Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pasi Beogradi zyrtar ka shpallur të mërkurën ditë zie, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbetën të vrarë katër sulmues serbë.
Lexoni të plotë postimin:
Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur!
Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Evropën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen evropiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!
Ky është momenti kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!