Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë se Serbia është e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it në sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit.
Në sulm u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku e u lënduan tre policë tjerë. Po ashtu deri më tash janë konfirmuar tre të vrarë nga grupi i sulmuesve.
“Dikush padyshim po e lejon Albin Kurtin të ndërtojë baza në veri, për të hyrë atje policë të armatosur rëndë”, ka thënë Vuçeviq për “RTS”. “Serbia e dënoi vrasjen e policit kosovar, por ajo që ndodhi më pas ishte e tmerrshme, serbët u gjuajtën sikur bisha nëpër pyje. Shihet se dikush e ka përgatitur mirë, kur shikon regjistrimet që i publikojnë radhazi. E gjithë kjo kërkon hetim të mëtutjeshëm. KFOR-i duhej t’i ndalonte të shtënat. KFOR-i ka një bazë jo larg nga andej, dhe ka mundur të reagonte, dhe ishte sikur ata qëndruan mënjanë dhe i lejuan policët shqiptarë të shpërndarë mirë të vazhdonin gjuetinë e serbëve në rrethinën e Banjskës”.
Vuçeviq ka thënë se përkundër zhgënjimit, nuk mund të ndalet komunikimi me KFOR-in.
Vuçeviq këtë verë kishte kërcënuar Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, për njohjen e pavarësisë së Kosovës.