Dhe njëra nga pyetjet ka qenë se “nga ku i kishin siguruar uniformat, sulmuesit” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, gjatë ditës së diel në veri të Kosovës.
Në këtë drejtim, presidenti serb ka theksuar se “këto nuk janë uniforma të Ushtrisë së Republikës së Serbisë apo të Policisë së Republikës së Serbisë”.
“Uniformat mund të blihen kudo në treg, nuk ka armë që nuk mund të gjenden askund”, tha Vuçiq.
Veç kësaj, ai gjatë të njëjtit adresim ka theksuar se ai, përkatësisht Serbia, kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Ndryshe, gjatë adresimit të tij, Vuçiq, edhe edhe kësaj radhe ka përdorur aftësitë e tij të propagandës serbe duke u munduar të arsyetojë sulmuesit.
Pas kësaj ai ka filluar të shpalos kronologjinë e ngjarjeve, sipas versionit të tij, sipas të cilit rreth orës 2h 46m, një grup serbësh vendosën dy kamionë si barrikada në Banjska në veri të Kosovës, pastaj vjen policia e Kosovës duke tentuar t’i heq ato barrikada dhe pastaj vijnë deri në konflikt – nga ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe një person tjetër u plagos.
“Në ora 08:57 u mbyllën vendkalimet administrative Jarinje dhe Bërnjak, dhe pastaj vazhduan përleshjet. Në orën 10:15 shqiptarët njoftuan se katër komuna serbe ishin zonë e një operacioni antiterrorist”, ka thënë Vuçiq.
Dhe pas kësaj, ai ka gjetur “fajtorin” për të gjitha këto zhvillime.
“Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është që dëshiron konflikt dhe luftë. Ai dëshiron të na fusë në luftën me NATO-n”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.
Deklaratat e tij vijnë pasi që Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, është futur brenda Manastirit të Banjskës, ku ndodheshin grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetëra pelegrinë.
Pas kësaj, siç ishte bërë e ditur më herët, ata kanë shoqëruar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës 49 pelegrinë.
Ndërkohë ishte raportuar se është gjetur sasi e madhe e armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë manastirit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.
Ndryshe, Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.
Veç kësaj, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shkuar në tre numri i sulmuesve të vrarë në veri të Kosovës.