Pas paralajmërimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është publikuar një draftstatut i AKS-së përmes ish-politikanit dhe ish-zyrtarit të lartë të AKI-së (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë).
Pas disa ditëve u konfirmua se draftin e kanë lexuar disa politikanë të opozitës, përderisa “draftstatuti” zyrtar po mbahet larg publikut, sepse faktori ndërkombëtar paska kërkuar kështu.
Vazhdon mungesa e transparencës lidhur me çështjen e themelimit të AKS-së, edhe pas debatit parlamentar dhe debatit në media.
Janë disa aspekte juridike lidhur me disa nene të draftstatutit të AKS-së, që bien ndesh me rendin juridik – kushtetues të Republikës së Kosovës, rregullimin shtetëror dhe formën e qeverisjes, si në vijim:
Baza juridike e draftstatutit
Çfarë relevantë juridike ka kjo marrëveshje e paratifikuar nga Serbia?
Pse i kërkohet Kosovës të negociojë për draftstatutin e AKS-së, që është punë e brendshme e Kosovës?
Të sqarohet, pse duhet me qenë bazë juridike e statutit të AKS-së, Rezoluta 1244/99 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kur statusi juridik dhe politik i Kosovës është i zgjidhur?
Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15/06/2008, realiteti juridik, lidhur me shtetësinë e Kosovës është i pranuar juridikisht në aspekt ndërkombëtar.
Çfarë rëndësie kanë aktet ndërkombëtare dhe disa ligje të përmendura si bazë juridike, kur njëkohësisht përmendet edhe Kushtetuta, kur dihet se Kosova me Kushtetutën e 2008 i ka përfshirë të gjitha kërkesat e “ndërkombëtarëve”, lidhur me çështjen e pakicave, konkretisht pakicës serbe? Pse duhet të rirregullohet diçka që është e rregulluar tash e mbi 15 vjet?
Neni 2 [sfondi dhe objektivat]
Të kërkohen sqarime pse duhet të rishkruhen nene të cilat janë në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse prej datës 15 qershor 2008. Të gjitha këto që janë shkruar në nenin 2, janë në kapitullin e tretë të Kushtetutës.
Neni 6 [ndryshimet në statut]
Ndryshimet në statut nuk mund të bëhen në këtë formë, ku pas ndryshimeve të kërkohet vlerësim nga Gjykata Kushtetuese, sepse statuti nuk është kushtetutë. Subjektet e përmendura në nenin 5 nuk janë palë e autorizuar për të ngritur çështje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, neni 113, paragrafët: 1 – 10.
AKS nuk është subjekt shtetëror, që organet e tij të kenë të drejtë të jenë palë e autorizuar për të ngritur çështje në Gjykatën Kushtetuese. Pse tentohet të bëhet kjo?
IV. Neni 7 [çështjet administrative]
Pse duhet të jetë Mitrovica veriore qendër administrative e Asociacionit?
Asociacioni duhet ta ketë qendrën/selinë e saj në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë.
Pse duhet të përmendet në draftstatut Mitrovica e Veriut? Çka ka më shumë Mitrovica e Veriut sesa Graçanica, Shtërpca, Ranilluku, Parteshi?
V. Neni 10 [të drejtat e komuniteteve]
Të kërkohen sqarime pse duhet të rishkruhen nene të cilat janë në Kushtetutë dhe ligjet përkatëse prej datës 15 qershor 2008. Të gjitha këto që janë shkruar në nenin 10 të draftstatutit janë në kapitullin e tretë të Kushtetutës.
VI. Neni 13 [objektivat dhe kompetencat e përgjithshme]
Pse duhet AKS-ja të krijojë akte më të ulëta sesa Kushtetuta dhe ligji për t’i promovuar të drejtat e garantuara të komunitetit serb, të cilat të drejta janë të garantuara me Kushtetutë dhe legjislacion në nivelin më të lartë dhe asnjëherë nuk ka pasur probleme të tilla, që prej 12 qershor 1999.
Në paragrafin 6, të nenit 13 përcaktohet se: “Asociacioni do të mbështesë ushtrimin, siç përcaktohet në këtë Statut, të përgjegjësive komunale në fushat e kompetencave të anëtarëve të saj dhe të zgjeruara, me përjashtim të atyre të listuar në nenin 40.2 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale”.
