Aeroporti i Tiranës, i Shkupit dhe ai i Prishtinës kanë regjistruar rekord në numrin e pasagjerëve që kanë shfrytëzuar aeroportet për fluturime.
Ndërsa nga të tria Aeroportet e këtyre shteteve, ai i Shqipërisë, Tirana, ka shifrat më të larta.
Në të dhënat që ka publikuar në faqen zyrtare Aeroporti i Tiranës, me 7,2 milionë turistë që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, e konsideron turizmin e vitit 2023 një moment historik dhe mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë.
7,25 milionë pasagjerë regjistroi Aeroporti i Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” (TIA) deklaron se 7,2 milionë turistë kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, nëpërmjet këtij aeroporti.
“TIA shpall me krenari një moment historik të rëndësishëm, pasi i ka shërbyer 7.257.634 pasagjerëve gjatë gjithë vitit 2023. Kjo arritje shënon një rritje të konsiderueshme prej 40% krahasuar me një vit më pare dhe 117% se viti 2019, duke forcuar pozicionin e TIA-s si një çelës lojtar në industrinë rajonale të aviacionit”, thuhet në njoftimin për media nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Viti 2023 shfaqi rritje të qëndrueshme përgjatë muajve të ndryshëm, duke theksuar përkushtimin e aeroportit për të ofruar shërbime të shkëlqyera dhe për të nxitur udhëtimin ajror.
“Totali kumulativ prej 7.257.634 pasagjerësh në vitin 2023 është një dëshmi e përkushtimit të TIA-s për përsosmëri, efikasitet dhe kënaqësinë e pasagjerëve. Aeroporti ka tejkaluar vazhdimisht pritshmëritë, duke reflektuar ndikimin pozitiv të planifikimit strategjik dhe investimeve në infrastrukturë”, thonë më tej Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Mbi tre milionë pasagjerë edhe në aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit
Edhe TAV Macedonia, një degë e TAV Airports, pjesë e ADP Group, që administron dy aeroportet në Maqedoninë e Veriut, atë të Shkupit dhe atë të Ohrit, ka raportuar një rritje të konsiderueshme të numrit të pasagjerëve për vitin 2023.
Megjithëse shifrat në total për vitin 2023 nuk janë publikuar akoma, për periudhën janar – shtator 2023, TAV raportoi se gjithsej 2,4 milionë (2.357.712) udhëtuan përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit dhe Aeroporti Apostull Shën Pali në Ohër, i cili paraqet një rritje vjetore prej 30% krahasuar me vitin 2022.
Krahasuar me vitin 2019, që konsiderohet viti referencë në aviacion, si viti më i mirë për sa i përket trafikut të pasagjerëve para COVID-19, të dyja aeroportet kanë regjistruar 15% më shumë pasagjerë në periudhën janar-shtator 2023.
Destinacionet më të shpeshta nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, sipas statistikave të trafikut të pasagjerëve të TAV Maqedoni, për periudhën janar-shtator 2023, ishin Istanbuli, Baseli, Cyrihu, Vjena, Dortmundi, pastaj Frankfurti, Mynihu dhe Antalia.
Aeroporti i Prishtinës, mbi 200 udhëtime vetëm në dhjetor
Rritje të numrit të turistëve ka regjistruar edhe Aeroporti i Prishtinës. Edhe pse akoma shërbimet e këtij aeroporti nuk kanë publikuar shifrat në totatal, të paktën nëse merret parasysh vetëm muaji dhjetor Aeroporti i Prishtinës, ka regjistruar mbi 200 mijë pasagjerë.
Zëdhënësja e Aeroportit “Adem Jashari”, Valentina Gara, përmes një postimin në Facebook, javë më parë shkroi se nga 1 deri më 27 dhjetor (2023) 221.309 persona kanë shfrytëzuar Aeroportin “Adem Jashari” për udhëtimet e tyre.
Sipas saj, aeroporti ka tejkaluar numrin prej 3,4 milionë udhëtarëve që kanë shfrytëzuar këtë aeroport gjatë 2023.
“Vetëm në muajin dhjetor nga data 1 deri më 27 (deri më sot) kanë udhëtuar 221.309 udhëtarë, përmes ANP ‘Adem Jashari’ (ku nga këta 133.910 kanë qenë në ardhje), përderisa presim të përmbyllim vitin me mbi 3,4 milionë udhëtarë”- ka shkruar Gara në Facebook.