Talenti i Bayern Munich, Dion Berisha i është bashkuar Shqipërisë.
Pak kohë më parë “Dardanët” mbetën pa Arbnor Mujën dhe Mirlind Dakun, të cilët, për shkak të pakënaqësive, preferuan t’i bashkohen Kombëtares shqiptare.
I pari nuk po merrte ftesë nga Kosova A, e i dyti nuk po ftohej qe një kohë, përkundër pritjes.
Në fakt, njëri prej talentëve të së ardhmes i “Dardanëve”, Dion Berisha vendosi t’i thotë “po” Kombëtares U-21 të Shqipërisë.
Më herët nga Kosova U21 për Shqipërinë janë larguar edhe Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, sikurse Ardian Ismajli që iku bashkua Kombëtares A.
Përzgjedhësi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi e shpalli listën e 24 emrave të ftuar për dy ndeshjes kualifikuese të Euro 2025 ndaj Finlandës dhe Malit të Zi.
Dhe, në mesin e të ftuarve shihet edhe emri i talentit të Bayern Munich II, Dion Berisha.
“Nuk mungojnë risitë në listën e Kombëtares U-21, teksa për herë të parë trajneri Alban Bushi e ka ftuar portierin Brajan Lenja nga skuadra e Luzit, mbrojtësin Brayan Boci (Lecco – Serie B), mesfushorin Enis Shabani nga skuadra gjermane, Mainz 05 II dhe sulmuesin Dion Berisha (Bayern II)”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Dion Berisha ka qenë pjesë e Kosovës U-21, ndërsa për herë të fundit ka luajtur me “Dardanët e rinj” muajin e kaluar kundër Polonisë.
Ai është pjesë e Bayern Munich II, me të cilin ka nënshkruar në verën e këtij viti, ndërsa i ka zhvilluar 11 ndeshje dhe i ka realizuar 5 gola me këtë ekip.