Të sqarohet kjo: “të përgjegjësive komunale në fushat e kompetencave të anëtarëve të saj dhe të zgjeruara”. Çka do të thotë kjo?
Asnjëherë deri më tani nuk ka ndodhur ndonjë pengesë, përveç ndërhyrjeve nga Serbia, që komunat me shumicë serbe të mos kenë pasur mundësi të ushtrimit të kompetencave të tyre. Pse të rirregullohet kjo?
VII. Neni 14 [Menaxhimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore të themeluara dhe financuara nga Serbia]
Neni 14 është i tëri në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Krijon sistem arsimor dhe shëndetësor paralel me autoritetin e shtetit serb në Kosovë.
Ky nen duhet të sqarohet dhe rishikohet me shumë kujdes kurdo që do të shqyrtohet drafti i statutit si draft final.
Nëse ky nen lejohet të jetë në statut si i tillë, atëherë do të kemi “legalizim” të sistemit paralel arsimor dhe shëndetësor të shtetit serb në Kosovë.
VIII. Neni 15 [përgjegjësitë shtesë në lidhje me arsimin]
Rrjedhimisht edhe neni 15 është në kundërshtim me Kushtetutën.
Ndërsa, te paragrafi d), përcaktohet se: “Ofron mbështetje ligjore, shkencore, financiare dhe sekretare për anëtarët e saj në zbatimin e kompetencave të tyre në fushën e arsimit, përfshirë arsimin e lartë, siç parashikohet me ligj”.
Sipas “Pakos së Ahtisaarit”, e cila është e përfshirë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e vetmja komunë që ka kompetenca në fushën e arsimit të lartë është Komuna e Mitrovicës së veriut.
Pse AKS-ja të marrë këto autorizime dhe të mbështesë në ushtrimin e këtyre kompetencave? Ky është rregullim i ri ligjor dhe paralel.
IX. Neni 21 [të kthyerit në Kosovë]
Kjo është kompetencë shtetërore që ushtrohet nga Qeveria. Ekziston sektor i veçantë qeveritar për këtë proces, i themeluar si organ shteti, që është Ministria për Komunitete dhe Kthim.
Nëse kjo mbetet në statut të AKS-së, atëherë kemi dualizëm të kompetencave në këtë fushë. Pse duhet të rregullohet kjo paralelisht?
X. Neni 37 [Zyra e Ndihmës Juridike]
Kjo është e rregulluar me ligjin 04/L-017 për ndihmë juridike falas. Në Kosovë ekziston Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, dhe ofron shërbime profesionale për të gjithë qytetarët/shtetasit e Kosovës pa asnjë dallim. Është ndër institucionet që ka funksionuar më së miri në Kosovë.
AKS-ja nuk duhet të ketë kompetenca që të krijojë një institucion të tillë paralel.
Pse duhet të bëhet rregullim paralel për ndihmën juridike falas?
XI. Neni 42 [zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet Asociacionit dhe autoriteteve qendrore]
AKS dhe Autoritetet Qendrore të Republikës së Kosovës nuk kanë marrëdhënie kontraktuale, që të zgjidhin në procedurë arbitrazhi.
Çdo tejkalim i kompetencave ose autorizimeve në raport me statutin e AKS-së duhet të zgjidhet në procedurë gjyqësore në gjykatat e rregullta ose në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke i respektuar procedurat ligjore siç e përcakton legjislacioni në fuqi për secilin subjekt juridik.
XII. Neni 44 [vlerësimi kushtetues]
Kjo është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (2008), neni 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara].
AKS-ja nuk duhet të këtë rol paralel, sepse është e drejtë e secilës komunë e përcaktuar direkt me Kushtetutë, neni 113, paragrafi 4.
Pse duhet të bëhet rregullim paralel?
Konkluzion:
Ky draftstatut i konkurron rregullimit shtetëror të Republikës së Kosovës, të përcaktuar me Kushtetutën e vitit 2008.
Statusi juridik i draftstatutit të komunave me shumicë serbe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregullimin shtetëror që e përcakton Kushtetuta.
(Autori është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës)