Për Kudsin-Jeruslamin që është kërthiza e botës kemi shkruar radhazi. Në këtë artikull do të flasim për Azerbajxhanin që është nyja kryesore e botës dhe ndër pikat më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Azerbajxhani (Azerbaijan), është një vend transkontinental i pozicionuar në kufirin e Evropës Lindore dhe Azisë Perëndimore. Është pjesë e rajonit të Kaukazit Jugor dhe kufizohet nga Deti Kaspik në lindje, Rusinë (Republika e Dagestanit) në veri, Gjeorgjinë në veriperëndim, Armeninë dhe Turqinë në perëndim dhe me Iranin në jug. Baku është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i këtij vendi.
Territori që sot njihet si Azerbajxhan dikur sundohej fillimisht nga Albania Kaukaziane e më vonë nga Persia. Deri në shekullin e 19-të ishte pjesë e Iranit. Pas luftërave ruso-persiane të viteve 1804-1813 dhe 1826-1828, Persia detyrohet t’ia dorëzojë territoret e Albanisë Kaukaziane Perandorisë Ruse. Traktatet e Gulistanit në 1813 dhe Turkmençajit në 1828 përcaktuan kufirin midis Rusisë dhe Iranit; Irani njohu sovranitetin rus mbi Erivanin, Nahçivanin dhe Talishin.
Azerbajxhani ka një sipërfaqe prej 86.6 mijë km2 me afër 11 milionë banorë. Prej tyre 97.3% janë muslimanë. Nga ata shiitë janë 55-65%, ndërsa sunnitë 35-45%. Megjithëqë këto shifra asnjëherë nuk janë konsideruar si zyrtare, përkatësia kombëtare e popullatës gjithnjë ka qenë më e fortë se ajo fetare. Kështu që, edhe pse me shumicë shiitë, azerbajxhanasit janë të lidhur me Turqinë sunnite më shumë se sa me Iranin shiit. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të politikës ateiste sovjetike, ku përkatësia fetare shpesh ka qenë nominale ndërsa identiteti mysliman prirej të bazohet në kulturë dhe etni më shumë sesa në fe. Muslimanët shiitë në këtë vend ndjekin shkollën xha’farite, ndërsa sunitët i përkasin ose shkollës hanefite ose shafi’ite. Fe të tjera tradicionale ose besime që ndiqen në vend janë Kisha Apostolike Armene (në Nagorno-Karabakh), Kisha Ortodokse Ruse dhe besime të tjera të krishtera.
Ashtu si të gjitha shtetet e tjera post-sovjetike, Azerbajxhani është një shtet laik. Neni 48 i Kushtetutës së saj garanton lirinë e besimit. Një ligj i vitit 1996 përcakton për të huajt lirinë e besimit, por u mohohet e drejta për të “kryer propagandë fetare”. Sipas pikave 1-3 të nenit 18 të Kushtetutës feja vepron ndaras nga pushteti, secila fe është e barabartë para ligjit dhe propaganda e feve në dëm të personalitetit të individit dhe në kundërshtim me parimet e humanizmit është e ndaluar. Azerbajxhani konsiderohet vendi me laicitetin më të ashpër ndër të gjitha vendet muslimane në botë. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, me datë 30 gusht të vitit 1991 shpallet shtet i pavarur sovran.
Cili do të jetë ndikimi i zgjedhjeve në Azerbajxhan në rajon?
Azerbajxhani njihet si shtet-vëlla i Turqisë dhe zë vend veçantë në zemrat e turqve. Në Turqi identifikohet me emrin “shpirti” i botës turke. Përtej lidhjeve historike-emocionale, Turqia tregon kujdes të shtuar ndaj Azerbajxhanit edhe për shkak të vendndodhjes rajonale gjeopolitike si dhe për shkak të pasurive të pashtershme që ka ky vend. Pa pikë dyshimi Azerbajxhani konsiderohet pellgu më i madh i naftës dhe gazit natyror. Në vitin 1901, fushat e naftës në Baku furnizonin më shumë se gjysmën e naftës në botë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore përbënin afërsisht 75 për qind të naftës së prodhuar në Bashkimin Sovjetik.
