Të premten të gjithë ne u zgjuam me lajmet për sulmet ajrore të ShBA-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar [MB] në Jemen.
Shkruan: Kim Darroch / The Guardian
Ekranet tona televizive ishin të mbushura me imazhet e bombarduesve të RAF-it [Forcat Ajrore Mbretërore] që ngriheshin në qiellin e natës mesdhetare, si dhe me shpërthimet në dukje të rastësishme që ndriçonin shkurtimisht peizazhet e errësuara pa emër – si në ndonjë video-lojë me lëvizje të ngadaltë. Por, këtu përfshihen objektivat realë strategjikë dhe njerëzit e vërtetë: pilotët britanikë dhe amerikanë që rrezikojnë jetën e vet dhe jemenasit në terrenin nën ato bomba.
Në gusht të vitit 2013 isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Më kujtohet qartë se isha ulur në bodrumin Nr. 10, gjatë një pasditeje të së shtunes me diell, duke e dëgjuar një bisedë telefonike të Barack Obamas me David Cameronin. Propozimi i ShBA-së ishte i kufizuar: sulme “kirurgjikale” ajrore mbi forcat qeveritare siriane, nëse është e mundur sa më shpejt – që të dielën në mbrëmje. Por, inspektorët e OKB-së ishin ende në Siri dhe orari ndryshoi, duke lejuar një kohë për diskutimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të Kabinetit dhe, fatmirësisht, mbledhjen e Parlamentit.
Disa ditë më vonë, Obama braktisi planet e tij për sulmet ajrore të ShBA-së, duke u përcaktuar për një marrëveshje që përfshin premtimet siriane për të dorëzuar kapacitetet e tyre të armëve kimike. Obama më vonë pohoi se ishte një nga vendimet më të mira që mori ndonjëherë. Por, lexojeni autobiografinë e David Cameronit për pikëpamjen krejtësisht më ndryshe. Qeveria e Assadit përfundimisht e fitoi në luftën civile – me koston e shkatërrimit të plotë të vendit – ndërsa Rusia dhe Irani e zgjeruan shtrirjen dhe ndikimin e vet. Disa e panë këtë si kthesë strategjike nga ku Perëndimi kurrë nuk është rimëkëmbur. Pra, precedentët historikë janë dekurajues. Zmbrapsjet bënë që forcat perëndimore të zhyten në luftërat të pafundme në dukje. Zbythja ua dorëzoi territorin dhe avantazhin armiqve tanë. A mund të jetë këtë herë historia më ndryshe? Rasti për veprim është i fortë. Rreth 15 për qind e tregtisë globale kalon përmes Detit të Kuq. Sulmet e hutëve mund të kenë pretendimin se po e veçojnë transportin e destinuar për në portet izraelite, por realiteti është se ato janë pa dallim dhe se cak e kanë këdo që kalon. Ndërsa, dërgimi i anijeve të ngarkesave rreth rrugës shumë më të gjatë të Kepit të Shpresës së Mirë, i shton shumë kostot e transportit. Sipas analistit të transportit të anijeve që jeton në Kopenhagë, Peter Sand, për udhëtim nevojiten karburantet shtesë me vlerë prej një milion dollarëve. Këto kosto shtesë reflektohen në pazar dhe rrezikojnë përsëritjen e inflacionit posa bankat qendrore ta marrin këtë nën kontroll. Ato do t’i komplikonin problemet ekonomike në të dy anët e Atlantikut.
Vlerësimet zgjedhore për Bidenin janë në rënie, pjesërisht për shkak të dëshpërimit të përhapur në lidhje me ekonominë amerikane, ndërsa konservatorët [në Mbretërinë e Bashkuar] po përballen me përplasjen që përfshin rritjen e paktë ose inekzistente, një krizë të kostos së jetesës, kostot e larta të energjisë dhe të hipotekave, si dhe inflacionin e rëndë.
E gjithë kjo do të thotë se ky është një operacion me rrezik të lartë, i mbushur me pasiguri. Megjithatë, ka diçka nga moda vjetër, pothuajse donkishoteske në lidhje me atë që po bëjnë Joe Bideni dhe Rishi Sunaku. Ata mund të mos e kuptojnë këtë, por në të vërtetë janë ndjekës të strategut të madh detar amerikan të shekullit XIX, Alfred Thayer Mahan, i cili në veprën e tij më të njohur, Ndikimi në histori i fuqisë së detit, ka thënë: “Ai që sundon valët e sundon botën”. Për më tepër, ata po e mbrojnë rendin botëror të pasluftës. E drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë, vlerat perëndimore duhet të dominojnë, anarkia duhet të sfidohet, rendi duhet të rivendoset – dhe rrugët detare duhet të mbahen të hapura. Por, në këtë epokë të populistëve dhe të njerëzve të fortë, karrierat politike të Bidenit dhe Sunakut varen në një fije peri. Të dy përballen me zgjedhjet brenda 12 muajve të ardhshëm. Dhe, të dy ata qëndrojnë shumë keq në sondazhe. Kjo mund të jetë një pikë kthese për njërin ose tjetrin. Ose, mund të jetë gulçimi i fundit i rendit të vjetër. Unë vetëm shpresoj se kjo ndërhyrje e tyre do të ketë sukses. /Telegrafi/