Regjistrimi i fundit i popullsisë në Mal të Zi, mund të sjellë dëme serioze për këtë vend. Mospublikimi i rezultateve të plota si ajo për çështjen e etnisë, gjuhës dhe religjionit, ngrit dyshimet se aktiviteti i Serbisë dhe Rusisë ka arritur që ta prish balancën etnike duke e rritur artificialisht etninë serbe nëpërmjet nxitjes së malazezëve që të deklarohen si serbë.
Shkruan: Dr. Gurakuç Kuçi – Hulumtues në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”
Kjo çështje është pjesë e një kauze të fuqishme të rikthimit të ndikimit të Rusisë dhe Serbisë në këtë vend i cili i ofron dalje në ujëra të ngrohta, gjegjësisht në Detin Adriatik. Censusi i fundit përveç parregullsive që pati gjatë mbajtjes së tij, pati edhe një fushatë të egër serbe nëpërmjet Kishës Serbe e cila bënte thirrje për deklarim nga malazezë në serbë dhe thirrje tjera nëpërmjet fushatave individuale dhe fushatave me billborde.
Rezultatet e censusit mund të sjellin ndryshime serioze në strukturën shtetërore të Malit të Zi. Hulumtimi i Institutit OCTOPUS gjen se janë pesë opsione në rast se lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë ka sukses kundër Malit të Zi.
- Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
- Federalizimi sikur i Bosnje dhe Hercegovinës.
- Asociacion i komunave me shumicë serbe sikur ai që propozohet në Kosovë.
- Referendum që i mundëson secesionim të disa komunave apo rikthim nën Serbi.
- Ndryshimi i rrethanave gjeopolitike dhe raporti i forcave ku sjell një aneksimi potencial nga Serbia potencial nga Serbia.
Deri në realizimin e këtyre opsioneve Rusia dhe Serbia kanë përdorur shumë metoda të luftës hibride që i kemi identifikuar më poshtë:
- kërcënimet me jetë si metodë e indimidimit rasjet politike, siç ishte tentimi i vrasjes së Gjukanoviçit për ndryshimin e qasjes së Malit të Zi dhe ndalimin e anëtarësimit të saj në NATO.
- partitë politike, duke përkrahur subjekte të ndryshme, kryesisht të krahut të djathtë ekstrem dhe duke shfrytëzuar brishtësinë e demokracisë për të legalizuar çështjen etnike të tyre.
- zgjedhjet elektorale, duke krijuar sa më shumë subjekte të cilat pastaj arrijnë të copëzojnë votat e partive të mëdha që nuk janë pro interesave ruse dhe serbe.
- ndikimi nëpërmjet propagandave të ndryshime si ato që ishin para censusit që janë të përmendura në punim.
- ndikimi i ndryshimit të deklarimit të shoqërisë për çështje etnike, në rastin konkret deklarimi nga malazez në serb, inxhinieringut etnik.
- përdorimi i mediave televizive, të shkruara dhe rrjeteve sociale për të shpërndarë propagandë, agjitacion dhe dezinformim.
Kosova me datën 1 prill të këtij viti pret që ta mbaj censusin apo regjistrimin e popullsisë. Instituti OCTOPUS duke marrë në konsideratë përvojën e Malit të Zi dhe ndërhyrjet e mundshme të palëve të treta si Rusia dhe Serbia, Kosova duhet të analizojë me kujdes çdo aspekt të procesit të censusit, duke përfshirë teknikat e regjistrimit, sigurinë e të dhënave dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve. Është thelbësore të ndërmerren masa për shmangien e ndërhyrjeve të mundshme nga faktorë të jashtëm, duke shtuar aktivitetin diplomatik në qendrat e vendimmarrjes dhe duke përforcuar rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
Të gjitha konkluzionet më lartë kanë një histori të bujshme politike dhe strategjike. Ju inkurajojmë që të lexoni komplet punimin për ta kuptuar më mirë gjithë procesin duke klikuar mbi titullin: Rreziqet dhe Rikonfigurimet Gjeopolitike: Serbia dhe Sfida për Stabilitetin e Malit të Zi.
Kthesa Pro-Ruse dhe Pro-Serbe në Mali i Zi dhe Sfidat e Orientimit Gjeopolitik
Mali i Zi rrugëtimin e vet pro-perëndimor mund ta konsiderojmë që e ka filluar në vitin 1995, menjëherë pas marrëveshjes së Dejtonit. Në atë vit Millo Gjukanoviç bashkë me Svetozvar Maroviç vizituan Pentagonin në SHBA, ku ofruan qasje për trupat paqeruajtëse ndërkombëtare në Portin e Barit. Gjatë bombardimeve të NATO-së, Gjukanoviç kishte arritur të bindte NATO-në të kufizonte bombardimet në territorin malazias.
