Qyteti me katër lumenj, që në fillim të vitit 2023 u godit nga vërshime të mëdha dhe u përballë me pasoja të rënda.
Vërshime, zgjedhje, protesta, incidente, djegie veturash, sulme ndaj policisë e KFOR-it, akte terroriste, të plagosur e të vrarë, si dhe shumë persona të arrestuar, janë ngjarje të cilat karakterizuan qytetin e Mitrovicës dhe veriun, gjatë vitit 2023.
Vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë, përfshirë edhe ‘Lagjen e boshnjakëve’, e cila është nën administrimin e komunës së Mitrovicës Veriore, kishte tejkaluar shumën mbi 10 milionë euro, ndërsa të gjitha institucionet komunale (në të dy pjesët e qytetit) u angazhuan dhe u vunë në funksion me kapacitete të plota për gati një javë, në përpjekje të kthimit sado pak në normalitet të jetës së qytetarëve.
Dorëheqjet kolektive të serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës, fillimisht të kryetarëve të katër komunave, pastaj asamblistëve komunalë dhe zyrtarëve tjerë nga sektori i sigurisë dhe drejtësisë, që ndodhën më 5 nëntor 2022, krijuan vakum institucional dhe si rjedhojë shfaqën nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat u caktuan për datë 18 dhjetor të po atij viti.
Procesi në këtë datë u anulua, pas rritjes së tensioneve në atë pjesë. Tensionet vazhduan dhe kulmuan me disa incidente me armë zjarri dhe me vendosjen e barrikadave në rrugët që çonin drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhje dolën 1 mijë 567 votues, apo 3.4 për qind e trupit zgjedhor, ndërsa postin e kryetarëve të komunave e fituan katër shqiptarë, dy nga Partia Demokratike e Kosovës dhe dy të tjerë nga Vetëvendosje.
Ceremonia e betimit të kryetarëve të rinj më 25 maj, (përveç atij të Mitrovicës Veriore që u betua një javë më herët), ngriti tensione në atë pjesë të vendit.
Protestuesit në komunat veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, tashmë po kërkonin dorëheqjen e kryetarëve të rinj dhe tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu.
Protestat e tyre po bëheshin çdo ditë e më të dhunshme, duke filluar kështu sulmet ndaj policisë, pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, dhe duke diegur automjetet e tyre.
Konfrontimi i tyre me ushtarët e KFOR-it, la të lënduar e të plagosur rreth 100 persona, 30 prej të cilëve të KFOR-it.
Protestat vazhduan me muaj, por përditë e më pak në numër të protestuesve, ndërsa pjesëtarët e policisë dhe të KFOR-it, vazhdonin detyrat e tyre, duke shpërfillur kështu kërkesat e protestuesve.
Mëngjesin e 24 shtatorit, vendi u trondit nga një sulm i një grupi terrorist prej rreth 100 personave në fshatin Banjskë të Zveçanit, të cilët kishin hyrë në Kosovë me armatim të rëndë nga territori i Serbisë.
Ata po udhëhiqeshin nga Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, njëherësh pjesë e listës së zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kapja e pjesshme e terrenit në veri ishte synimi i grupit terrorist, përmes vendosjes së pozicioneve të luftimit.
Një pjesë e tyre ishte vendosur në Manastirin e Banjskës dhe përreth tij, teksa nga aty po vazhdonin të gjuanin në drejtim të forcave policore.
Si pasojë, i vrarë mbeti rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti, ndërsa një tjetër u lëndua.
Në anën tjetër, tre terroristë u vranë, një u plagos, ndërsa gjashtë të tjerë ishin arrestuar.
Vetëm pak ditë më vonë, Policia e Kosovës bëri të ditur se ka konfiskuar arsenal armësh që i përkiste këtij grupi në vlerë prej mbi 5 milionë euro, derisa dy pikat kufitare me Serbinë u mbyllën për një muaj. /kp/