Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby i tha Zërit të Amerikës, se qasja e Uashingtonit ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar.
Këto komente zoti Kirby i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim mbi një artikull redaksional të gazetës “Washington Post”, ku thuhet se Presidenti Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiq në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.
Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.
“Washingtoni Post” thotë se Vuçiqi në takime private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij ‘i pabindur’ të jetë pjesë e Bashkimin Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.
“Edhe pse disa kriza të rrezikshme gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje kanë pasur gjurmë gishtash serbe, Shtetet e Bashkuara kanë shmangur fajësimin e qartë të njërës palë, duke preferuar të bëjnë thirrje për qetësi”, thekson artikulli.