Mali i Zi e shpalli pavarësinë e saj me 2006 pas një referendumi ku pjesë e rëndësishme ishin edhe shqiptarët. Vuçiq në atë kohë kishte deklaruar se do të angazhoheshin për ta rikthyer prapë Malin e Zi pas 10-20 vitesh. Angazhimi i Serbisë ka qenë në bashkëpunim të plotë me Rusinë, pasi përveç interesave të zgjerimit të territorit dhe interesave sllavo-ortodokse, interes të rëndësishëm strategjik përbën edhe dalja në ujëra të ngrohta, gjegjësisht në Detin Adriatik. Me 2013 dhe 2015 Rusia kishte kërkuar nga Mali i Zi që t’i jepte Portin e Bar-it për ndërtimin e një baze ushtarake, por që ishte refuzuar nga Mali i Zi duke dërguar në tensionim marrëdhëniesh deri sa me 2017 ishte provuar një grusht shtet duke dashur ta vrasin Millo Gjukanoviçin gjatë zgjedhjeve. Ky tentim atentat ishte zbuluar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe kishte informuar organet e sigurisë së Malit të Zi, ku për pasojë ishin arrestuar rreth 20 persona duke përfshi edhe ish-oficerë të xhandarmërisë serbe.
E gjithë kjo sipas prokurorit të rastit ishte me qëllime politike për ta ndryshuar pushtetin në Mal të Zi dhe ta ndaloj anëtarësimin e këtij vendi në NATO.
Gjërat në Mal të Zi prapë filluan të lëvizin drejt orientimit pro-serb dhe pro-rus pas zgjedhjeve të vitit 2020, ku humbi partia e Gjukanoviçit dhe zgjedhjet i fitoi një grupacion i partive politike kryesisht me orientim pro-rus dhe pro-serb. Qeveria e dalë nga këto zgjedhje me në krye Zdravko Krivokapiç nuk zgjati më shumë se 14 muaj për t’ia lëshuar vendin qeverisë së Dritan Abazoviçit. Ky i fundi me aq bujë sa u bë kryeministër, me po të njëjtën dramë udhëhoqi shkurtazi dhe u rrëzua po ashtu nga pushteti, Kjo për arsye se bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe të cilës i ofronte eksterritorialitet dhe shumë benifite tjera dhe Kuvendi vendosi mocion votë-besimi ndaj tij.
Sipas një hulumtimi të gazetës Pobjeda, gjatë mandatit të Abazoviçit ishin ndryshuar policët kufitarë duke u zëvendësuar me joprofesionistë dhe lojal partiakë gjë që e kishte bërë jofunksional kufirin me Bosnjë dhe Hercegovinën.
As zgjedhjet e vitit 2023 nuk prodhuan diçka më ndryshe veçse forcim të partive pro-ruse dhe pro-serbe, duke sjellë në pushtet në tri pozitat më të larta dhe pozita tjera njerëz që kanë orientime pro-serbe dhe pro-ruse ku argumentimet më gjerësisht i gjeni në punim.
Duke përfshirë ndryshimet politike dhe censusin e fundit, ku kishte qëllime inxhinieringut etnik, çështjen se Serbia është pa dalje në det dhe kjo dalje është e rëndësishme për Serbinë dhe Rusinë atëherë pas rezultateve të censusit, pa një reagim adekuat ndaj Serbisë dhe Rusisë nga aleatët perëndimor opsionet për Malin e Zi mund të jenë ogurzeza.
Kjo pasi mund të krijohet një krizë e re artificiale e gërryerjes nga brenda të institucioneve, zgjedhje të reja nën parullat për ndaljen e rikthimit të nacionalistëve në pushtet, secesion nëpërmjet referendumit të disa komunave si Pljevelija, Nikshiqi dhe Berana, pastaj gjitha këto veprime mundësohen nga bllokimet që mund t’i bëjë Andrija Mandiç nga pozita e kryeparlamentarit dhe anëtarit në Këshillin e Sigurisë dhe Mbrojtjes që mban Komandën e Forcave të Armatosura ku vendimet merren me unanimitet.
Opsioni i fundit mbetet ai i një invazioni klasik në ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe raportit të forcave globale.