Shteti gjerman ka mbështetur deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian sot gjatë ditës, ku thuhet se janë të shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës ku janë mbyllur institucionet e drejtuara nga Serbia.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një reagimi në platformën X, shkruan se mbështesin deklaratën e BE-së, transmeton Telegrafi.
Në reagim, Rohde shton tutje se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë është vendi më i përshtatshëm për të adresuar këto çështje.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thuhet se BE-ja është shqetësuar me operacionet e Policisë së Kosovës gjatë kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog e Klinë.
Stano ka thënë se BE është e shqetësuar edhe me operacionin që ndodhi në objektin e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Tolerancë në Prishtinë.
Ndryshe, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, mbrëmë ka reaguar duke thënë se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-të të shërbejnë si avokues për Kosovën në arenën ndërkombëtare”. /Telegrafi/