Shoqëri e çoroditur dhe e dalur mendsh. Qe dhjetë ditë e më tepër tu folë zi e më zi për çdo gjë që ndërlidhet me shkollimin. Secili tu u mundue me folë sa më keq e sa më zi se tjetri.
Në kohën kur do të duhej të flisnim mirë. Për hirë të fëmijëve tanë. Që tua bëjmë të dashur shkollën, librin, mësuesit e arsimimin. Qe dhjetë ditë fëmijët tanë kanë dëgjuar vetëm keq; s’ka libra, s’janë paguar mjetet nga qeveria, shkollat s’janë gati, s’ka rregull, ka korrupsion e çka o më zi. Si përherë e për çdo gjë, shqiptarët edhe këto ditë i bënë të zymta e të neveritshme. Në vend se t’i bënim festive.
Ne kemi humbur kontrollin. Kemi humbur sensin për të folur mirë e për ta bërë jetën më të dashur. Nuk kemi kujdes ndaj askujt. Pra as ndaj fëmijëve tanë. Këto ditë do të duhej t’i përzgjidhnim fjalët, shkrimet mbase dhe emisionet televizive. Se sa për shtetin e interesat shtetërore po e dijmë të gjithë se ku jemi, po e shohim me sytë e ballit se çka jemi duke bërë. Këto ditë edhe xhamitë do të duhej të bubullonin duke u folur aty për rëndësinë e shkollës, librit, edukimit të fëmijëve, respektit ndaj mësuesit e arsimimit.
Asnjë shkrim, asnjë ngjarje, asnjë evinement e asnjë emision me fëmijët e për fëmijët tanë. Në prag të hapjes së shkollave. Çka është duke ndodhur me ne, ç’na ka gjetur?!
Detyrohem të them; kjo është arsyeja pse shqiptarët kanë kaq shumë nevojë për Burdushin e ndaluar e për burdushat tjerë që janë përhapur gjithandej. Sepse ne jemi ata që e krijojmë atmosferën për të pasur nevojë për burdushat. Që të shkojmë e tu biejmë në gjunjë këtyre burdushave. Sepse shqiptarët edhe ditët më të rëndësishme për fëmijët e tyre i bëjnë kaq të zymta.
Marre e jazëk ju qoftë…!