Pra, përveç pasurive të mëdha me naftë që ka ky vend, rezervat e gazit natyror në rajonin e Detit Kaspik që pranohet si një burim alternativ energjie në të gjithë botën, shumica e tyre janë brenda kufijve të Azerbajxhanit. Në territorin e Azerbajxhanit kalojnë edhe rrugët transportuese kryesore euro-aziatike. Nga kjo perspektivë, Azerbajxhani dhe vendet që e mbështesin atë janë në një pozicion shumë të favorshëm. Sepse eksporti i gazit të Kaspikut drejt vendeve evropiane nëpërmjet rrugëve alternative (azere) ka reduktuar ndjeshëm rreziqet që lidhen me eksportet e gazit natyror dhe ka rritur besueshmërinë gjeo-ekonomike jo vetëm të Azerbajxhanit, por të të gjitha vendeve të pellgut të Kaspikut. E kjo e bënë Rusin të shqetësohet për rolin e saj në transportimin e mallrave që shkojnë nga Azia në Evropë dhe anasjelltas. Përveç kësaj, futja e gazit natyror të Azerbajxhanit në tregun evropian me përfundimin e ‘Korridorit Jugor të Gazit’ dhe projektit ‘Shahdeniz-2’ e ka forcuar edhe më shumë pozicionin e këtij vendi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu që Azerbajxhani luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e sigurisë energjetike të Evropës duke furnizuar me karburant Evropën përmes ‘Korridorit Jugor të Gazit Natyror’.
Në një mjedis konflikti gjeopolitik midis Perëndimit dhe Rusisë dhe transformimit të burimeve energjetike në mjete gjeopolitike, fluksi i pandërprerë i energjisë nga Azerbajxhani në Evropë ka rritur interesimin deri në konkurrencë të ashpër të vendeve perëndimore në raport me Azerbajxhanin. Edhe pse Azerbajxhani është i rrethuar nga shtete rajonale si Irani dhe Rusia, vende këto të cilat Perëndimi nuk i sheh me sy të mirë, Evropa, SHBA-të dhe Izraeli ruajnë dhe kultivojnë me kujdes lidhjet e tyre me Azerbajxhanin. Prandaj nuk është aspak rastësi që ‘Komisioni Evropian i Energjisë’ e quan Azerbajxhanin një partner shumë i rëndësishëm dhe i besueshëm për Evropën. Evropa e konsideron Azerbajxhanin si “Furnizues Pan-Evropian të Gazit Natyror” ndër më të rëndësishmit në botë. Nga kjo perspektivë, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev ka deklaruar se edhe pas 100 vjetësh, Azerbajxhani do të jetë një partner i besueshëm dhe i rëndësishëm për botën perëndimore.
Në korrik 2022, një Memorandum Mirëkuptimi mbi Partneritetin Strategjik në fushën e energjisë u nënshkrua midis Azerbajxhanit dhe Bashkimit Evropian me pjesëmarrjen e Presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, dhe në dhjetor të po atij viti në Bukuresht u nënshkrua “Marrëveshja e Partneritetit Strategjik në fushën e zhvillimit të energjisë dhe transportit” ndërmjet Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Hungarisë. Gjithashtu, në Sofje të Bullgarisë në tetor të vitit 2022 mbahet ceremonia e hapjes së “Seksionit të Interkoneksionit të Gazit Natyror Greqi-Bullgari-BE” (IGB). Gjatë vizitës zyrtare të presidentit Ilham Aliyev në Bullgari më 25 prill 2023, nënshkruhet “Memorandumi i Mirëkuptimit për Zhvillimin e Bashkëpunimit” midis ‘Bulgartransgaz’” (Bullgari), ‘Transgaz’ (Rumani), FGSZ (Hungari), ‘Eustream’ (Sllovaki) dhe Kompania Shtetërore e Naftës e Republikës së Azerbajxhani (SOCAR). Marrëveshja e nënshkruar përcakton kushtet e bashkëpunimit ndërmjet 4 operatorëve të sistemit të transmetimit dhe SOCAR për furnizimin shtesë të gazit natyror nga Azerbajxhani në Evropë.
