nga shfarosja e paramenduar e politikave shoveniste serbe të orkestruara që nga Ilija Garashanini, Çubrilloviqi, Nikolla Pashiqi, Dobrica Çosiqi e ardhur deri tek koka e krimit makabër mbi shqiptarët që ishte Sllobodan Millosheviqi.
Kërkoj ndjesë nëse do të përdori ca fjali në vetën e parë, për të shprehur se ky libër, mua më imponon nevojën të përmendi një fakt sado i dhimbshëm për neve shqiptarët. Përse e kam fjalën? Përgjatë punës sime studimore afër 20 vjeçare rreth Turqisë, Lindjes së Mesme, Kaukazit dhe Azisë Qendrore ku kam botuar mbi 200 studime dhe shkrime rreth asaj gjeografie kaq të gjerë e aq më shumë delikate dhe ndikuese në marrëdhëniet ndërkombëtare, kam vërejtur se ishin dhe vazhdojnë të bëhen studime dhe libra seriozë mbi marrëdhëniet e Turqisë me vende të botës. Ka me qindra, mos të them me mijëra të tilla që flasin për raportet dhe kontributet e Turqisë me ato vende. Ato studime u kanë ndihmuar shteteve në rrafshe politike, ekonomike, diplomatike, kulturore, ushtarake dhe rrafsheve tjera. Në rastin më të lehtë, ato studime mbesin në biblioteka dhe arkiva të atyre shteteve për t’i shfrytëzuar gjeneratat dhe brezat që vijnë. E që tek ne shqiptarët nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Për fat të keq dhe të pabesueshëm. Prandaj, librin e Abdullah Klinakut e konsideroj në fenar ndriçues dhe si një infuzion nxitës për studime të tjera në të ardhmen. Do të ishte mirë, në dashtë Allahu i Madhërishëm, që Abdullah Klinaku të vazhdojë në këtë rrugëtim, duke u fokusuar në të ardhmen mbi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Republikën e Turqisë. E unë mendoj se ka shumëçka të flitet e për shumëkë të flitet.
Nëpërmes këtij libri, Abdullah Klinaku qet në pah shumë gjëra të panjohura, ndoshta edhe të çuditshme për shumëkë të cilat me vite të tëra ose ishin heshtur, ose keqinterpretuar. Këto të dhëna, në realitet kanë lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-turke dhe me historinë e lavdishme të vendit dhe popullit tonë. Gjatë leximit, ne po fascionoheshim kur para syve kishim fakte të shumta të konsulltuara në versione të ndryshme statistikore-shkencore.
Libri na sjell tek një përfundim: marrëdhëniet turko-shqiptare të deritanishme kanë qenë ndër orientuesit e vetëdijes kombëtare si dhe i politikës së Kosovës për të ardhmen. Dua të jam i sinqertë. Po të ishte mbështetur libri edhe në “thesaret” që janë në artkivat e Turqisë por edhe në studime të botuara jo vetëm nga unë, ky libër do të ishte edhe më i kompletuar. Gjithsesi, falë djersës së harxhuar në përpilimin e këtij libri e falë pasurimit të tij me dëshmi nga burime të gjetura nëpër mediat dhe bibliotekat e Kosovës, libri në fjalë ka çka i ofron lexueseve dhe studiuesve të marrëdhënieve shqiptaro-turke e në veçanti marrëdhënieve Kosovë-Turqi.
Të nderuar pjesëmarrës!
Duke përgëzuar Z. Abdullah Klinakun për aktivitetet e tij intelektuale, politike, atdhetare e tanimë edhe shkencore, jemi të nderuar që sot po promovojmë veprën e tij kaq të rëndësishme, e cila të gjithëve na bën të ndjehemi shumë më afër të vërtetës së kontributeve të Turqisë për Kosovën dhe të raporteve historike turko-shqiptare dhe Kosovë-Turqi. Raporte këto të cilat në masë të dukshme kanë ndikuar në mënyrën e jetës sonë si komb dhe në botëkuptimin tonë për proceset politike-historike.
Për fund, siç citon edhe vetë autori në faqen 37 të librit të tij, teksa përmend njërin prej politikanëve me ndikim në Turqinë e dy-tri dekadat e fundit, ai politikan gjatë vizitës së tij në Prishtinë në vitin 2011, në xhaminë e madhe “Sulltan Murat” tekstualisht pati deklaruar: “Shqiptarët kanë merita për çlirimin e Stambollit, sepse, nga këtu, pra nga xhamia “Sulltan Murat”, e ndërtuar në vitin 1393, u nisën ushtarë për ta çliruar Kostandinopojën”. Jo rastësisht, atë politikan turk unë e kam quajtur Kardeli i politikës së Turqisë së periudhës së Presidentit Recep Tayip Erdogan.
E unë, duke marrë si model referues atë thënie të politikanit turk dhe duke u inspiruar nga ky studim serioz i Abdullah Klinakut, them: Me që kemi kuadro si Abdullah Klinaku dhe të tjerë, të fillohet pikërisht nga Prishtina bërja e librave për histori të faktuara rreth raporteve midis dy popujve si dhe, siç ceka pak më lartë, për rolin e shqiptarëve në Republikën e Turqisë.
Ju faleminderit…!
Mustafë Bajrami