Forumi i Davosit po i vazhdon punimet. Ndërsa në terren tablloja është dramatike: konflikti në Detin e Kuq, pragkonflikti ndërmjet Pakistanit e Iranit, gjenocidi në Gazë që vazhdon me intensitet, luftës në Ukrainë nuk i shihet fundi. Në prapavijë të këtyre konflikteve, kollapsi i Gjermanisë nga protestat dhe rritja e forcave neonaziste, fitorja në Hollandë e ekstremistit islamofobik, gjasat për rikthimin triumfal të Trampit, etj.
Shkruan: Milazim Krasniqi
Ma merr mendja se pak njerëz dinë t’i lidhin të gjitha këto ngjarje brenda një projekti, brenda një plani. Ka pak njerëz që mund t’i lidhin, sepse shumica e njerërzve në kohën e postmodernizmit nuk kanë kujtesë, nuk e dinë historinë, ose e dinë të dekontruktuar, e dinë gabimisht. E pra, ata që vërtetë e dinë historinë, e kanë të qartë se po funksionon strategjia e asaj që quhet “paqja kryqtare.”
Çka është “paqja kryqtare?” Me atë projekt Evropa në Mesjetë e pati larguar luftën nga trualli i vet dhe e pati eksportuar në kontinentet e tjera, kundër feve e qytetërimeve të tjera. Mbi atë projekt janë realizuar kryqëzatat, kolonializimi, imperializmi, po edhe globalizmi. Dy herë Evropa nuk ka arritë t’i eksportojë krizat e veta jashtë Evropës dhe në të dyja rastet ka përfunduar e pllakosur nga luftëra botërore.
Po tash çka po ndodhë? Nëse rritet kriza ekonomike, sociale e politike në Gjermani e në BE dhe nëse lëvizjet neonaziste e neofashiste e kërcënojnë Evropën seriozisht, siç ka shenja, doktrina e vjetër “paqja kryqtare”, mund të prodhojë luftëra të reja jashtë Evropës, si ajo në Siri, në Jemen, në Palestinë, bën vaki edhe në Iran e Pakistan e deri në Kinë.
Problem më vete është pse shumica e luftërave e konflikteve ndodhin në shtete muslimane. Kjo nuk ndodhë vetëm si rezultat i projektit të “paqes kryqtare.” Kjo ndodhë edhe shkaku i marrëzive të vetë elitave dhe shoqërive muslimane. Me sa duket ato nuk e njohin as historinë e politikave të Perëndimit e as strategjitë e sotme të tij. Vetë fakti që nuk e kanë asnjë universitet në listën e 100 universiteteve më të mira në botë, tregon se ku janë. Por ama e kanë Dubain, si simbol të hedonizmit dhe konsumerizmit globalist, për shkak të të cilit “paqja kryqtare” funksionon shumë më me efikasitet.
Nuk jam ithtar i analogjive në analiza politike, ama seç më duket që ka njëfarë ngjashmërie ndërmjet koncilit në Klermont të kohës së papa Urbanit (1095) dhe Davosit të sotëm. Kam qejf ta kem gabim këtë analogji.