Azerbajxhani si nyje e rrugëve të transportit
Azerbajxhani konsiderohet si porta e Euroazisë dhe shteti qendror i korridoreve të transportit dhe komunikimit Lindje-Perëndim. Rruga historike e Mëndafshit që kalon përmes Azerbajxhanit tregon se vendi ka tradita të lashta në fushën e logjistikës. Duke qenë se ndodhet në kryqëzimin e rrugëve të energjisë dhe tregtisë dhe është kthyer në një qendër transporti me infrastrukturën e tij të zhvilluar, ai ka një vend të rëndësishëm në ringjalljen e Rrugës së Lashtë të Mëndafshit. Shquhet gjithashtu si sipërmarrës dhe zbatues i hekurudhës Baku-Tbilisi-Kars (BTQ) dhe transportit ndërkombëtar në korridoret “Veri-Jug”, “Lindje-Perëndim”. Domethënë, përveç që shërben si një portë midis Lindjes dhe Perëndimit, Azerbajxhani është një qendër e rëndësishme tranziti që lidh Veriun dhe Jugun.
Një nga faktorët kryesorë që rrit peshën gjeopolitike globale dhe rajonale të Azerbajxhanit është se ai ka një ekonomi të vetë-mjaftueshme, burime materiale dhe njerëzore, vullnet kombëtar, një qeveri të mbështetur nga populli, një sistem të fortë sigurie dhe institucione të tjera thelbësore. Bazuar në të gjitha këto, Azerbajxhani ka një politikë të brendshme të pavarur dhe zhvillon politikë të jashtme të pavarur gjithashtu.
Në të njëjtën kohë, Azerbajxhani do të presë sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve në Konventën në Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike – “COP29” në vitin aktual. Kjo jo vetëm që do të tërheqë vëmendjen e komunitetit botëror, por gjithashtu do t’i japë Azerbajxhanit një status të ri si një lojtar kyç në bashkëpunimin ndërkombëtar për klimën. Një nga treguesit e parë të besimit të komunitetit botëror dhe suksesit aktual të Azerbajxhanit në nivel ndërkombëtar është tërheqja e Armenisë dhe Bullgarisë nga kandidatura në favor të Azerbajxhanit.
Azerbajxhani dhe Turqia
Turqia është shteti i parë që ka njohur Republikën e Azerbajxhanit me datë 9 nëntor të vitit 1991, pasi shpalli pavarësinë e saj më 30 gusht 1991. Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve të vendosura më 14 janar 1992 janë shumëdimensionale dhe strategjike. Vizitat e ndërsjella intensive të nivelit të lartë janë forca më e rëndësishme shtytëse e këtyre marrëdhënieve.
Për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe, në vitin 2010 u krijua mekanizmi i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë (YDSK) në nivel presidencial. Gjithashtu, takimet trepalëshe Turqi-Azerbajxhan-Gjeorgji, Turqi-Azerbajxhan-Iran dhe Turqi-Azerbajxhan-Turkmenistan të krijuara me kërkesën e Azerbajxhanit janë mekanizma të rëndësishëm që kontribuojnë në stabilitetin, paqen dhe prosperitetin rajonal. Proceset e takimeve trepalëshe Turqi-Azerbajxhan-Gjeorgji dhe Turqi-Azerbajxhan-Turkmenistan janë ngritur gjithashtu në nivelin e krerëve të shteteve. Mekanizmi trepalësh Turqi-Azerbajxhan-Pakistan u krijua në vitin 2017 dhe takimi i tij i parë u mbajt në Baku më 30 nëntor 2017. Takimi i parë katërpalësh i ministrave të jashtëm Turqi-Azerbajxhan-Gjeorgji-Iran u mbajt në Baku më 15 mars 2018 për të diskutuar bashkëpunimin rajonal.
Republika Autonome e Nahçivanit, e cila përbën të vetmen lidhje tokësore midis Turqisë dhe Azerbajxhanit, zë një vend të veçantë për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe. I vendosur midis Armenisë, Iranit dhe Turqisë dhe fizikisht i ndarë nga Azerbajxhani, Nahçivan, i cili është përshkruar si “Porta Turke” në histori, përbën pikën e drejtpërdrejtë të lidhjes së Turqisë me popullin azerbajxhanas.
Nga ana tjetër, Azerbajxhani së bashku me Turqinë kanë propozuar një projekt që do të zhvillonte rajonin e Kaukazit Jugor dhe do të siguronte prosperitetin ekonomik të të gjitha vendeve fqinje me formulën 3+3.
Duke marrë përgjegjësinë për të ndryshuar fatin e rajonit, krerët e Azerbajxhanit dhe Turqisë vazhdimisht bëjnë thirrje për bashkëpunim rajonal. Shto kësaj edhe faktin se Azerbajxhani si vend transferi i logjistikës midis Azisë dhe Evropës, aspiron të krijojë lidhje të fuqishme midis vendeve të botës përmes Korridorit Zangezur. Kjo axhendë azere i mundëson Turqisë të bëhet një zonë e rëndësishme tranzicioni ndërkontinental energjetik dhe jo vetëm.
Shikuar në hartën e rajonit, duket qartë se vjetërsia e Korridorit Verior dhe Rrugës Jugore për shkak të konfliktit gjeopolitik midis Perëndimit dhe Rusisë si dhe sanksioneve të vendosura ndaj Iranit për shkak të programit të saj bërthamor, e rrit rëndësinë e Korridorit Qendror që kalon përmes Azerbajxhanit. Aktualisht, Korridori Qendror funksionon falë ‘Korridorit Ndërkombëtar të Transportit Trans-Kaspik’ të formuar nga katërshja Kazakistan-Azerbajxhan-Gjeorgji-Turqi. Për të siguruar pozicion edhe më të fortë, Azerbajxhani po shton investimet në portet e tij në Detin Kaspik dhe hekurudhën Baku-Tbilisi-Kars. E gjithë kjo do të rris kapacitetin transportues të këtij korridori dhe do ta fuqizojë Turqinë edhe më shumë.
Irani, Turqia Azerbajxhani dhe Izraeli – konflikti i fshehur në Kaukaz
Thirrja e lideri të Lëvizjes së Zgjimit Kombëtar në Azerbajxhanin e Jugut, Mahmoud Ali Shahragani para do kohe nga Washington DC për shkëputjen e veriut të Iranit të banuar me azerë dhe bashkangjitjen e saj Azerbajxhanit ka bërë bujë të madhe në rajon. Kjo paraqitje mediatike e Shahraganit është një tregues i fortë i tensionit të vazhdueshëm midis Iranit dhe Azerbajxhanit. Frika e Teheranit nga Azerbajxhani nuk lidhet vetëm me frikën ndaj separatistëve azerë por ka të bëjë edhe me betejat qendrore për ndikim në Kaukaz, në të cilat Teherani është i angazhuar kundër Turqisë nga njëra anë, dhe në përballje me Izraelin nga ana tjetër.
Kështu që, raportet e mira të Iranit me Armeninë orthodokse në llogari të Azerbejxhanit me shumicë shiite, sa do që duken të çuditshme, për njohësit e rajonit ato janë më se normale. Thamë pak më lartë, Azerbajxhani është një vend me shumicë shiite, ashtu si Irani. Pikërisht kjo mazhorancë është arsyeja e rezervave të Bakut në marrëdhëniet me Teheranin, sepse Baku vazhdimisht ka frikë nga eksportimi i islamit politik shiit brenda Azerbajxhanit. Nga ana tjetër, edhe Teherani ka frikë nga mobilizimi i popullatës azere brenda Iranit kundër regjimit islamik të Teheranit. Pasi, nacionalizmi azerbajxhanas i kombinuar me zemërimin ekzistues mbi krizën sociale dhe ekonomike mund të krijonte një situatë shpërthyese në provincat veriore të Iranit.
