Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka lëshuar një deklaratë, përmes së cilës kërkon nga Kosova që “të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE”.
“Bashkimi Evropian nënvizon me shqetësim të madh operacionet e Policisë Speciale të kësaj jave në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia në komunat Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë dhe objektet e organizatës joqeveritare Qendra për Paqe dhe Toleranca në Prishtinë.”
Stano ka thënë se mbyllja e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë.
“Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative për kushtet jetësore të përditshme të komunitetit serb të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.”
Ai ka shtuar se statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut.
“Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.”
Lidhur me këto çështje, mbrëmë ka dalë me reagim edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke thënë se autoritetet e Kosovës po nxisin tensione ndëretnike të panevojshme.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi për të gjitha shqetësimet e qytetarëve, ndërsa ka shtuar se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihet në dialog.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenier.