Numri i të vdekurve në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori ka arritur në 13.000, duke përfshirë mbi 5.500 fëmijë dhe 3.500 gra, tha të dielën zyra e medias në enklavën e rrethuar.
Numri i të plagosurve ka tejkaluar 30.000, me më shumë se 75% e tyre fëmijë dhe gra, thuhet në një deklaratë.
Administrata tha se numri i personave të zhdukur kapërceu 6.000, ku shumica e tyre dyshohet se ishin nën rrënojat e ndërtesave të rëna.
Ata thonë se numri i xhamive të shkatërruara plotësisht ishte 83, ndërsa 166 ishin dëmtuar. Në shënjestër u vunë edhe tri kisha.
Më shumë se 43.000 banesa janë prishur plotësisht, ndërsa 225.000 janë dëmtuar. Kjo do të thotë se 60% e njësive të banimit në Rripin e Gazës u prekën nga bombardimet, sipas deklaratës.
Autoriteti tha se 25 spitale dhe 52 qendra shëndetësore gjithashtu kanë dalë jashtë shërbimit që nga fillimi i sulmeve. Forcat izraelite kanë vënë në shënjestër edhe 55 autoambulanca, ndërsa dhjetëra autoambulanca janë jashtë funksionit për shkak të mungesës së karburantit.
Administrata e konsideroi “Izraelin dhe komunitetin ndërkombëtar plotësisht përgjegjës për krimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës”.
Ata i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar “të bëjë presion për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe këtyre krimeve, të cilat e turpërojnë njerëzimin” dhe theksoi domosdoshmërinë e furnizimit me ndihmë mjekësore, furnizime dhe karburant për spitalet./TRT/