Kthyer dy tri vite pas, fitorja e Azerbajxhanit ndaj Armenisë për Nagornji Karabagun i kontribuoi shtimit të frikës së Teheranit rreth ndryshimit të ekuilibrit të fuqisë së tij në rajon. Irani ndan një kufi prej 750 kilometrash me Azerbajxhanin dhe rajonin “Nahçivan” (një enklavë e ndarë nga pjesa tjetër e Azerbajxhanit dhe ngjitur me Turqinë dhe Armeninë). Sulmet ndaj objektivave në Armeninë jugore në vitin 2022 me qëllim të kontrollit të Korridorit Zangezur, i cili ndodhet në kufirin midis Iranit dhe Armenisë dhe lidhë Azerbajxhanit me rajonin e Nakhchivanit, Teherani i konsideronte si pjesë e një përpjekjeje për ta rrethuar atë, veçanërisht pasi korridori që kalon kufirin jugor të Armenisë i siguron Turqisë qasje të drejtpërdrejtë në Azinë Qendrore, dhe kështu zvogëlon ndikimin e Teheranit.
Prandaj Teherani prej kohësh është në aleancë gjeopolitike me Armeninë si një mjet kyç në përpjekjet e tij për të balancuar ndikimin turk dhe izraelit në rajon. Megjithëse kufiri i tij me Armeninë është i shkurtër, ai është një kufi me rëndësi të madhe strategjike. Ai kufi është një litar shpëtimi për tre milionë armenë, vendi i të cilëve nuk ka dalje në det për shkak se është i rrethuar nga Azerbajxhani dhe Turqia. Prandaj Teherani mbështetë Armeninë. Kjo mbështetje nuk ishte e kufizuar vetëm gjatë luftës së vitit 2020 dhe lejimin e Rusisë që të përdorte hapësirën ajrore të Iranit për të dërguar furnizime ushtarake në Jerevan, por përfshinte gjithashtu rritjen e projekteve komerciale, energjetike dhe komunikuese iraniane me Armeninë aleate. Më 1 nëntor 2022, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje për të zgjatur kushtet e marrëveshjes “gaz për energji elektrike”, e cila përcakton importin e gazit iranian dhe eksportin e energjisë elektrike në Armeni. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit gjithashtu intensifikoi bashkëpunimin e tij ushtarak me Armeninë.
Megjithatë, Teherani e kuptoi pas përfundimit të asaj lufte se kishte nevojë për njëfarë ndikimi në Azerbajxhan dhe në të vërtetë ai kërkoi të ishte i pranishëm në Baku politikisht dhe ushtarakisht pavarësisht tensioneve. Teherani është fokusuar në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shtyrjen e planeve për të krijuar lidhje gjithëpërfshirëse rajonale të transportit, siç është korridori hekurudhor veri-jug që lidh Indinë me Rusinë nëpërmjet Iranit dhe Azerbajxhanit. Në mars 2022, Azerbajxhani dhe Irani nënshkruan një marrëveshje për krijimin e hekurudhave të reja, autostradave dhe linjave të furnizimit me energji që lidhin tokat jugore të Karabagut me provincën Nahçivan.
Një vit para luftës së 2020-ës, Azerbajxhani befasohet nga njësitë e blinduara, artileria, dronët dhe helikopterët luftarakë iranianë në kufi, dhe kjo ishte një nga manovrat më të mëdha ushtarake iraniane në dekada. Tensionet nisën Baku vendosi një taksë për kamionët iranianë që transportonin mallra në Armeni. Sipas ‘Institutit Amerikan për Studime të Luftës’, Irani jepte të kuptohej se nuk do të pranon praninë e “inteligjencës izraelite” pasi që ajo përdorte Azerbajxhanin si bazën e tij.
