Vetëm një botë parapolitike mund t’i thotë shqiptarit sot se lëvizja e lirë, e drejtë e njeriut, është e këmbyeshme me truallin jetik.
Fuqitë, kur mendojnë për ne, kur na adresohen neve, nuk dinë të shprehen si fuqi, por si kërcënim, pra si fuqi të dobëta, si fuqi parapolitike. Ato na flasin në një gjuhë parapolitike.
Ju mund të jeni mekanikisht të lirë, vetëm nëse jeni të mangët në autonomi. Mund të ekzistoni fizikisht vetëm duke mos ekzistuar si shpirt. Mund të ekzistoni si shtet, vetëm duke mos ekzistuar si komb. Mund të ekzistoni si qenie njerëzore, vetëm duke e patur policitetin tuaj më të lartë thjesht në marëdhëniet me kopetë tuaja. Mund të jeni politik vetëm si barinj të kafshës, por jo të idesë e të që qenies. Ju jeni objekt i humanitarizmit, por jo subjekt i humanizmit. Ju mund të jeni politikë të natyrës, por jo politikë të botës. Kjo është gjuha, ky është mendimi jopolitik, qendrimi parapolitik i fuqive kur na adresohen ne. Fuqitë perandorake, të mëdha apo fqinje qofshin, nuk mund të kenë sjeljje politike kur i drejtohen shqiptarit.
Në këtë botë neoliberale, neokolonialiste, shqiptari është bartësi i dëshmisë se nuk ka bari të qenies, por bari të kafshës. Shqiptari dëshmon se kjo botë nuk është ajo e njeriut më të denjë, por ajo e kafshës më të forte. Bota gjeopolitike dhe neokolonialiste është një botë parapolitike, pra nuk është botë në kuptimin e saj të vërtetë, si emërtimi politik i tërësisë së ekzistencës së llojit njerëzor. Shqiptari, me grabitjen e vazhdueshme të mendimit të ekzistencës së vet, dëshmon se projektet filozofike perëndimore nuk e kanë arritur pjesëmarrjen e sinqertë të njeriut, se lista e gjatë e heronjve tanë nuk ka lidhje me themelimin zyrtar të kombit në shtet. Pra nga të dy anët, përkëndej dhe andej ekzistencës sonë, kemi cënimin, kërcënimin, grabitjen e mendimit të ekzistencës.”