SHBA-ja e përshkroi vendimin e Afrikës së Jugut për të hapur çështje gjenocidi kundër Izraelit përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) si joproduktiv, duke thënë se nuk kanë vërejtur akte që përbëjnë “gjenocid”.
“Ne nuk mendojmë se kjo është produktive”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Gjenocidi është, sigurisht, një mizori e urryer, një nga mizoritë më të urryera që çdo individ mund të kryejë”, tha Miller, duke shtuar se këto janë akuza që “nuk duhet të bëhen lehtë”.
Megjithatë, Miller tha se SHBA-ja “nuk po sheh asnjë akt që përbën gjenocid”.
I pyetur nëse SHBA-ja sheh ndonjë akt të krimeve të luftës, Miller tha: “Ne vazhdojmë të mbledhim informacione dhe t’i grumbullojmë ato siç bëjmë gjithmonë, por unë nuk kam një vlerësim për të ofruar”.
Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, tha se e konsideron procedimin e rastit në Gjykatë si “të pamerituar, kundërproduktive dhe plotësisht pa asnjë bazë në fakte”.
Afrika e Jugut javën e kaluar paraqiti një kërkesë për fillimin e procedimeve kundër Izraelit përpara GjND-së me bazë në Hagë.
Kërkesa ka të bëjë me shkeljet e pretenduara nga Izraeli të detyrimeve të tij sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit në lidhje me palestinezët në Rripin e Gazës, sipas GjND-së.
“Izraeli është përfshirë, po përfshihet dhe rrezikon të përfshihet më tej në akte gjenocidale kundër popullit palestinez në Gaza”, deklaruan autoritetet e Afrikës së Jugut.
Ai kërkoi masa të përkohshme, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur Konventën e OKB-së për Gjenocidin e vitit 1948 me veprimet e tij në Gaza që nga 7 tetori.