Shqetësimi iranian për marrëdhëniet e Azerbajxhanit me Izraelin shkon prapa deri tek rënia Bashkimit Sovjetik. Që kur Azerbajxhani dhe Armenia fituan pavarësinë në vitin 1990, Izraeli u ka hapur të dy vendeve derën e marrëdhënieve bilaterale. Azerbajxhani përgjigjet pozitivisht dhe zhvilloi një marrëdhënie strategjike që i parapriu shumicës së vendeve arabe dhe islamike. Në anën tjetër, Armenia nuk mori iniciativën për të zhvilluar marrëdhëniet e saj me Izraelin, dhe zgjodhi të krijojë një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë, e cila krijoi dy baza ushtarake në territorin e saj dhe gjithashtu nisi një marrëdhënie të fortë me Iranin. Me kalimin e kohës, Azerbajxhani i pasur me naftë ka furnizuar Izraelin me një pjesë të madhe të nevojave të tij për naftë dhe është bërë një blerës i teknologjisë ushtarake izraelite. Izraeli, nga ana tjetër, është bërë furnizuesi i dytë më i madh i armëve për Azerbajxhanin pas Rusisë gjatë dekadës së fundit, pasi e furnizoi atë me dronë të avancuar dhe armë të tjera në luftën e vitit 2020.
Irani ka kohë që flet për Azerbajxhanin se është bërë një bazë spiunimi izraelit Përmes mjeteve si dronët vëzhgues dhe Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Azerbajxhanit, të cilin Irani e konsideron të lidhur ngushtë me inteligjencën izraelite. Iranianët kanë treguar në mënyrë eksplicite se Izraeli vodhi një numër të madh dosjesh të ndjeshme bërthamore në vitin 2018. Pas luftës së vitit 2020, Teherani fillon të flas për praninë izraelite në Kaukaz. Madje Irani akuzoi Izraelin se përdor praninë e tij në Azerbajxhan për të vrarë shkencëtarët bërthamorë iranianë.
Me këmbënguljen e Izraelit për t’iu afruar kufijve të Teheranit në përgjigje të forcimit të pranisë së tij në Siri, Liban dhe Gaza nga ky i fundit, duket se lufta e Ukrainës ka hapur një derë të re në konfliktin mes dy vendeve. Pasi humbjet në shkallë të gjerë e detyruan Rusinë të ridislokojë disa nga forcat e saj nga Siria dhe Kaukazi i Jugut në frontin ukrainas, madje edhe të përdorë armët iraniane, Rusia nuk është më e interesuar të kufizojë praninë e Iranit në Siri, siç bëri më parë gjatë mirëkuptimeve të saj me Izraelin. Duke pasur parasysh shtrirjen e Izraelit me Ukrainën dhe aleancën perëndimore, forcimi i aleancës ruso-iraniane do të thotë se roli i Azerbajxhanit si një aleat kryesor i shtetit hebre po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.
Lufta për ndikimin turko-iranian
Shqetësimet e Iranit në Kaukaz nuk kufizohen vetëm në Izraelin por edhe me Turqinë. Më 21 tetor 2022, ministri i jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian hapi një konsullatë të re në qytetin armen të Kapanit, pranë Qafës Zangezur. Në një mesazh urgjent që përkoi me vizitën e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në rajonin e Zangilanit të Azerbajxhanit, Irani konfirmoi se aleanca e tij me Armeninë është e vendosur dhe po shkon drejt zhvillimit të mëtejshëm. Irani dëshiron ta bëj të qartë se fuqia ushtarake, diplomatike dhe politike e saj është e mjaftueshme sa për të ruajtur situatën aktuale rajonale dhe për të refuzuar ndryshimin e ekuilibrit të fuqisë në atë regjion.
Lufta e vitit 2020 dëshmoi shfaqjen e rolit turk në Kaukaz më shumë se më parë, pasi u pa mbështetja e hapur ushtarake dhe politike e Ankarasë për Azerbajxhanin kundër Armenisë, e cila ka pasur marrëdhënie të tensionuara historike me Turqinë për gati 100 vjet. Me këmbënguljen e Ankarasë për furnizimin e Azerbajxhanit me armë moderne pas përfundimit të luftës dhe trajnimin e ushtarëve të tij, frika e Teheranit u përkeqësua, i cili e sheh Turqinë si një anëtare të NATO-s dhe një aleate të Perëndimit, dhe në raste të tjera është e kujdesshme për forcimin e nacionalizmit turk duke përfituar nga gjuha, historia dhe kultura e përbashkët për të komunikuar me popullsinë azere të Iranit verior.
Kjo vjen në një kohë kur Teherani e sheh veten të izoluar për shkak të sanksioneve ndërkombëtare që kufizojnë rolin e tij si një qendër tregtare rajonale, ndërsa Turqia po lëviz për ta bërë veten një qendër tregtare duke stimuluar “Iniciativën e Korridorit Lindor-Perëndimor përtej Detit Kaspik”, të cilën Ankaraja i referohet gjithashtu si “Korridori i Mesëm.” Ky rrugë lidhë Turqinë me Kaukazin nëpërmjet Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit, pastaj nëpërmjet një lidhjeje detare që kalon Detin Kaspik në Azinë Qendrore dhe Kinë. Është një projekt që u bë i njohur pas luftës së Ukrainës, projekt ky që anashkalon Rusinë dhe Iranin së bashku.
Për më tepër, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, iranianët ishin të shqetësuar se sanksionet perëndimore kundër Rusisë do të pengonin aftësinë e Kremlinit për të vepruar si garantues i stabilitetit të shtetit armen dhe ekuilibrit të fuqisë në Kaukaz, pasi vetë Moska luan rolin kryesor në rajon nëpërmjet institucioneve të tilla si Organizata e Traktatit të Sigurisë, CSTO, në kuadër të së cilës janë vendosur rreth dy mijë paqeruajtës rusë në Nagorno-Karabakh. Në të njëjtën kohë, iranianët besojnë se një rënie e mundshme e ndikimit rus në Kaukazin e Jugut për shkak të një ndryshimi të fokusit rus drejt Ukrainës mund të bëjë që SHBA të zëvendësojnë rusët në Kaukaz ose të çojë në një prani të shtuar turke dhe ndoshta izraelite.
Në një kohë kur liderët iranianë po kritikojnë fokusin e presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev në “unifikimin e gjeografisë së botës turke” përmes Korridorit Zangezur (i cili zgjeron ndikimin e Turqisë), iranianët thonë se kanë prova se edhe Izraeli po luan lojën e tij. Ambasadori izraelit në Azerbajxhan kishte postuar më parë një postim në Twitter duke lexuar një libër me titull “Legjendat magjike të Tabrizit.” Duke qenë se Tabrizi është kryeqyteti i provincës iraniane të Azerbajxhasve, shumë iranianë e panë këtë gjest si një miratim të agjendës separatiste të provincës së Azerbajxhanit brenda Iranit.
Muajt në vijim do të zbulojnë nëse Irani do të vazhdojë përshkallëzimin e qëllimshëm kundër Azerbajxhanit për të siguruar tërheqjen e tij nga projekti i Korridorit Zangezur, të cilin e sheh si një shtrirje të ndikimit turk rreth tij, apo nëse do të kërkojë të arrijë një armëpushim apo kompromis, ndoshta të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila gjithashtu është e shqetësuar për të mos tërhequr palët në Kaukaz në një përshkallëzim gjithëpërfshirës. Shpërthimi i një konfrontimi ushtarak më të gjerë se lufta e vitit 2020 nuk përjashtohet nëse Baku dhe aleatët e tij këmbëngulin në korridor pa marrë parasysh shqetësimet e Iranit, veçanërisht me kompleksitetin e negociatave ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë herë pas here. Sa i përket përballjes me Izraelin dhe pranisë së tij në rritje në Kaukaz, është ende e paqartë se deri në çfarë mase Teherani mund të formulojë një politikë mbrojtëse dhe sigurie për t’u përballur me të, në dritën e preokupimit të tij të madh me situatën e brendshme, pozicionin e tij në Siri, interesimin e shtuar rreth luftës në Gaza e sidomos kujdesin ekstrem sa i përket Grykës së Bab el-Mendeb në jug të Jemenit.
Prandaj them se këto zgjedhje në Azerbajxhan kanë një rëndësi të posaçme. Ato prekin të gjitha nuancat gjeo-ekonomike dhe gjeo-strategjike jo vetëm të rajonit, por edhe deri në Lindje të Mesme përreth Izraelit. Rezultati i votimeve do të përcaktojë rrugëtimin e këtij vendi me një zhvillim kaq të shpejtë në të gjitha rrafshet e jetës. Gjithsesi, presidenti i ri i cili do të del nga kutitë e votimit, do të vazhdojë epokën e reputacionit të fituar në 20 vjetët e fundit. Sipas fjalëve të presidentit aktual Ilham Aliyev, “Azerbajxhani ka lënë pas një periudhë historike duke e kurorëzuar me fitoren e Karabakut. Tani nisim një epokë të re ringjalljeje që do ta bëjë Azerbajxhanin vend edhe më të fuqishëm dhe të rëndësishëm”.
Azerbajxhani dhe Kosova
Me gjithë këto përparësi dhe fuqi që ka Azerbajxhani, ky vend me prejardhje turke ende nuk e ka njohur Kosovën. Që në shkurt të 2008, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit pati dal[ me deklaratën aspak të këndshme për Kosovën: “Pavarësinë e Kosovës ne e shohim si akt i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Nisur nga kjo, qëndrimi i Azerbajxhanit është i qartë: Ne nuk njohim pavarësinë e Kosovës”. Përtej kësaj, në samitin e OIC-së më 10 mars 2008, Azerbajxhani kundërshtoi miratimin e dokumentit, të propozuar nga Turqia, që do t’i jepte mbështetje shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërsa më 19 qershor 2008, gjatë takimit të OBI-së, Azerbajxhani ishte ndër vendet që kundërshtuan njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Aq më keq, në një seancë dëgjimore të 3 dhjetorit 2009 në GJND, delegacioni i Azerbajxhanit pati thënë se subjektet që deklarojnë shkëputjen duke shkelur ligjet e brendshme të shtetit nuk mund të konsiderohen si shtete dhe aq duhet të pranohen si të tilla. Pushteti nuk është e drejtë , dhe forca nuk është ligji.
Në një takim me presidentin serb Boris Tadiq në Baku në maj 2010, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev kishte thënë se Serbia dhe Azerbajxhani ndihmojnë reciprokisht njëri-tjetrin në arenën ndërkombëtare dhe se vendi i tij ofron mbështetje të fortë për integritetin territorial të Serbisë. Pavarësia e shpallur në mënyrë të njëanshme e Kosovës është një veprim i paligjshëm dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që të respektojnë të drejtën ndërkombëtare.
Më 20 gusht të vitit 2021, agjencia e lajmeve të Armenisë ‘Armenia News’ pati shkruar se Prishtina ka kërkuar nga Azerbajxhani që të njohë pavarësinë e Kosovës. Pas këtij lajmi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq në televizionin RTS thotë: “Kemi pa në Prishtinë pyetjet e fundit të ministrit të mbrojtjes, i cili kërkonte nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Ukraina dhe disa vende të tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sjellja e Prishtinës është shkelje e marrëveshjes së Washingtonit, marrëveshje kjo që i lidh duart Beogradit. Tani dimë saktësisht se në cilin drejtim të lëvizim. Ndjehem mirë që ata na informuan për këtë. Faleminderit”.